Ngërç në repartin e avancuar/ Egnatia shënon më shumë me mbrojtjen sesa me sulmin
Egnatia nuk ka arritur të shfaqë potencialin e saj në këto 12 javë të kampionatit dhe kjo është deri diku e kuptueshme pas ndryshimeve që kampionët në fuqi pësuan në merkato. Rrogozhinasit, që mbajnë vendin e 4-t në renditje, nuk po arrijnë të stabilizojnë sulmin dhe të gjejnë golat me lojtarët e këtij reparti.
Edhe fitorja e fundit ndaj Tiranës u siglua me golin e një mbrojtësi, Edison Ndrecës, i cili është ngjitur në kuotën e 2 golave, aq sa kanë edhe golashënuesit e tjerë më të mirë të skuadrës, mesfushorët Ahmetaj dhe Lushkja. Është interesant fakti se deri tani Egnatia ka shënuar më shumë gola me lojtarët e prapavijës sesa me ata të repartit që golin duhet ta kenë “zanat”. Përveç Ndrecës me 2 gola, kanë shënuar edhe Fangaj e Xhemajli, dy mbrojtës të tjerë të skuadrës së Tetovës. Pra, 4 gola në total nga mbrojtja deri tani.
SULMI – Sulmi i rrogozhinasve ndërkohë ka shënuar vetëm 3 gola në 12 javë kampionat, 1 më pak sesa mbrojtja. Kampionët kanë realizuar 2 herë me Vuthajn dhe 1 herë me Xhoelin. Rendiment mjaft i dobët i repartit të avancuar të kësaj skuadre, ku titullari i sulmit ka qenë Dardan Vuthaj, ndërkohë që janë aktivizuar edhe Xhoel, Kasa, Jahaja dhe së fundi edhe Bakajoko.
Tre të fundit nuk e kanë provuar ende shijen e golit në këtë kampionat dhe këtu sigurisht që ka një ngërç, që trajneri Edlir Tetova vazhdimisht e ka justifikuar me faktin që Egnatia ka nisur një cikël të ri këtë sezon dhe i duhet kohë që formacioni të shprehet në mënyrën e duhur. Rrogozhinasve u duhen patjetër golat e sulmit për të shkuar në kreun e tabelës, duke nisur që nga kjo fundjavë, kur ata do të ndeshen me një rivale direkt, siç është Vllaznia.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"