Një nga klubet më të penalizuara, Elbasani ka 7 milionë lekë gjoba prej tifozëve
Elbasani duhet t’i bëjë mirë llogaritë me Superioren. Jo vetëm për aspektin sportiv dhe të garës, e cila është në një tjetër nivel me Kategorinë e Parë, aty nga ku erdhën si kampionë të kësaj kategorie.
Më së shumti duhet të ruhet edhe nga gjobat. Thuhet kështu, pasi verdheblutë janë ndër skuadrat më të dënuara këtë fillim kampionati nga Komisioni i Disiplinës në FSHF, ku nga gjashtë javë të luajtura kanë marrë gjoba pikërisht në katër prej tyre. Në total bëhet fjalë për plot 7 milionë lekë të vjetër që klubi duhet të derdhë në arkat e FSHF-së si pasojë e këtyre dënimeve. Në tri ndeshje janë gjobitur me nga një milion lekë të vjetër dhe në sfidën me Tiranën në “Air Albania”, dënimi ka qenë shumë i madh, me 4 milionë lekë të vjetër.
Jo vetëm kaq, por është detyruar të dëmshpërblejë edhe dëmet që janë shkaktuar në këtë impiant, duke e bërë edhe më të lartë koston që detyrohet klubi ta përballojë nga arkat e tij. Me pak fjalë, me këtë ritëm të dënimeve, klubi duhet të mendojë edhe afro 1 milion lekë të vjetër për ndeshje që duhet t’i paguajë gjoba, gjithnjë nëse ky trend do të vazhdojë edhe në vijim.
PARADOKSI – Duket deri – diku si një situatë paradoksale në fakt, sepse deri më sot Elbasani ka qenë skuadra që ka pasur numrin më të madh të tifozëve në stadium, si kur bëhet fjalë për sfidat në shtëpi, por edhe jashtë saj. Lidhja e tyre me klubin është shumë e veçantë dhe e ngushtë, ndaj edhe numri i të pranishmëve është i lartë në shkallët e stadiumeve kur luajnë verdheblutë. Mirëpo, të gjitha dënimet e marra deri tani kanë ardhur si shkak i sjelljes së tyre, kryesisht për ndezjen dhe hedhjen e mjeteve piroteknike në stadium.
Një shkelje që në futboll mund të thuhet se ndodh rëndom nëse në stadium do të ketë tifozë, edhe për vetë natyrën e këtij sporti dhe mentalitetit të tifozërisë që herë pas here entuziazmin e një fitoreje apo goli e shpreh me “thyerjen” e një rregulli. Edhe gjatë ndeshjeve të Kategorisë së Parë, Elbasani ka qenë një ndër klubet më të penalizuar sa i përket gjobave të marra nga Komisioni i Disiplinës.
Gjithsesi, për aq kohë sa Elbasani do të mbushë shkallët e stadiumit, edhe dënimet si shkak i sjelljes së tifozërisë do të kalojnë në plan të dytë, sepse në futbollin e sotëm parësorja është të kesh këta të fundit prezent në një ndeshje.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"