“Nuk ‘fus hundët’ në punët e trajnerit”. Idrizi: Eleminimi i Flamurtarit në Kupë, dështim dhe kambanë alarmi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2024 | 10:06

“Nuk ‘fus hundët’ në punët e trajnerit”. Idrizi: Eleminimi i Flamurtarit në Kupë, dështim dhe kambanë alarmi

Sinan Idrizi e cilëson dështim eliminimin e Flamurtarit nga Kupa e Shqipërisë dhe një kambanë alarmi, se te Flamurtari gjërat nuk shkojnë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, administratori Idrizi thotë se nuk ndërhyn në formacion, por kërkon nga drejtori Ferko që të pyes trajnerin Agostineli, se përse nuk aktivizohen lojtarët që erdhën në verë si blerje të rëndësishme.

-900-0-1721029838xandrea-agostinelli-dhe-sinan-idrizi-213

Idrizi kërkon nga tifozët të jenë të duruar, ndërsa thekson se për momentin nuk ka çështje trajneri.

Flamurtari u eliminua nga Kupa, nuk e kishte detyrim skuadra? 

Detyrim është çdo gjë për ne. Çdo ndeshje që luhet është detyrim. Unë nuk e pashë sfidën se jam në Turq, por rezultati ishte një dështim. Nuk dua ta ekzagjeroj ndeshjen e Kupës, por është një kambanë alarmi, pasi disa gjëra nuk shkojnë. Këtu është gjithë problemi.

Do të ndërmerrni masa pas kësaj që ndodhi në Kupë?

Masa jo. Pse do të ketë masa? Është një ndeshje që gjithë ekipi e humbi. E fituan me zotësi ata të tjerët dhe kaq.

Në rregull, por u eliminuat nga një rival direkt si Besa apo jo…?

Nuk ka asnjë të keqe kjo. Fituan me futboll të pastër më thanë ata që e panë. Unë nuk e di. Një ndeshje që ishte luajtur bukur, përgëzime, urime atyre dhe kaq.

Luajtën edhe lojtarë të stolit, që ju i kërkuat për t’u aktivizuar…?

Shiko, të kuptojmë një gjë të qartë fare. Nuk kërkoj që të futen lojtarë që dua unë. Në fund fare, për ato vendos trajneri. Unë kur them dua koordinim midis drejtorit sportiv dhe trajnerit, them midis strukturave të klubit. Unë nuk ‘fus hundët’ në punët e trajnerit. Unë dua të di për lojtarët që më kanë kërkuar në korrik e gusht si lojtarë të rëndësishëm, pse nuk luajnë te Flamurtari. Unë këtë ia kërkoj drejtorit sportiv. Ai ka detyrë t’ia kërkoj trajnerit të më kthej përgjigje. Unë nuk kam pse flas me trajnerin për këto gjëra. Unë trajnerin e përgëzoj, e uroj që ka bërë një punë të mirë dhe kaq. Kjo është një pjesë tjetër. Unë nuk e di kush ka luajtur dhe kush nuk ka luajtur. Formacionin e pashë kush ka luajtur. Pashë edhe komentet e tifozëve vlonjat, por Flamurtari nuk është një klub që vendos në bazë të emocioneve të momentit të ndeshjes.

Duket se tifozët janë sërish kundër trajnerit, me çfarë shkruajnë në rrjetet sociale. Keni një koment?

Unë ju bëj thirrje të jenë më të duruar. S’mund të hedhim tani poshtë punën e trajnerit. Të gjithë pas ndeshjes bëhen trajnerë, para takimit vetëm ky. U bëjë thirrje të jenë më të duruar. Nuk e kuptoj këtë furinë e tri ndeshjeve të fundit. Unë i pari e kritikova për një gjë që nuk pashë, miqësisht. Nuk mendoj se është trajneri për këto që nuk shkojnë te ne tani. Flamurtari nuk ka problem trajneri deri në këto momente. U eliminuam nga Kupa nuk është ndonjë kiamet i madh. Dëshirën e kishim të vazhdonim, por përpara kemi këtë gjënë tjetër.

Çfarë duhet të bëjë skuadra në vazhdim?

Duhet gjetur ndonjë e mesme “e artë”. Është ajo që të çon përpara, midis punës që ka bërë ekipi dhe trajneri, investimet e klubit dhe të tjerat si këto, por dhe dëshirat e tifozëve. Unë jam vetë tifoz në rastin konkret dhe nuk flas më si drejtues i Flamurtarit, po si tifoz. E dua Flamurtarin në Superiore dhe kaq.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"