Nga Tomori, Gramshi, Naftëtari te Turbina, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë
Qendërsulmuesi dhe autori i golit të vetëm për Tomorin në ndeshjen e fundit në kampionat kundër Devollit, Vladimir Saraci, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” sqaron tension që ndodhi të dielën. Ashti si trajneri Droboniku, edhe sulmuesi Saraçi ngre pretendimet për një skenar të mirëorganizuar në dëm të Tomorit, për t’i imponuar humbjen me të gjitha format.
“Ishte fund e krye një skenar i parapërgatitur dhe unë me gjithë skuadrën e mbrojmë fort këtë tezë. Them kështu, pasi nga ajo që ndodhi gjatë lojës, vërteton më së miri pretendimet tona. Dominimi ynë ishte i dukshëm, jo vetëm në fillim me golin e epërsisë, por edhe kur ishim me 9 futbollistë në fushë dhe me drejtuesit e përjashtuar nga pankina. Luajtëm ndaj 14 futbollistëve, pasi Devolli kishte në përbërje edhe treshen e gjyqtarëve. Humbja e paravendosur nuk e largon Tomorin nga objektivi. Llogaritë bëhen në fund të kampionatit. Edhe po të na nevojitet golavarazhi, gjithçka do ta sigurojmë në ndeshjet në fushën tonë, si me Devollin në rastin më të mirë, të cilëve do t’iu rikthejmë “hijet” e ndeshjes me Flamurtarin në Kupë”. EDI SPAHIU
GRAMSHI
Gramshi nuk ka shkuar më shumë se barazimi në përballjen e javës së kaluar me Ilirinë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, autori i golit me Ilirinë, Redin Malaj, tha: “Shënova një gol të bukur dhe si gjithmonë dhashë më të mirën në fushë. Më vjen keq që nuk fituam, pasi patëm shumë raste për shënim. Do shfrytëzojmë ndërprerjen dhe do stërvitemi fort për takimin e radhës. Nuk ka ndeshje e ekipe të dobëta. Ne do të ngjitemi shumë shpejt në renditje”. MARIGLEN MIRAKA
NAFTËTARI
Kuçovarët kanë lënë dy pikë të çmuara në fushën e tyre me Veleçikun. Një barazim zhgënjyes për Naftëtarin dhe autori i golit të dytë, Samuel Vrapi, mendon se skuadrës i mungoi fati. “Zhvilluam një ndeshje të mirë, ku shënuam dy gola të shpejtë. Patëm mundësi për ta mbyllur plotësisht ndeshjen, por për fat të keq u ndëshkuam në fund. Meritonim më shumë, por i tillë është futbolli. Ishte një barazim zhgënjyes, por tashmë duhet të mendojmë për ndeshjet e ardhshme”, tha Vrapi. ARBEN ÇEPANI
TURBINA
Turbina mori një fitore të rëndësishme ndaj Memaliajt, që e ka larguar nga zona “e ftohtë”. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Laurent Ismailaj deklaroi: “Morëm një fitore të merituar ku e dominuam Memaliajn. Jam shumë i gëzuar për golin që shënova dhe falënderoj Kovaçin për asistin që më dha. Golin ia dedikoj tifozëve cërrikas, që na kanë mbështetur në çdo ndeshje. Tani radhën e ka transferta e Këlcyrës, ku na del për detyrë që të marrim një tjetër fitore. MARIGLEN MIRAKA
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"