Njeriu i momentit, kapiteni Balaj po kalon një rini të dytë te Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2025 | 13:17

Njeriu i momentit, kapiteni Balaj po kalon një rini të dytë te Vllaznia

Nëse ka një futbollist që po udhëheq Vllazninë me golat e tij dhe po ashtu më i spikaturi në Superiore, ai është Bekim Balaj. Shtatlarti duket se po kalon një rini të dytë, ku tashmë në moshën 34-vjeçare nuk ndalet së shënuari. Shkodrani është aktualisht golashënuesi më i mirë i Superiores, ku në kuotën e 14 golave udhëheq tabelën e golashënuesve më të mirë.

bekim balaj

Madje, ish-futbollisti i Kombëtares ka tejkaluar edhe veten, ku sezonin e shkuar kishte shënuar 12 gola pas 23 javësh. E ndërsa këtë sezon numëron 14 të tillë, duke shkuar i sigurt drejt “Këpucës së Artë” për të dytin sezon radhazi. Edhe shifrat e javëve të fundit në kampionat konfirmojnë për formën e shkëlqyer të Balajt, i cili është njeriu i momentit në elitën e futbollit tonë.

Në 5 javët e fundit në kampionat, Balaj ka gjetur 6 herë rrugën e rrjetës, me një mesatare prej 1.2 golash për ndeshje, shifra të një bomberi të vërtetë. Bekimi gjatë kësaj periudhe ka gjetur 2 herë golin në fitoren 2-1 kundër Tiranës. Ka shënuar një tripletë në triumfin 0-4 ndaj Skënderbeut e po ashtu ka shënuar në fitoren e Vllaznisë 1-3 kundër Teutës.

Sulmuesi nuk ka shënuar gjatë kësaj periudhe në humbjen e shkodranëve 2- 0 ndaj Partizanit e po ashtu disfatën 0-2 ndaj Egnatias, duke treguar qartazi “varësinë” e skuadrës ndaj tij, ku në rastet kur Balaj nuk gjen golin, Vllaznia e ka shumë të vështirë të sigurojë fitore dhe suksese.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"