Një pikë në katër ndeshjet e fundit, kapiteni i Bylisit: Boll më, kundër “demave” bëjmë kthesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2024 | 11:13

Një pikë në katër ndeshjet e fundit, kapiteni i Bylisit: Boll më, kundër “demave” bëjmë kthesën

Marin Abazaj, kapiteni i skuadrës së Bylisit, kërkon që të kthejë optimizmin, por edhe të rrisë anën psikologjike te skuadra e tij. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shpreh keqardhje për faktin që skuadra në javët e fundit ka merituar diçka më tepër, por nuk ia ka dalë të grumbullojë pikët, aq të rëndësishme për renditjen.abazajMarin, sa ndikon ndryshimi në pankinë në situatën e skuadrës?

Të them të drejtën unë jam lojtar dhe me statusin e kapitenit, më intereson më e mira për skuadrën. Natyrisht që lëvizjet kanë qenë jo nga ato me shumë zhurmë dhe që janë bërë nga palët për të mirën e të gjithëve. Besoj dhe shpresoj që të vijë kthesa, madje sa më shpejt, që këtë fundjavë, sepse boll më! Bylisi nuk e meriton këtë gjendje.

Keni grumbulluar një pikë në katër ndeshjet e fundit, sa e vështirëson ecurinë në vazhdim?

Do të thoja se janë shumë pak, sepse me Tiranën dominuam dhe kontrolluam lojën, madje ata luajtën vetëm shtatë minuta dhe pësuam dy gola, sepse ne duhej ta fitonim atë takim. Një ndeshje sa interesante, edhe shumë e bukur në pjesën e dytë, por ne humbëm dy pikë. Më pas Egnatia dhe Vllaznia, që u vendosën me logjiken e episodeve. Ndeshja mori rrjedhë nga një situatë e krijuar nga goli i dytë, por që edhe ne bëmë lojë dhe raste. Po ashtu edhe me Vllazninë. Mendoj se e humbëm ndeshjen te penalltia. Me Elbasanin dominuam mund pjesën më të madhe të lojës, por ky është futbolli.

Në radhë Partizani, si e prisni këtë ndeshje?

Janë një ekip solid, kanë kualitete. Kanë pësuar ndryshime dhe ata, por edhe Bylisi nuk është si një sezon më parë në organikë. Luajmë në kryeqytet, terreni do të jetë i mirë. Partizani të lë të luash, kështu që ne duhet të bëjmë më të mirën dhe të kërkojmë kthesën.

Përse po shfaq skuadra kaq shumë oshilacione?

Të mos harrojmë kemi luajtur me skuadrat më të forta dhe që kanë kualitete. Ndodh që në të atilla duele kualiteti bën diferencën dhe kjo unë mendoj se është arsyeja, por që edhe vetë duhet të ishim treguar më të kujdesshëm dhe duhet që të shfrytëzonim ato raste ideale që kemi pasur.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"