NOTAT E SHQIPËRISË/ Spikatën katër lojtarë, shumë gabime nga emrat kyç të kuqezinjve. Mësoni vlerësimet sipas “Panorama Sport”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2024 | 21:25

NOTAT E SHQIPËRISË/ Spikatën katër lojtarë, shumë gabime nga emrat kyç të kuqezinjve. Mësoni vlerësimet sipas “Panorama Sport”

Lexoni notat e futbollistëve të Kombëtares shqiptare për ndeshjen ndaj Gjeorgjisë sipas “Panorama Sport”

WhatsApp Image 2024-09-10 at 21.09.14

STRAKOSHA 6 – Nuk kishte se çfarë të bënte te goli i pësuar, por reagon mirë dy herë të tjera ndaj gjeorgjanëve dhe mban skuadrën e tij në lojë. Ndeshje e mirë për portierin kuqezi.

KUMBULLA 6 – Pasime të sakta dhe bie në sy me spastrimet e zonës. Ku është Kumbulla nuk ka rrezik. Pika më e fortë, lufta në ajër.

HOXHA 6 – Si debutim në formacion, paraqitja ishte e mirë. Rrezik konstant në krah, por rivalët e pengojnë me shumë faulle. Kroson disa herë në zonë, por nuk arrin të gjejë askënd. (Laçi 61’ 5.5)

HYSAJ 6 – I karikuar dhe i ashpër gjatë lojës. Ndahet shpejt nga topi dhe shkon edhe në fundore. Ndeshje e mirë.

ASLLANI 5.5 – U përpoq tejmase dhe lojtari që preku më shumë herë topin në fushë. Duhet të përmirësohet në fazën mbrojtëse. Kërkoi disa herë Rei Manajn me topin e gjatë, por mbrojtja e Gjeorgjisë ishte e vëmendshme.

ISMAJLI 5.5 – I fortë në mbrojtje dhe në pozicion gjithmonë. Vendimtar në rastin e minutës së 58-ë, ku bllokon goditjen e Kakabadzes me një veprim spektakolar. Vetëm një gabim me një kthim topi te Strakosha, ku rivalët për pak shënuan golin e dytë.

MITAJ 5.5 – Aktiv në pjesën e parë, por nuk shkon deri në fundore sepse aty është Hoxha. Si gjithmonë i ëmbël me topin dhe pasime të saktë, por i ikën dy herë kundërshtari në krah. Duhet përmirësim në fazën mbrojtëse.

RAMADANI 5 – Kur bëhet fjalë për një duel në mesfushë, Ramadani del i fituar. Vrapon shumë, por pika më e dobët, loja me topin. Shumë pasime të gabuara dhe kontroll jo i mirë. Larg Ramadanit që jemi mësuar. Një neglizhim edhe te lojtari që goditi nga larg dhe shënoi golin.

ASANI 5 – Dha shkëndija në pjesën e parë, por ashtu si Hoxha, u ndal shpesh me faulle nga rivali. Është një lojtar i cili godet nga larg, por vetëm një herë e tentoi. Nuk ishte ndeshja e tij. (Spahiu 72’, pa notë)

BAJRAMI 5 – Pasimet mëse të sakta, por vetëm horizontal dhe të parrezikshme. E nisi si “10” pas Manajt, ndërsa pasi Hoxha u zëvendësua, spostohet në krah. Ndeshje nën nivelin e tij. Pritej më shumë nga një lojtar me cilësitë e tij. (Uzuni 81’, pa notë)

MANAJ 5 – Dukej sikur të gjithë energjitë i shpenzoi me Ukrainën. U mbulua mirë nga mbrojtja hermetike e kundërshtarit. Nuk rrezikoi asnjë moment. (Seferi 72’, pa notë)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"