Ngjarja e rëndë gjatë duelit me Tiranën, reagon Vllaznia: I pakuptimtë vazhdimi i ndeshjes, Mala me humbje dëgjimi dhe ekuilibri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2024 | 20:49

Ngjarja e rëndë gjatë duelit me Tiranën, reagon Vllaznia: I pakuptimtë vazhdimi i ndeshjes, Mala me humbje dëgjimi dhe ekuilibri

Klubi  Vllanzisë ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale për ngjarjen e rëndë të ditës së sotme ku gjatë ndeshjes ndaj Tiranës, një fishekzjarr i hedhur nga tifozët bardheblu shkaktoi dëmtime të lojtarëve të saj.

vllaznia

Esat Mala ishte ai që vuajti dëmtimin më të rëndë, teksa përfundoi në spitalin e Lushnjës, ndërsa klubi kuqeblu në reagimin e tij e ka cilësuar të pakuptimtë dëshirën e zyrtarëve të FSHF për të vazhduar ndeshjen në fjalë më çdo kusht.

REAGIMI  I VLLAZNISË

Klubi i Futbollit Vllaznia shpreh indinjatën e tij më të thellë në lidhje me rastin e paprecedentë të ndodhur ndonjëherë në kampionatin shqiptar, atë gjatë ndeshjes së ditës se sotme, Tirana-Vllaznia e luajtur në stadiumin “Roza Haxhiu” të qytetit të Lushnjës ku jeta dhe shëndeti i futbollistëve të Vllaznisë u rrezikua seriozisht.

Në minutën e 66-të pas shënimit të golit të katërt, kur rezultati ishte fiksuar në shifrat 1-4 në favorin e ekipit tonë, ndërkohë që të gjithë lojtarët e Vllaznisë po festonin brenda fushës së blertë, një lëndë plasëse e fuqishme e hedhur që vinte nga grupi i tifozërisë së Tiranës, shpërtheu fuqishëm në fushën e blertë përpara këmbëve të lojtarëve duke i përplasur fuqishëm në tokë disa prej tyre. Fatkeqësisht fusha e blertë ngjante më tepër me një skenë lufte sesa me një ambient sportit.

Për shkak të këtij shpërthimi, njëri nga lojtarët e Vllaznisë, i plagosur më rëndë, u detyrua të lërë fushën e lojës dhe të dërgohet menjëherë në Spitalin Rajonal të Lushnjës. Sipas raportit të mjekëve të urgjencës së spitalit rezultoi ka pësuar djegie, humbje të dëgjimit dhe humbje ekuilibrit. Ndërkohë lojtarët e tjerë që mbetën në fushën e lojës pësuan turbullime të dukshme te shikimit dhe të dëgjimit.

Pas këtij momenti të shëmtuar ku u lëndua shëndeti i futbollistëve kuqeblu, nuk mund të kishte më lojë futbolli dhe përtej vendosmërisë së stafit teknik dhe lojtarëve për të respektuar drejtuesit e garës, mbetet i pakuptimtë vendimi i tyre për vazhdimin e ndeshjes!

Klubi i Futbollit Vllaznia kërkon me forcë nga organet e rendit dhe Policisë së Shtetit të marrin sa më parë të gjitha masat për identifikimin dhe ndalimin e autorëve të cilët kanë konsumuar një vepër penale të tipit “akt terrorist” e cila ka rrezikuar jetën dhe shëndetin e lojtarëve në fushë.

Kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit të marrë menjëherë të gjitha masat me të ashpra për të dënuar çdo sjellje dhe veprim që nuk ka lidhje me misionin e sportit ndaj të gjithë përgjegjësve.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"