Ngjarja në Europianin e moshave që u mbajt në Tiranë! Pëllëmbë vajzës së tij, pezullohet trajneri kosovar
Në sallën “Feti Borova” në Tiranë, për disa ditë me radhë u mbajt Kampionati Europian i taekwondo-së për kategorinë e kadetëve. Një event që shënoi pjesëmarrje rekord me 529 fëmijë nga 43 shtete. Por në këtë aktivitet tërhoqi vëmendje një incident, i cili tronditi opinionin publik, pas një video që pushtoi rrjetet sociale. Bëhej fjalë për trajnerin e taekwondosë, Valmir Fetiu, i cili në ato pamje shihet duke goditur me shuplakë një garuese tetë vjeçare nga Kosova, që më vonë u mësua se ishte në fakt vajza e tij.
Këtë gjest, ai e kishte bërë pak momente pasi ajo pësoi humbje ndaj rivales serbe, ndërsa më vonë në një prononcim të tij për media, Fetiu kishte thënë se e ka bërë me qëllimin për ta qetësuar. Sidoqoftë, përkundër kërkim-faljes dhe sqarimit të tij, Fetiu nuk i ka shpëtuar dënimit pas këtij akti të kryer.
Bordi Mbikëqyrës i Garave në Kampionatin Europian të Kadetëve 2024 në Tiranë, ka marrë vendim që ta pezullojë trajnerin për gjashtë muaj, për sjelljen e tij agresive ndaj garueses në përfundim të ndeshjes.
Në arsyetimin e tyre kanë thënë se incidenti i cili është incizuar nga kamerat e tregon qartë trajnerin duke bërë një veprim i cili nuk tolerohet në sport. Pas këtij dënimi ai nuk do të jetë në gjendje të ushtrojë profesionin e tij as në garat kombëtare e as në ato ndërkombëtare.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"