Një rikthim dhe dy dyshime për Partizanin, trajneri i kuq fikson titullarët e derbit
Partizani do të mbyllë sot përgatitjet për derbin e madh të së dielës kundër Tiranës, i dyti në radhë në këtë sezon. Trajneri Veselinoviç ka mbyllur të gjitha shpjegimet teorike me video dhe analizat e kundërshtarit dhe dje ka zhvilluar përgatitjen e skemave specifike për sfidën me bardheblutë.
Serbi njihet si një trajner detajist dhe mbetet të shihet sesi e ka përgatitur derbin kundër ekipit të Maganit. Sa i përket skuadrës, ka disa probleme, çka shkaktojnë edhe pasiguri në lidhje me ndërtimin e formacionit që do të sfidojë bardheblutë. Dyshimi i parë mbetet Andi Hadroj, i cili ka arritur marrëveshjen me klubin ukrainas të Polisia Zhitomir dhe përveç kësaj, në dy muajt e fundit ka vetëm 30 minuta në këmbë.
Edhe në rast se pukjani dëshiron të luajë, minutat e pakta e bëjnë të jetë në dyshim. Nëse luan ai, në stol do të ulej Buxhelaj dhe Bytyçi do të kalonte në të majtë. Në të kundërt të kuqtë luajnë si me Laçin. Në mesfushë Redon Ismaili vijon të trajtohet me muskujt e barkut, por siç ndodhi me Laçin, pritet të sforcohet pak dhe të luajë edhe këtë ndeshje.
Sakaq, ka lajme të mira nga Mehmeti, i cili është rikuperuar nga dëmtimi dhe do të jetë në stol kundër Tiranës, si një opsion luksi për Veselinoviç. Në sulm ka dyshime për Carën, i cili kundër Laçit nuk luajti asnjë minutë, edhe pse ishte në stol.
Tani është rikuperuar plotësisht, por mungesa e minutave e vë në dyshime Veselinoviç, që nga ana tjetër ka gati Kekon, goxha në formë. Sa u përket zgjedhjeve të trajnerit, ka një dilemë në qendër të mbrojtjes mes Domgjonit dhe Sembene, me këtë të fundit më të avantazhuar.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"