Notat e skuadrave/ Njhuni me formacionin më të mirë dhe më të dobët të javës së 13-të të Superiores
Notat e skuadrave sipas “Panorama Sport”, si dhe formacioni më i mirë dhe më i dobët i javës së 13-të në elitën e futbollit shqiptar: NOTAT E SKUADRAVE
PARTIZANI 8.5 – Provë pjekurie e kaluar me sukses nga ana e Partizanit. Përballë një kundërshtari në formë si Dinamos, skuadra e trajnerit Veselinoviç diti të menaxhojë situatat kyçe të derbit dhe në fund arriti qëllimin për të shkuar te fitorja.
TIRANA 8 – Një reagim ndoshta më i mirë nga sa mund të pritej pas asaj situate delikate që po kalonte dhe ndryshimit në stol. Tirana fiton bindshëm në fushën asnjanëse të Durrësit, me 4 gola të shënuar, duke përfituar edhe nga një Bylis apatik.
VLLAZNIA 6.5 – Barazimi në fushën e kampionëve në fuqi duhet marrë në konsideratë dhe trajneri Brdariç e pohoi publikisht. Pas një pjese të parë të vuajtur, Vllaznia tregoi karakter në Rrogozhinë, duke e përmbysur situatën dhe duke iu afruar shumë fitores.
ELBASANI 6.5 – Ndeshje e mirë për elbasanasit në transfertën e Laçit, edhe pse pësuan gol që në fillim. Skuadra e Bordin vinte nga një disfatë e rëndë me Dinamon dhe gjeti forca për të përballuar Laçin, madje mund të kishte marrë më shumë se një pikë.
SKËNDERBEU 6.5 – Një Skënderbe pragmatist ai i “Niko Dovanës”, që shfrytëzoi hapësirat që la kundërshtari për të shënuar golin e avantazhit. Më pas u mbrojt me fanatizëm për të mos dalë pa pikë nga kjo transfertë, ku vinte pas dy humbjeve radhazi.
EGNATIA 6 – Një pjesë e parë shumë e mirë për rrogozhinasit, të cilët kaluan në avantazh që në sekondat e para dhe i patën rastet për ta “vrarë” ndeshjen, por nuk arritën. Në të dytën, pas pësimit të golit, u duk sikur ranë në panik dhe vuajtën presionin e Vllaznisë.
LAÇI 6 – Vazhdon momenti i mirë për kurbinasit, të cilët nuk humbasin me trajnerin Moriero në stol Por këtë herë, ndryshe nga ndeshjet e mëparshme me Vllazninë dhe Egnatian në shtëpi, Laçi u vu në vështirësi nga Elbasani dhe doli me vetëm 1 pikë.
DINAMO 5 – I kishte mundësitë për të dalë pa humbje nga derbi me Partizanin, por skuadra e Dajës nuk diti të shfrytëzonte mundësitë që iu krijuan në zonën kundërshtare. Një element ky që të ndëshkon në ndeshje të tilla dhe blutë e vuajtën.
TEUTA 4.5 – Pëson gol shumë lehtë dhe më pas shpërdoron shumë raste po kaq lehtë. Durrsakët duket se kanë humbur besimin në vetvete, duke u futur në një krizë rezultatesh. Me Skënderbeun ishte nga ato ndeshje që duhej fituar, por Teuta nuk pati forcë për ta bërë këtë gjë.
BYLISI 3.5 – Asgjë pozitive për Bylisin përballë Tiranës, edhe pse kishte favorin të luante në fushë asnjanëse. Skuadra e trajnerit Nevil Dede u shfaq e shpërfytyruar krejtësisht dhe mund të pësonte më shumë se 4 gola. Ndryshim drastik nga ndeshjet e mëparshme.PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"