Nga Tomori te Tërbuni dhe Naftëtari, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2024 | 18:12

Nga Tomori te Tërbuni dhe Naftëtari, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Pas dy humbjeve radhazi, skuadra beratase është rikthyer te fitorja ndaj Shkumbinit. Kjo ka marrë vlera të dyfishta, jo vetëm pse është arritur në transfertë, por edhe pse ka tejkaluar parashikimet para ndeshjes, për vetë shifrat dhe lehtësinë e fitores.

kategoria-e-dyte

Tomori rezulton i fituar edhe në aspektin psikologjik, për t’u qetësuar sadopak pas asaj humbje shokuese me Orikun në shtëpi, që ka ndikuar në diferencën e pikëve me dy vendet e para. Sulmuesi i krahut të djathtë, Daniel Lirëza, i cili në Peqin realizoi një dygolësh, për “Panorama Sport” tregon për vlerat që ka kjo fitore për Tomorin në këto momente.

Ai është i kënaqur edhe sa i takon rigjetjes së formës sportive në aspektin personal. “Do të na shërbejë shumë kjo fitore, si për anën morale, që duhet pranuar se pas dy humbjeve ishim vërtetë të shokuar, ashtu edhe për mua personalisht që vija nga dëmtimi. Dygolëshi i realizuar në Peqin tregon se tani kam rigjetur plotësisht formën sportive”, u shpreh sulmuesi LirëzaEDI SPAHIU

 

Jurgen Gjini

“Tërbuni në ngjitje, bëjmë gjithçka për objektivin”

Tërbuni rikthehet te fitorja pas dy humbjeve, duke marrë tri pikët në transfertën e Gramshit. Fitorja erdhi falë sulmuesit shkodran Jurgen Gjini, që shënoi dy gola. Për “Panorama Sport”, Gjini u shpreh: “Në Gramsh terreni ishte i vështirë dhe nuk të lejonte të luaje. Në pjesën e dytë, trajneri Bardhi bëri zëvendësime dhe ekipi u përforcua dhe dominuam. Falë kësaj erdhën dy golat e miq, që u shënuan me ndihmën e shokëve, si Vecaj e Kaçubele. Unë jam pjesë e ekipit prej dy sezonesh dhe dëshiroi që Tërbuni të rikthehet në të Parën. Jemi optimistë për ndeshjen e radhës, që do ta luajmë në shtëpi ndaj Albanëve. Fitorja na e ka rritur moralin për objektivin që kemi. Kemi bërë disa gabime në të shkuarën, sidomos me Sopotin dhe me Luzin në fushën tonë. Do të jemi edhe më të fortë në fazën e dytë dhe do të luftojmë për të realizuar objektivin që i kemi vënë vetes për këtë sezon”. GANI PEMA

  

Kapiteni Vrapi

“Naftëtari duhet të fitonte më thellë, rëndësi kanë pikët”

Pas një mungese disa javore, kuçovaret janë rikthyer te fitorja. Në një ndeshje delikate dhe ndaj një kundërshtari të fortë si Basania, ata regjistruan një fitore të çmuar për vetë pozitat në renditje. Në përgjithësi, Naftëtari zhvilloi një ndeshje të mirë, ku me pak kujdes mund të kishte regjistruar një rezultat më të thellë ndaj shkodranëve. Megjithatë, sipas kapitenit Samuel Vrapi, autor i golit të parë, e rëndësishme është fitorja. “Zhvilluam një ndeshje të kujdesshme, ku e vetmja alternativë ishte fitorja, që mund të ishte më e thellë. Përveç tre golave, patëm raste të tjera për shënim. Duhet të jemi të kënaqur me këtë fitore, e cila na ndihmon jo vetëm në drejtim të renditjes, por dhe në planin moral. Tashmë e presim më të qetë ndeshjen e radhës, ku padyshim do të kërkojmë një tjetër rezultat pozitiv”, u shpreh Vrapi. ARBEN ÇEPANI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"