Ngërçi me sulmuesit, shpresat e Elbasani janë te një kamerunas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2024 | 20:33

Ngërçi me sulmuesit, shpresat e Elbasani janë te një kamerunas

Për Elbasanin e këtyre tri javëve të para mund të thuhet se i ka bërë një nisje normale kampionatit, me 4 pikë të grumbulluara, duke i provuar të tria rezultatet. Edhe pse me pak fat dhe përqendrim më shumë në minutat e fundit mund të merrnin diçka më shumë kundër Dinamos, sërish verdheblutë janë aty mes skuadrave që kanë zhvilluar paraqitje pozitive.

Tifozet e Elbasanit

Barazimi në Korçë javën e parë dhe më pas fitorja bindëse kundër Teutës në shtëpi tregojnë për një skuadër që ka potencial. Megjithatë, kanë nisur të dalin në pah edhe problematikat e para që trajneri Roberto Bordin duhet të zgjidhë rrugës.

NGËRÇI ME SULMUESIT – Lajmi i mirë është se Elbasani shënon në çdo ndeshje, respektivisht nga një gol me Skënderbeun dhe Dinamon dhe tre në fitoren me Teutën. Lajmi i keq është se golat nuk vijnë nga sulmuesit. Nga 5 golat e shënuar deri më tani, asnjë nuk mban firmën e sulmuesve të Elbasanit. Ata nuk e kanë provuar ende shijen e golit. Bëhet fjalë për Ze Gomesh, Grecën, Leo Melon, Gjonin dhe Lleshin, të cilët kanë pasur minutat e tyre deri më tani.

Braziliani Melo është i vetmi që ka pasur mundësinë të luajë në të tria ndeshjet, me 192 minuta në dispozicion, më pas vijnë të gjithë të tjerët me nga dy ndeshje dhe me më pak minuta. Shpresat më të mëdha kanë qenë te Greca dhe Ze Gomesh, si dy lojtarët që kanë peshën specifike për këtë rol, ndërsa Gjoni me Lleshin më shumë janë parë si alternativa për momentin nga trajneri Bordin.

Sezonin e kaluar ishte pikërisht Greca që u shpall golashënues i skuadrës, me 19 gola, i ndjekur nga Lleshi me 12 dhe Melo me 10, por këtë sezon ende nuk e kanë bërë “sefte”. Për fat, mungesën e golave nga sulmuesit e kanë rikuperuar lojtarët e prapavijës, siç janë mbrojtësit Lulaj dhe Musta dhe mesfushorët Dros, Hila dhe A.Kasa.

SULMUESIT

SHPRESAT TE TSAGUE – Pak ditë më parë është bashkuar edhe sulmuesi nga Kameruni, Blaise Tsague. Lojtari 24-vjeçar ka ardhur me synimin për të bërë “pykën” dhe për të garantuar golat, por mbetet për t’u parë performanca e tij në fushë.

Duke qenë se vjen nga ligat inferiore në Brazil, të dhënat e tij sa i përket golave mungojnë, por në klub shpresojnë të kenë bërë një goditje në këtë repart. Tsague ka mbërritur shumë vonë në skuadër dhe duhet parë përshtatja e tij me pjesën tjetër të grupit, në një kohë që do të ketë mbi supe jo pak përgjegjësi.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"