Nuk e ka provuar shijen e humbjes, Veselinoviç po kap kulmin e karrierës te “demat e kuq”
Aleksandar Veselinoviç mbetet trajneri i vetëm në Kategorinë Superiore që nuk e ka provuar shijen e humbjes, statistikë e cila u vendos pas fitores së Partizanit në derbin me Dinamon, ku ra edhe “kalaja” e Ilir Dajës. 54-vjeçari serb e ka drejtuar Partizanin në 11 ndeshjet e fundit në kampionat, ku “demat” kanë marrë 6 fitore dhe 5 barazime, me golavarazh pozitiv, 16- 8.
Nga 11 ndeshje nën drejtimin e trajnerit Veselinoviç, vetëm në një rast Partizani nuk ka shënuar gol, pikërisht në derbin me Tiranën që u mbyll në shifrat 0- 0. 21 janë pikët që kanë fituar “demat” e kuq nën drejtimin e trajnerit serb, ose e thënë ndryshe 1.91 pikë për ndeshje. Mesatarja e pikëve të fituara në krye të Partizanit, është më e larta për Veselinoviçin në karrierën së tij si trajner.
Pra, 54- vjeçari serb me këtë ecuri po kap kulmin e karrierës së tij si trajner. Kur ka qenë trajner i Suduvës, mesataren e pikëve e ka pasur 1.8 pikë për ndeshje. 1.67 pikë për ndeshje ka qenë mesatarja si trajner i Vojvodinës kur e drejtoi për herë të parë.
Te klubi serb i Spartakut mesataren e ka pasur 1.63 pikë për ndeshje, ndërsa në eksperiencën e dytë me Vojvodinën shkoi në 1.07 pikë për ndeshje. Te Çukariçki pati një rritje në 1.82 pikë për ndeshje, për të ardhur në zbritje kur karriera e tij vijoi në futbollin arab. Për herë të parë te Al Dhafra mesatarja ishte 1.14 pikë për ndeshje, ndërsa për herë të dytë dështoi me 0.45 pikë për ndeshje. Me Al Batin, mesatarja shkoi në 1.33 pikë për ndeshje.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"