Nisja më e dobët e dekadës, Milani i Fonsekës i afrohet katastrofës së Xhampaolos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2024 | 22:11

Nisja më e dobët e dekadës, Milani i Fonsekës i afrohet katastrofës së Xhampaolos

Pas humbjes me Napolin tha se kishte parë një Milan në rritje dhe mbi të gjitha ende në garë për titullin. Por shifrat e Paulo Fonsekës me Milanin nuk janë aspak pozitive. Pas 12 ndeshjeve mes Serisë A dhe Ligës së Kampioneve, kuqezinjtë kanë humbur pesë herë, pothuajse gjysma e atyre të luajtura.

oulisic

Ajo që ndjell reflektime mbi të gjitha është krahasimi me sezonin e kaluar, kur Pioli, pas 9 javësh në kampionat, kishte rrëmbyer 21 pikë mbresëlënëse, 7 më shumë se 14 aktualet e “Djallit”. Për më tepër, vitin e kaluar vendi i parë i zënë nga Interi ishte vetëm 1 pikë larg, teksa sot distancë është plot 11 pikë. Milani ka një ndeshje më pak, por Leao me shokë tashmë duken jashtë luftës për titull. Një mbrëmje me shumë hidhërim për Milanin, rezultat i mungesave të shumta në shtëpinë kuqezi mes pezullimeve, dëmtimeve dhe zgjedhjeve teknike.

PAK CINIZËM – Duke menduar për një 0- 2, mund të mendohet një ndeshje e keqe nga vendasit dhe një e shkëlqyer nga mysafirët, por kjo do të ishte vetëm gjysma e së vërtetës. Sepse MilanNapoli ishte para së gjithash ndeshja e vëmendjes dhe cinizmit maksimal për lojtarët e Kontes, e fatit të keq dhe e cilësisë së paktë për “Djallin”. Po, sepse pa Gabian dhe Teo Hernandezin, Milani kapitulloi menjëherë në pakujdesinë e parë, me Lukakun që ndëshkoi Pavloviçin pas një pasimi që një mbrojtës i përmasave të serbit nuk mund dhe nuk duhet ta nënvlerësojë.

Më pas Emerson Rojal ishte shumë i lehtë dhe një Fofana në version ndjekës u eliminuan me lehtësi nga Kvaratskhelia i cili vulosi rezultatin që në minutën e 43-të. Sepse për të thënë të drejtën, nëse nuk do të kishte qenë ai gol i dytë që u preu këmbët kuqezinjve, në pjesën e dytë mund të kishte qenë një tjetër ndeshje. Ashtu siç nuk mund të shkohet shumë larg pa alternativa të vlefshme për mungesat me të cilat Milani duhej të përballej. Disa për shkak të skualifikimit ose dëmtimeve, të tjerë për shkak të zgjedhjes teknike ose dorëzimit në minutën e fundit. Teo, Gabia, Reijnders dhe Abraham janë vetëm disa, nëse më pas shtoni Pulisiç dhe Leao, Napoli hyn në fushë tashmë i vetëdijshëm se ka më pak shqetësime.

ECURI E DOBËT – Dhe është kështu, sepse pa cilësinë e elementëve të tij më të mirë, ekipi i Fonsekës ia bëri punën më të lehtë Napolit dhe nuk ishte në gjendje të bënte atë që bënë njerëzit e Konte në “San Siro”, duke shfrytëzuar gabimet. Buonxhorno dhe Gilmur ia dhanë mundësinë Musahut në pjesën e parë, madje edhe Moratës, por dy kuqezinjtë nuk e shfrytëzuan rastin dhe ndeshja mori rrjedhën që mori. Statistikat, që mund të merren për bazë deri dikur, thonë se kuqezinjtë kishin 60 për qind të zotërimit të topit dhe realizuan 13 goditje, nga të cilat vetëm 5 në portë. Më shumë rëndon fakti që nuk u shënua asnjë gol. Pak mundësi të qarta që mund të shqetësonin Meretin.

Shumë pak për një trajner që në para-ndeshje e kishte paraqitur sfidën si “të rëndësishme, por jo vendimtare”, për një Milan që megjithatë ka objektiv të qartë luftën për kampionatin. Dhe ndërkohë, për të gjetur një ekip kuqezi me një fillim më të keq të sezonit se ky, duhet të ktheheni pesë vjet mbrapa, në atë të Xhampaolos dhe më pas Piolit, me 7 humbje në 12 ndeshje (sot janë 5 në po aq).

Jo një Milan i keq, e përsërisim, ai i parë ndaj Napolit, por në vështirësi të dukshme. Dhe rezultati, i cili është ai që dominon renditjen dhe shpërblimet në fund të kampionatit, i kthen kuqezinjve një ekip që po lufton dhe vuan shumë, i paaftë për të korrigjuar humbjet e reparteve të tjera dhe mungon kur lojtarët e tij të mëdhenj janë në bllokim.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"