“Nuk bëmë ndonjë gjë të madhe, ishte mënyra e duhur për autokritikën”/ Spahiu: Në Kukës doli Besa e vërtetë!
Barazimet e fundit, në Shijak dhe veçmas ai ndaj Vorës, sollën një rokadë në krye të tabelës duke e spostuar Besën në vendin e tretë. Veçanërisht barazimi ndaj Vorës, aq i kontestuar nga stafi e tifozët, solli pritshmëri e kuriozitet të madh mbi atë çfarë do të ndodhte në Kukës, aq sa drejt qytetit verilindor udhëtuan edhe dhjetëra ultras verdhezi.
Tashmë dihet reagimi i të besuarve të Mirel Josës, teksa shkatërruan Kukësin thellë e pastër, 5-0. Një ndër lojtarët më të mirë në fushë, ishte padyshim mesfushori me tipare sulmuese, Ermir Spahiu, i cili për “Panorama Sport” tregohet modest teksa deklaron se lojtarët thjesht bënë detyrën, atë që pritej. “Pas dy barazimeve, sidomos ai ndaj Vorës ku Besës iu vodh fitorja, ishim koshientë të gjithë se fitorja mbetej detyrim për ne në Kukës. Gjykoj se nuk bëmë ndonjë gjë të madhe, thjesht bëmë atë që pritej. Rezultati? Për mua nuk është ai i pari, por loja, dominimi total i Besës dhe kthimi me fitore. Ishte autokritika jonë më e mirë dhe mesazhi për këdo, që pas dy barazimeve u lëkund disi besimi. Kjo është Besa e vërtetë dhe ne i kemi të gjitha aftësitë, dëshirën, grupin, trajnerin e presidentin për të vijuar drejt objektivit madhor, që mbetet Superiorja”, u shpreh fillimisht Spahiu.
Dueli me Flamurtarin
Pas kësaj fitore, Besa do të presë të martën ekipin kryesues të Kategorisë së Parë, Flamurtarin. Madje, të dy ekipet do të ndeshen 2 herë brenda pak kohësh, fillimisht në Rrogozhinë për kampionat e më pas edhe për turin e dytë të Kupës. Për Ermir Spahiun, ky duel është reklama e vërtetë e Kategorisë së Parë dhe nostalgji për ata tifozë të Besës e Flamurtarit. “Në Kategorinë e Parë, padyshim Besa dhe Flamurtari janë dy ekipet që kanë bërë më shumë histori në Superiore. Do ta quaja pa frikë ndeshje reklamë e Kategorisë së Parë, pasi do të ndeshen dy shkolla futbolli të denja për njëra-tjetrën.
Ndryshimi i vetëm qëndron në 3 pikë diferencë, pasi në të tjerat jemi plotësisht të barabartë. Natyrisht që është herët deri të martën, por di t’u them se do të jetë përballje e bukur, e fortë dhe e paparashikueshme deri në minutën e 90-të”, përfundoi 21—vjeçari i Besës. Përballja e së martës mes Besës dhe Flamurtarit është edhe një provë mes stafeve teknike dhe drejtuesve, për të vlerësuar se cili klub ka bërë afrimet më të spikatura në merkaton e verës.
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"