“Nuk duhet ta pranojmë humbjen me Çekinë”, Duro analizon kuqezinjtë: Uzuni e Muçi pranë formacionit, por me sa di unë…
Trajneri i njohur Shpëtim Duro, beson se Shqipëria mund të kthehet në një pretendente serioze për të marrë vendin e parë në grupon e Ligës së Kombeve vetëm nëse kalon me sukses sfidën ndaj Çekisë këtë fundjavë.
Duke folur në ”Sport Nëws’ në ”News 24’, tekniku ka zbërthyer lojën e kuqezinjve, duke u ndalur në elementë të veçantë dhe duke treguar bindjen që ka se Silvinjo nuk do të bëj eksperimente të tjera. Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, Duro ka insistuar se ekipi kuqezi nuk duhet të pranojë humbjen ndaj Çekisë, për vetë objektivat dhe formën që po kalon nën drejtimin e Silvinjos.
Profesor, beson te magjia e këtij stadiumi? Do jetë full ndaj Çekisë, mund të sjellë presion, nuk na trajtuan mirë në Pragë…
Çështja e kombëtares është gjithmonë e ndjeshme, sidomos në këtë impiant. Dihet që do jetë i mbushur plot e përplot. Kjo është një anë pozitive për mbështetjen e kombëtares. Dihet që presioni është i madh, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e ekipit tonë përfaqësues.
Mendon se kemi nxjerrë mësime nga ajo sfidë? Çfarë duhet të bëjmë ndryshe? Na goditën aty ku mendonim se ishim më të fortë, në zemër të mbrojtjes…
Çdo ndeshje ka historinë e vet. Ajo ndeshje nuk ishte përgatitur mirë, sidomos në fillim, ndaj një kundërshtari shumë solid, shumë serioz. U ndëshkuam qysh në momentet e para dhe nuk patëm forcë reaguese. Kjo është ndeshje tjetër. Bëhet fjalë për dy skuadra që jemi pretendentë për vendin e parë, ndaj një rivali tejet të fortë. Le të jemi realistë. Parashikoj ndeshjen shumë të vështirë. Çekia, pavarësisht luhatjeve, është një kundërshtar i një niveli të lartë europian. Por, dhe ne kemi një ekip jashtëzakonisht cilësor dhe shpresoj të përsërisim atë që kemi bërë sezonin e kaluar.
Të shqetësojnë dëmtimet? Gjimshiti-Kumbulla në mbrojtje, Broja, Manaj, Daku në sulm… Cilat mungesa do të peshojnë më shumë?
Në skuadrën kombëtare, secili futbollist ka vlerat e veta. Është një moment që kemi shumë mungesa. Kjo është një “sëmundje” që duket edhe te skuadrat e tjera. Edhe Çekia ka mungesa. Dy mungesa të rëndësishme janë Gjimshiti dhe…Manaj. Gjimshiti është një nga pika më të forta të Atalantës dhe kombëtares tonë. Fati i keq që u bë 2-3 ndeshje, që nuk po luan. Manaj ishte në formë në ndeshjet e fundit me kombëtaren, ai është një mungesë e rëndësishme, duke mos anashkaluar edhe emrat që thatë ju.
Profesor, në shijet tuaja, kush duhet të luajë në qendër të sulmit? Ose cili do të ishte tredhëmbëshi juaj ideal për ndeshjen kundër Çekisë?
Nuk pres ndryshime. I referohem ndeshjes ndaj Gjeorgjisë që luajtën mjaft mirë. Mesa di unë, është po ai formacion, nuk kemi mungesa. Si kandidat të mundshëm momentalisht shumë afër formacionit shikoj Muçin dhe Uzunin. I referohem formës së tyre.
Profesor, Fakaj më tha një ditë më parë se Uzuni është viktimë e skemës, jep më të mirën si sulmues i dytë. Ju si mendoni, e kemi ne këtë luks të sakrifikojmë një lojtar si Uzuni? Është legjionari më në formë. I njëjti diskutim dhe për Muçin, vuan rivalitetin e Bajramit…
Unë thashë që këta dy lojtarë janë pranë formacionit. Është e vërtetë që Uzuni luan në të gjitha pozicionet e sulmit. Më efektiv është në qendër të sulmit, se është afër portës. Ai luan mirë me skemën 3-5-2, por mund të luajë edhe sulmues i parë. Është çështje zgjedhje. Sa i takon Muçit, kam konsideratë për potencialin dhe nivelin që ka. Bëhet fjalë për një lojtar që po tregon veten te Beshiktash dhe ndihmon shumë ekipin tonë kombëtar. Unë mendoj se ai duhet të jetë gjithmonë në ekipin tonë kombëtar. Është lojtar që zgjidh shumë situata në momente të veçanta, sikurse e kemi parë te Beshiktashi së fundmi.
Nuk është në kushte perfekte as Asllani, po vuan shumë presionin edhe në Milano këtë periudhë. Kemi në një plan B pa Asllanin?
Ka plan B. Asllani është pikë e fortë, sidomos në ndeshjet e fundit. Ne kemi Laçin, kemi Ramadanin, kemi Bajramin dhe Muçi në krahun e majtë. Pra, kemi disa alternativa, për skema të ndryshme.
Në fund, profesor, dua një parashikim logjik për sfidën me Çekinë dhe në çfarë vendi e mbyllim grupin?
Kam folur me superlativa për ekipin tonë kombëtar që kur erdhi Silvinjo .Që kur erdhi ky trajner, thashë që tekniku matet me rezultatet. Luajtëm në mënyrë dinjitoze në Europian dhe tani në Nations League, jemi në garë për vendin e parë. Kemi patur 3 ekipe të forta në grup. Unë them se me Çekinë fitorja do ishte ideale, por duke patur parasysh ambientin, humbjen nuk duhet ta pranojmë. Barazimi do ishte rezultat i pranueshëm. Nëse fitojmë, jemi serioz për vendin e parë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"