“Nuk kam humbur asnjë derbi kryeqyteti”, Ardit Hila: Dua dy trofetë, nuk u mendova fare për Tiranën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2022 | 11:53

“Nuk kam humbur asnjë derbi kryeqyteti”, Ardit Hila: Dua dy trofetë, nuk u mendova fare për Tiranën!

Ardit Hila është i bindur që Tirana mbron titullin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ishmesfushori i Partizanit, Kukësit dhe skuadrave të tjera të Superiores dhe ekipeve kosovare, flet përse zgjodhi bardheblutë. Lojtari sezonin e fundit është aktivizuar me Kukësin, duke qenë në fushë 21 takime, shënuar një gol dhe luajtur 1533 minuta. Vlera e lojtarit është 200 mijë euro, ndërsa nga ana tjetër, Hila është aktivizuar me Elbasanin, Teutën, Partizanin, Prishtinën, Gjilanin dhe Kukësin. Lojtari është një njohje e vjetër e Superiores dhe e kampionatit kosovar.

ARDIT HILA

Keni luajtur për disa skuadra në Superiore dhe Kosovë. Përse vendosët të firmosnit me Tiranën?

Nuk e pata shumë të vështirë të zgjidhja dhe të firmosja me Tiranën. Dihet që bardheblutë janë skuadra me më shumë trofe në Shqipëri. Një plus më shumë ishte fakti që Tirana është skuadra kampione në fuqi. Sa erdhi nuk thashë jo dy herë.

Ju vini në një vit ku kanë ndodhur lëvizje të mëdha. Si e shihni Tiranën këtë sezon. Mund ta mbrojë titullin kampion?

Është fillimi i kampionatit. Ne kemi lënë disa pikë me disa ekipe në këto javë. Tej të tjerave, skuadra më duket shumë mirë. Me të gjitha skuadrat që kemi luajtur, i kemi dominuar në fushën e lojës. Madje, edhe me dhjetë vetë. Shpresoj dhe besoj që do t’ia dalim të mbrojmë titullin kampion. E dimë që është e vështirë, por të gjitha mundësitë i kemi, sepse kemi një skuadër të kompletuar dhe do të dalim kampionë sërish.

Ju keni fituar si me Partizanin dhe Tiranën, derbin. Si është të jesh në fushë me dy ekipet?

Është e vërtetë që kam fituar me të dyja skuadrat ndaj njëra-tjetrës, sepse i kam veshur fanellat e secilës. Personalisht nuk kam humbur asnjë derbi deri tani. Kam luajtur në të dyja skuadrat si me Partizanin dhe Tiranën. Është ndjenjë e veçantë si me njërën dhe tjetrën skuadër në fushën e lojës. Janë histori të ndryshme. Një ndjenjë e veçantë të luash në të dy krahët dhe të mos humbasësh.

ARDIT HILA 2

Keni shënuar ndeshjen e parë të Kupës me Veleçikun. Kërkoni ta përsërisni edhe këtë sfidë?

Tirana është Tirana. Lufton për të dy trofetë dhe këtë do ta bëjmë edhe këtë sezon. Ne si lojtarë do të bëjmë maksimumin në fushën e lojës. Do të luajmë me të gjitha ekipet me seriozitet. Në çdo ndeshje do të shfaqemi të tillë, si kampionë dhe do të tregojmë forcën tonë në fushë, paçka cili është kundërshtari. Sa për golin në Kupë, shpresoj ta përsëris edhe në ndeshjen e dytë.

Në fundjavë Bylisi, një kundërshtar që duhet vlerësuar. Tirana duhet të fitojë medoemos që të mos humbasë kontaktin me kreun?

Bylisi është ekip i fortë. Është paraqitur shumë mirë në këtë kampionat, për aq sa javë janë luajtur. Ama ne shkojmë të fitojmë në Ballsh. Synimi ynë është tri pikët, asgjë tjetër…

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"