Nigeriani Moses i jep Kastriotit fitoren në Kukës, gjyqtari akordon 15 kartonë të verdhë
Kastrioti mund Kukësin në transfertë në shifrat minimale 0-1, në një ndeshje të luftuar me mjaft rivalitet në fushë. Mjafton të thuhet se kryesori dha plot 15-të kartonë të verdhë, për të treguar atë që u prodhua përgjatë 90 minutave në “Kukës Arena”.
Goli i vetëm me vlerën e tri pikëve u shënua nga Moses në minutën e 28-të, rezultat që krutanët e mbrojtën me fanatizëm deri në fund. Një fitore në debutimin e Stavri Nicës me Kastriotin e këtij sezoni, që ngjitet i katërti me 13 pikë, ndërsa Kukësi mbetet i teti me nëntë pikë.
PJESA E PARË – Përballja do të niste me vrull që në minutat e para, me ekipet që përpiqet të mbajnë sa më shumë topin në kontroll. Nuk mungojnë duelet e ashpra që në fillim, çka detyron kryesorin të nxjerrë shpejt nga një të verdhë për secilën skuadër. Gjithsesi, në minutën e 28-të do të vinte edhe goli që në fund do t’i jepte tri pikët krutanëve, me autor Samuel Moses. Ka festë në kampin mik, ndërsa vendasit nuk u besojnë syve dhe do u duhet të ndërrojnë marsh për të përmbysur shifrat. Ndeshja ka ritëm dhe lojë të fortë, me Kukësin që bën përpjekjet për të shkuar tek baraspesha, ndërsa Kastrioti mendon më shumë të menaxhojë lojën dhe të godasë në hapësirat që lë kundërshtari. Gjithsesi, fraksioni i parë i lojës mbyllet në avantazhin e miqve me një gol.
PJESA E DYTË – Çela mundohet të freskojë skuadrën dhe hedh vështrimin nga sulmi, duke hedhur në fushë Viktor dhe Hasajn dhe shtyrë më shumë skuadrën drejt fazës ofensive. Nica u beson titullarëve dhe nuk bën lëvizje në startin e së dytës. Siç pritej, Kukësi kërkon vazhdimisht të dalë përpara dhe të zërë në befasi miqtë, por mungon forca goditëse në fazën finale. Çela nis të luajë të gjitha kartat që ka në dorë, duke hedhur në fushë edhe Jusuf me Metanin, në një kohë që luhet fort dhe me dyluftime të ashpra në fushë. Kastrioti mbron me fanatizëm avantazhin dhe mbyll thuajse të gjitha hapësirat në fushë, me minutat që kalojnë dhe nervozojnë edhe më shumë skuadrat, duke detyruar Grimcin të nxjerrë shpesh herë kartonin e verdhë nga xhepi, për lojtarë dhe pjesëtarë të stafit krutan. Gjithsesi, në fund nuk ka më gola të tjerë dhe Kastrioti i Nicës merr tri pikë “të arta”, ndërsa Kukësi i Çelës nuk ka ardhur ende aty ku duhet dhe duhet të bëjë mirë llogaritë me zonën e “ftohtë”. VLADIMIR MEMA
KUKËSI – KASTRIOTI 0 – 1
GOLI: Moses 28′
KUKËSI: Dervishaj, Selita, Lala, Kapllanaj, Nasir, Momoh (Hasaj 46′), Mejdani (Birçaj 69′), Birçaj, Hilaj (Viktor 46′, Ouen 77′), Danaj (Jusuf 69′), Beshiraj; (Në dispozicion: Nova, Lamellari, Peposhi). Trajner: Emiljano Çela
KASTRIOTI: Puja, Krasniqi, Doseh, Zuna, Musaj (Qyra 93′), Moses, Kuka, Arrojo, Ajazi, Hoxha (Hodo 91′), Kapllani (Çavez 85′);(Në dispozicion: Jaupllari, Xhafa, Arapi, Agius, Berisha). Trajner: Stavri Nica
Kartonë të verdhë Lala 26′, Çela 43′, Hasaj 50′, Viktor 76′, Metani 83′, Kuli 92’/ Vogli 27′ (staf), Hoxha 45′, Zuna 45′, Musaj 71′, Ajazi 72′, Moses 72′, Baku 74′ (staf), Kapllani 75′, Puja 91′
Gjyqtarë: D. Grimci (Shkodër), B. Mesi, S. Hysjeni (Tiranë)
Vëzhgues: Genc Maloku (Tiranë)
Delegat: Krenar Alimehmeti (Tiranë)
Vogli: Fitorja na fut në vallen e Superiores
Kastrioti mori një fitore me vlera në Kukës, ku suksesi u vendos nga goli i nigerianit Moses, i cili shkëndijat i dha që në Kupë ku i shënoi dy herë Butrintit. Pas ndeshjes, për “Panorama Sport” drejtori sportiv i Kastriotit u shpreh: “Jemi të kënaqur me fitoren, pasi ky trepikësh na fut në vallen e pretendimeve për ngjitjen në Superiore. Ekipi tregoi personalitet dhe zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. Kjo fitore na jep garanci për vazhdimësinë e kampionatit. Ishte një ndeshje mjaft e dyluftuar, ku arritëm të shënonim me Moses, gol të cilin e ruajtëm me fanatizëm deri në fund. I përgëzoj të gjithë për paraqitjen dhe tani menjëherë do të nisim punën për ndeshjen e radhës me Flamurtarin, që e kemi në shtëpi”. SH. HASANI
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"