Nga Tomori, Tërbuni tek Albanët, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2024 | 19:23

Nga Tomori, Tërbuni tek Albanët, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë

Beratasit janë në pritje të shpërthimit të një sulmuesi ekspert në Kategorinë e Dytë, 24-vjeçarit Daniel Lirëza, i cili është i njohur që para 5 sezonesh, si zbulim i trajnerit Kristaq Mile. Ai shpërtheu me talentin e tij si autor i 16 golave, por me largimin e teknikut Mile, të gjithë trajnerët që pasuan në të Parën nuk e trajtuan sulmuesin si efikas.

kategoria-e-dyte

Kështu që vitet që pasuan, është aktivizuar me skuadra të ndryshme, por më shumë ka spikatur te fqinjët e Naftëtarit. Rikthimi i Lirzës në Berat është mirëpritur dhe vlerësuar pozitivisht. Rreth tij ka pritshmëri të shumta. “Jam duke punuar shumë për të arritur formën time më të mirë, por goli më ka munguar shumë në këto tri javë. Shumë shpejt do të ndihmoj skuadrën me golat e mi. Rëndësi ka që ta bëj sa më shpejt të jetë e mundur takimin me golin, duke nisur që në mesjava në Kupë ndaj Ilirisë”, u shpreh Lirëza për “Panorama Sport”. EDI SPAHIU

Bardhi: Tërbuni synon rezultat pozitiv në Kupë

Tërbuni është stërvitur me intensitet gjatë javës së shkuar, edhe pse kampionati ka qenë i ndërprerë. Pukjanët janë përgatitur në kuadër të dy takimeve, nesër për Kupë ndaj Besës dhe tjetrën në fundjavë për kampionat, ku presin Veleçikun në shtëpi. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Sinan Bardhi u shpreh: “Në Kupë kemi përballë një ekip me emër dhe që synon Superioren. Tërbuni është përgatitur fort që të luajmë për një rezultat pozitiv, edhe pse Besa është e favorizuar, pasi luan në shtëpi. Disa lojtarë më janë dëmtuar, por shpresoj shumë që të rikuperohen deri në ditën e ndeshjes me verdhezinjtë. Megjithatë, kam një stol të plotësuar dhe mund të hedh në fushë edhe lojtarë rezervë. Pas Kupës na pret një tjetër ndeshje e vështirë në kampionat, ajo me Veleçikun. Do të përgatitemi fort që t’ia dalim me sukses”. GANI PEMA

 Ervin Ahmati: Albanët pa pretendime, do t’u hapim punë kuksianëve

Albanët ishte një nga 4 skuadrat e Kategorisë së Dytë, që luajti në turrin para-eliminator të Kupës, ku u kualifikuan pas fitores 5-3 ndaj  Murlanit. Nesër ky ekip luan turin e parë të Kupës, ku janë mysafirë në Kukës. Sikurse kuksianët zhvilluan një test miqësor me Partizanin, edhe Albanët zgjodhën të njëjtin klub për të zhvilluar testin e tyre. Të shtunën luajtën kundër të rinjve të Partizanit, ku barazuan 1-1.  Një nga protagonistët e fitores kundër Murlanit ishte Ervin Ahmati, që shënoi dy gola, por shënoi edhe të shtunën kundër Partizani U-19. Për “Panorama Sport” Ahmati tha: “Skuadra e Albanëve nuk ka pretendime në Kupë, por do të luajmë për të shkuar sa më larg. Ndryshe nga sezoni i kaluar ku diskutonim mbijetesën në kampionat, nuk do ta kemi problem objektivin. Ne do të mundohemi që t’u hapim probleme kuksianëve në Kupë”.    ABDULLA DUSHKU

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"