Nga Tërbuni te Luftëtari, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2024 | 13:51

Nga Tërbuni te Luftëtari, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Kategoria e Dytë vazhdon rrugëtimin për sezonin 2024/25, pikërisht me javën e dytë të saj. Ditën e sotme janë programuar 9 ndeshje ku përfshihen sfida nga grupi A dhe B.

kategoria-e-dyte

Panorama Sport iu sjell disa intervista ekskluzive ku protagonistë janë pjesëtarë nga Tomori, Luftëtari dhe Tërbuni në prag të sfidave që kanë.

Tomori e ka hedhur pas krahëve humbjen kundër Luftëtarit dhe tani presin fitoren ndaj Memaliajt. Trajneri Iken Droboniku, për “Panorama Sport” në prag të këtij takimi u shpreh: “Kemi punuar me përkushtim gjatë kësaj jave dhe fokusi ka qenë te Memaliaj. Do të tregojmë se nuk jemi të ndikuar aspak nga humbja me Luftëtarin. Duam të prezantohemi sa më denjësisht në ndeshjen e parë sezonale në shtëpi. Do të hyjmë në fushë për të realizuar një fitore të bukur dhe bindëse me lojë dhe rezultat, si dhe të kënaqim sportdashësit tanë. Duam të promovojmë talentet vendës dhe së fundmi kemi bërë pjesë të ekipit të parë 5 futbollistë me të ardhme nga skuadra e Tomori U-19”.

Luftëtari luan sot në transfertë ndaj Maliqit me të vetmin objektiv, fitoren. Mario Mërkuri, 20-vjeçari që tri sezonet e fundit është pjesë e Luftëtarit në prag të kësaj sfide u shpreh: “Në Maliq shkojmë me të vetmin objektiv, fitoren. Ne pretendojmë të kryesojmë Grupin B, por që të dalim të parët duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Çdo takim do ta konsiderojmë si finale. Maliqi ka marrë vlerësimin maksimal dhe do të udhëtojmë vetëm për fitore”.

Adriatiku-Tërbuni do të zhvillohet po sot, ora 16:00 në stadiumin e Vorës. Në lidhje me këtë takim trajneri i Tërbunit, Sinan Bradhi u shpreh: “Barazimi në start me Ilirisë nuk më ka kënaqur. Rezerva kam edhe për gjyqtarin Olsi Sokoli, i cili nuk e mbajti drejtë takimin. Atë takim e kemi lënë pas dhe jemi përgatitur për Adriatikun, ku pres tri pikët. E vlerësojmë kundërshtarin, por do të japim më të mirën për të dalë te fitorja. Shpresoj në një gjykim të drejtë këtë radhë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"