“Një ditë dua të jem trajner i Vllaznisë”, Gilman Lika: Kjo skuadër, minimumi në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2024 | 22:51

“Një ditë dua të jem trajner i Vllaznisë”, Gilman Lika: Kjo skuadër, minimumi në Europë

Vllaznia në syrin e ish-kapitenit të saj, Gilman Lika, i cili kohët e fundit bën trajnerin në Emiratet e bashkuara Arabe.

lika

Në një intervistë për “Panorama Sport” ai ka folur për Vllazninë e tanishme, çfarë pret sezonin e ri nga kjo skuadër, por edhe për objektivat personalë. Lika shpreson që të mos jetë e largët dita, kur ai do ta drejtojë Vllazninë si trajner.

Lika, sapo jeni kthyer në Shkodër dhe menjëherë pranë Vllaznisë?

Jemi shkodranë, kemi dhënë për këtë skuadër dhe këtu e kemi zemrën. Kemi qenë tifozë pa qenë lojtarë të kësaj skuadre dhe normalisht jemi tifozë edhe tani. Kur kam mundësi dua ta ndjek jo vetëm ndeshjet zyrtare, por edhe ato stërvitore. Vazhdoj të jem pa u ndarë asnjë minutë tifoz i kësaj skuadre.

Sa e njihni ekipin aktual?

Nuk është se e njoh shumë këtë ekip. Kam parë dy ndeshje dhe nga njëra kam ngelur i kënaqur dhe tjetra i zhgënjyer. Mendoj se grupi dhe lojtarët janë, por se sa do të konsolidohen me njëritjetrin do të duhet të shihet.

Ku e shikoni këtë Vllazni në sezonin e ri?

Është shumë herët për të folur, nuk mund të jap një përgjigje të saktë, pasi është në vartësi të ndeshjeve të para. Me grupin që ka, minimalisht duhet që të jetë në Europë.

Ndeshjet e para i ka shumë të forta, që në start me Partizanin në transfertë…

I shikoj të katërta ndeshjet e para shumë të vështira, duke ditur që ekipi mund të mos jetë në formë optimale. Ne mund ta shikojmë si të vështirë, por ndoshta mund të marrin mbarë dhe nëse merr rezultate pozitive, mund të bëhet një nga ekipet më të frikshme të Superiores.

Teksa shikoni këtë skuadër, kush ju duket Lika i dytë?

Nuk mund të them një emër të veçantë, por mund të them se ka disa lojtarë shumë të mirë që dy vitet e fundit i kam përmendur në intervista. Shpresoj që të jetë sezoni i lojtarëve të tillë, si Zaganjori, Doda, Kubazi Shimaj, Delaj. Dua që shumica e tyre të kenë minutat e duhura dhe të tregojnë veten, sepse janë lojtarë që kanë cilësi.

Thatë më parë që ka një grup të mirë. Ku bazoheni, tek afrimet, apo te gërshetimi?

Duke ditur që boshti i ekipit të vjetshëm është ruajtur dhe lojtarët e ardhur janë me cilësi, nëse bëhet një punë e mirë dhe ka gërshetim, pa diskutim që secili prej tyre do të ecë mirë dhe Vllaznia do të bëjë shumë gjëra pozitive sezonin e ri.

Sipas jush, a ka nevojë ekipi për të tjera përforcime?

Mund të ishte dashur një sulmues dhe një mbrojtës. Drejtuesit mund të jenë në kërkim të tyre, por edhe me këtë grup duhet të jenë pretendentë që në fillim të kampionatit.

Si po shkon përvoja juaj në Emiratet e Bashkuara?

Për momentin jam duke u provuar në një akademi private. Kam pasur ngarkesë, pasi për çdo muaj, madje deri në nëntor, do të jem vajtjeardhje për të përfunduar kursin e trajnerëve “UEFA Pro”. Pasi ta kryej atë, synimet janë për të shkuar më lart.

Pra, do të largoheni nga Emiratet e Bashkuara?

Shpresoj të jem pjesë e ekipeve me emër, si Vllaznia, Tirana apo Partizani në Shqipëri. Shpresoj shumë të futem tek ato ekipe dhe të tregoj veten. Te Vllaznia kam luajtur dhe meritoj në të ardhmen të kem mundësinë për ta drejtuar këtë skuadër. Madje, mund të them në një të ardhme të afërt.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"