“Nuk i lëmë asgjë rastësisë kundër Egnatias”, kapiteni Kotobelli: Teuta vazhdon aty ku e la, s’ndalemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2024 | 9:00

“Nuk i lëmë asgjë rastësisë kundër Egnatias”, kapiteni Kotobelli: Teuta vazhdon aty ku e la, s’ndalemi

Në vigjilje të ndeshjes të sotme kundër Egnatias, kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli, ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”, ku shpreh besimin për rezultat pozitiv edhe ndaj kampionëve në fuqi. Mbrojtësi shprehet se skuadra durrsake është në një moment të mirë dhe kërkon pikët maksimale, ashtu si ndaj Tiranës.

KOTOBELLI

Kotobelli, pas fitores me Tiranën ndesheni me Egnatian në transfertë. Si shkoni në këtë sfidë?

Fitorja ndaj Tiranës na shërbeu shumë nga ana psikologjike, për më tepër që zhvilluam një ndeshje të mirë. Për fat të mirë arritëm të fitonim, por nuk kemi bërë asgjë. Do të shohim përpara, sepse kemi një kalendar të ngjeshur. Ajo fitore na bëri që ta përgatisim ndeshjen ndaj Egantias me të qetë dhe shpresoj të vazhdojmë me ketë ritëm. Nuk i kemi lënë asgjë rastësisë, pasi përballë kemi një ekip shumë të mirë. Ndeshjen do të mundohemi ta zgjidhim shpejt, pa bërë gabime në mbrojtje. Jemi me moral të lartë, kemi kualitete në skuadër dhe do të tentojmë maksimumin.

Pretendoni vetëm fitore në këtë ndeshje, apo do ta pranonit edhe një barazim?

Me Egnatian do të jetë një ndeshje e fort, ku një trepikësh i mundshëm na ndihmon shumë për vazhdimësinë. Shpresoj të vazhdojmë aty ku e lamë me Tiranën. Kohët e fundit kemi bërë ndeshje të mira, prandaj dhe jemi në vend të 5-të. Të gjithë çunat janë në formë dhe ka optimizëm. Ne duam fitoren, pastaj është fusha që vendos.

Çfarë ndryshoi te kjo Teutë, që në 3 javët e fundit ka marrë 7 pikë?

Ne jemi një ekip që kemi ecur përpara si grup dhe besoj kështu do të vazhdojmë. Nuk kemi një lojtar që na bën ta humbasim, apo ta fitojmë ndeshjen. Kemi kualitet në mbrojtje dhe në sulm për të bërë më shumë. Teuta është një skuadër me vlera, thjesht javët e fundit jemi shprehur më mirë.

Deri ku mund të shkojë Teuta këtë sezon?

Për objektivin përfundimtar nuk mund të bëj parashikime, por e sigurt është se duhet të luftojmë fort për t’u ngjitur sa me lart në renditje. Tani fokusi është tek Egnatia, që do të jetë një ndeshje tepër e vështirë, por edhe e bukur besoj.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"