Një kolumbian tremb Kukësin, Kamilo: Valbona luan vetëm për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2024 | 16:15

Një kolumbian tremb Kukësin, Kamilo: Valbona luan vetëm për fitore

Valbona nuk ka ardhur thjesht si kalimtare në Kategorinë e Parë, pasi drejtuesit e saj kanë shprehur hapur ambicien që të jenë në mesin e artë të tabelës. Pas 4 javëve, ata ndodhen aty ku dëshirojnë, pra në 7 vendet e para me 4 pikë.

valbona

Këtë javë, tropojanët do të presin Kukësin. Takimi konsiderohet si një derbi i Veriut. Pas humbjes me Vorën, çdo gjë u la pas që në stadium. Valbona tani po përgatitet për ndeshjen e radhës me intensitet të lartë. Synim i vetëm janë tri pikët për të qenë të sigurt në objektivat e tyre. Përsëri në stol do të qëndrojë zv/trajneri Osman Qelia, pasi trajneri Emiliano Gega vazhdon pezullimin. Një nga afrimet efikase ka qenë mesfushori kolumbian, 22 vjeçari Huan Kamilo Roman, i cili në 4 ndeshjet e aktivizuara te Valbona ka luajtur 323 minuta, duke shënuar një gol dhe dhënë 4 asiste.

Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport” para ndeshjes kundër Kukësit, ai shprehet: “Në radhë të parë dua të falënderoj agjentin tim që bëri të mundur afrimin tim te skuadra e Valbonës, ku po ndihem mjaft mirë. Është një skuadër korrekte për sa u përket rregullave të merkatos dhe objektivi i saj është premtues për t’u renditur sa më mirë në tabelë për të mos diskutuar rënien nga kategoria. Në këto 4 ndeshje, kam dhënë gjithçka nga vetja për të treguar performancën time, por edhe për të ndihmuar ekipin. Kundër Kukësit do të luajmë për fitore”, thotë kolumbiani.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"