Nga Tomori, Tërbuni, Luzi, Iliria, Turbina te Veleçiku. Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2024 | 21:08

Nga Tomori, Tërbuni, Luzi, Iliria, Turbina te Veleçiku. Lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Humbja e pësuar me Luftëtarin në startin e kampionatit, pak a shumë ishte e parashkruar në Berat. Kjo, për vetë rrethanat se si u përgatit Tomori dhe nisja me vonesë e punës për sezonin e ri. Sulmuesit 18-vjeçar, Klejdon Arbëri, ka besim se ekipi do të reagojë shpejt.

kategoria-e-dyte

“Jemi përpjekur për të bërë gjithçka të mundur, që të mënjanonim humbjen me Luftëtarin. Gjatë takimit kemi pasur shanset tona për të kaluar në avantazh. Kundërshtari ka pasur në favor efektin kohë në përgatitje dhe kjo e favorizoi në rezultat. Për fatin tonë të mirë, kampionati sapo ka nisur dhe përtej kësaj humbje, ne do të jemi pretendentë për ngjitjen direkt në të Parën”, u shpreh sulmuesi Arbëri për “Panorama Sport”EDI SPAHIU

 

Doda: Tërbuni nuk e nisi mirë, kundër Adriatikut duhet trepikëshi

Krybashkiaku i Pukës, Rrok Doda, njëkohësisht edhe president i Tërbunit, për “Panorama Sport” u shpreh me rezerva sa i përket barazimit që skuadra pukjane mori kundër Ilirisë. “Sezonin e ri nuk e nisëm mirë. Lamë dy pikë në fushën tonë. Kjo erdhi për shkak se disa nga lojtarët e rinj që janë afruar nuk janë në formën e duhur. Unë kërkoj nga ekipi dhe stafi teknik që në ndeshjen në transfertë kundër Adriatikut të marrim vetëm fitoren. Objektivi ynë është që Tërbuni të kthehet sërish në Kategorinë e Parë. Nga ana e bashkisë, i garantoj ekipit se nuk do t’i mungojë asgjë. Nga ekipi kërkoj përkushtim maksimal dhe stërvitje të fortë dhe t’i marrë ndeshjet një e nga një dhe në fushën tonë nuk duhet të lëmë më asnjë pikë, siç ndodhi me Ilirinë. Duhet me çdo kusht të arrijmë objektivin. Tifozët pukjanë presin me ngulm që Tërbuni të ngjitet në të Parën”, u shpreh kryebashkiaku Doda. GANI PEMA

 

Luzi 2008, nga Librazhi dëshmoi ambicien për kthimin në të Parën

Luzi 2008, që në startin e sezonit të ri në Kategorinë e Dytë, dëshmoi qartë ambicien për t’u rikthyer në të Parën. Pavarësisht largimeve cilësore, përballë një ekipi si Sopoti me mjaft afrime cilësore dhe ambicie, Luzi arriti të fitojë në transfertën e Librazhdit. Luzi 2008 është klub 100% privat që ka investuar në infrastrukturë, përbërje, dhe mbi të gjitha mban “derën” e hapur për talentet e reja kudo në Shqipëri, ndërkohë që mjaft klube janë mbushur me lojtarë të huaj. Për të gjitha këto, fitorja e Luzi 2008 në javën e parë të kampionatit, për më tepër në Librazhd, dëshmon për forcën dhe ambicien e këtij klubi, që nën drejtimin e një trajneri me pasion e përvojë, si Lorenc Pashja, do të mbetet padyshim ndër pretendentët kryesorë. Futbolli kavajas pret lajme pozitive nga 2025-ta, ku shpresohet që Besa të kthehet në Superiore dhe Luzi 2008 në të Parën. FERIZ FERIZAJ

 

ILIRIA

Iliria ka shpallu kandidaturën për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë dhe pas barazimit në start në Pukë, trajneri Alfred Allamani për gazetën u shpreh: “Iliria këtë sezon vjen me pretendime të mëdha. E nisëm në një transfertë të vështirë në Pukë, ku ekipi bëri një ndeshje dinjitoze. Mendoj se ishte një rezultat i kënaqshëm, pavarësisht ishim përgatitur për fitore. Do t’i marrim ndeshjet me radhë dhe do të luftojmë deri në fund për të arritur objektivin”. ABDULLA DUSHKU

 

TURBINA

Turbina e ka nisur sezonin me një barazim në fushën e vet, duke mos fituar dot kundër Devollit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi Sadik Kovaçi u shpreh: “Na vjen keq që nuk fituam me Devollin. Luajtëm mirë, sidomos në pjesën e dytë, por humbëm shumë raste. Veçanërisht rasti im në fund, ku topi ‘fshiu’ shtyllën dhe doli jashtë. Nuk duhet të dekurajohemi. Ishte ndeshja e parë dhe të tjera na presin më të forta. Në Orikum do të shkojmë vetëm për fitore”. MARIGLEN MIRAKA

 

VELEÇIKU

Fitorja e thellë,8-1, kundër Murlanit ka sjell entuziazëm te Veleçiku. Në këtë takim u dalluar veçanërisht Brajan Sheka, i cili tregoi se është një futbollist cilësor, ku shënoi 6 gola. Tani Veleçiku është përqendruar te transferta me Ilirinë. Për “Panorama Sport”, trajneri Besnik Duli tha: “Kam besim te grupi që kam në dispozicion. Kemi gërshetuar shumë mirë lojtarët e përvojës me ata të rinj, që janë garancia e Veleçikut edhe për vazhdimësinë”. BASHKIM RAMEKAJ

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"