Nga Veleçiku, Turbina, Naftëtari te Gramshi, lajme shkurt nga Kategoria e Dytë
Në kampin koplikas mbizotëron qetësia. Në 3 javët e para koplikasit kanë mundur të grumbullojnë gjashtë pikë.
Ekipi përbëhet nga një grup lojtarësh me përvojë të gërshetuar me ata të perspektivës si, Broja, Pjetraca, Elidon Rrustemaj e Ndreca, të cilët e kanë justifikuar mbajtjen e fanellës së Veleçikut. Trajneri Duli është duke punuar fort me të tijtë, ndërkohë që e shqetëson stoli që i ka futbollistët “me pikatore”. “Gjithsesi, unë kam besim te drejtuesit. Ata më kanë premtuar se në merkaton e dimrit do të afrojnë futbollistë me cilësi. Kemi shumë futbollistë të rinj vendalinj, që “rrjedhin” nga Malësia e Madhe në drejtim të Akademisë “Vllaznia”, u shpreh trajneri Duli. BASHKIM RAMEKAJ
Zogu: Start jo i mirë, Gramshi rikuperon shpejt
Gramshi në tre takimet e para të kampionatit ka mundur të marrë vetëm një pikë. Edhe në ndeshjen e fundit në Luz ekipi nuk doli dot te rezultati pozitiv. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi Mikel Zogu u shpreh: “Luajtëm mirë në transfertën e Luzit, por nuk morëm atë që meritonim.
Barazimi ishte rezultati më i drejtë, pasi i kishim mundësitë për ta marrë. Futbolli i tillë është, po nuk shënove do të pësosh. Ky është një fillim jo i mirë i sezonit, por shumë shpejtë do t’i rikuperojmë këto pikë që kemi lënë. Në takimin e radhës do të synojmë vetëm fitore, pasi nuk ka rrugë tjetër për ne”, thotë Zogu. MARIGLEN MIRAKA
NAFTËTARI
Pas fitores ndaj Murlanit, kuçovarët janë përqendruar te ndeshja e radhës ndaj Ilirisë në transfertë. Në ndeshjen e fundit ndaj Murlanit u regjistrua fitorja e parë. Goli i fitores u shënua nga sulmuesi Amarildo Karaj, i cili për “Panorama Sport” u shpreh: “Kemi vuajtur jo pak në tri ndeshjet e para, ku edhe në planin personal nuk jam i plotësisht i kënaqur. Për fat, kam shënuar në ndeshjen e fundit një gol që rezultoi përcaktues në përfundim të ndeshjes. Në sfidën e ardhshme do të kërkojmë edhe më shumë. Shpresojmë në një ecuri më të mirë, padyshim edhe në planin personal, për të ndihmuar skuadrën në realizimin e objektivit sezonal”. ARBEN ÇEPANI
Ranxha: Kthesa e Turbinës vjen nga Berati
Turbina ka humbur derbin e prefekturës me Shkumbinin dhe kjo ka zemëruar stafin drejtues të skuadrës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori Antonio Ranxha u shpreh: “Bëmë një ndeshje jo të mirë me Shkumbinin, që na ndëshkoi nga gabimet tona. Jemi të gjithë të mërzitur dhe shumë të dëshpëruar, pasi duhet të bënim paraqitje më pozitive. Duhet ta harrojmë me shpejtësi këtë rezultat negativ dhe të përgatitemi shumë për takimin e radhës. Sa i përket kampionatit, javën tjetër do të luajmë me Tomorin në Berat, në një sfidë të vështirë. Gjithsesi, kemi besim se do të bëjmë kthesën në këtë përballje”. MARIGLEN MIRAKA
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"