“Objektivi është Kupa dhe kampionati”, Fagu para ndeshjes me Kukësin: Uroj ta mbyllim për 90 minuta se vjen derbi
Erbim Fagu mendon se Tirana ka forcën e duhur për të kthyer ndeshjen me Kukësin në Kupën e Shqipërisë. Verilindorët i mundën në sfidën e parë gjysmëfinale me shifrat 2-0 dhe në një javë ku luhet edhe derbi i kryeqytetit, Fagu shpreson që skuadra e tij të kthejë gjithçka në favorin e vet dhe sigurojë finalen.
“Koha ka qenë e shkurtër për shkak të ndeshjes së kampionatit. Por ne kemi punuar në këto ditë që kemi pasur në dispozicion për të përgatitur këtë sfidë. Janë dy gola për t’u përmbysur, skuadra ka besim të plotë te vetja për të bërë një përmbysje pasi dihet që është në lojë një trofe dhe jemi vetëm një ndeshje larg finales. Do të jetë e vështirë se Kukësi ka komod rezultatin, por kemi lojtarë me eksperiencë që kanë luajtur ndeshje të tilla përpara, kanë kaluar skuadra të tilla dhe do të bëjmë maksimumin për të kaluar në finale.
Mendoj se do të jetë i njëjti Kukës se ata kanë krijuar një filozofi të tyre loje dhe mendoj se nuk do të ketë shumë ndryshime të mëdha në mënyrën e lojës. Por mbetet për t’u parë në ndeshjen e nesërme.
Kemi tre ndeshje që nuk pësojmë dhe kjo të kënaq. Kjo vjen si pasojë e anës psikologjike që mbase është rregulluar kohët e fundit. Po ashtu edhe pjesa e mbrojtjes ka pasur stabilitet më të madh. Mendoj se do të na hyjë në punë edhe ditën e nesërme kjo frymë e pozitivitet të lojtarët se e kemi vuajtur disi. Shpresoj të vazhdojmë edhe nesër me këto ritme.
Situata është e mirë, është pozitive. Mund të them se momentalisht jemi të fokusuar 100% te ndeshja e nesërme, nuk mendojmë as për Partizanin e as për “Final Four”. Komplet fokusi është te ndeshja e Kupës të cilën duam ta kalojmë me sukses. Pas kësaj ndeshje duhet të mendojmë për të tjerat. Latifi është kthyer javën e fundit, ka 3-4 seanca stërvitore/ Mbetet për t’u parë edhe sot. Nëse ai do të jetë i gatshëm për të luajtur nga fillimi, sigurisht do ta përdorim.
Çështja e aksioneve? Nuk mendoj se kjo ka lidhje të drejtpërdrejtë me lojtarët, janë çështje të klubi. Nuk e mendoj fare këtë pjesë. Lojtarët janë të qetë, janë gjëra që i përkasin klubit dhe presidentit. Ne vazhdojmë të jemi të fokusuar te fusha e lojës. Shpresoj që kjo situatë të zgjidhet, për të mirën e klubit por për momentin, jemi të përqendruar vetëm te ndeshja.
Najdovski është një lojtar i rëndësishëm i skuadrës. Në momentin që unë kam ardhur, ai ka qenë i dëmtuar dhe ka pasur një fazë rikuperimi pak të gjatë. Sigurisht do i vijë edhe atij momenti për të luajtur pasi është lojtar me eksperiencë që i bën punë skuadrës tonë. Por duke parë vendosjen taktike dhe lojtarët që kemi vendosur në ndeshjet e fundit, kemi menduar të vazhdojmë me këtë rreshtim. Por e thashë që është një pjesë e rëndësishme e Tiranës dhe sigurisht edhe ai do të jetë titullar në ndeshjet në vijim.
Objektivat nuk është se janë vendosur kur erdha unë, por në fillim të sezonit. Por duke qenë që unë erdha në ndeshje çerekfinale, objektivi ishte Kupa dhe kampionati. Jemi ku jemi, do të japim maksimumin për të arritur në finale.
Duke parë edhe situatën me derbin, shpresoj shumë ta mbyllim brenda 90 minutave. Do të jetë e vështirë brenda 90, apo 120 minutave. Patjetër është e vështirë. Ajo që më intereson më shumë është të kualifikohem në finale, pastaj pjesa tjetër, kemi kohë për të menduar për Partizanin”, tha Fagu para mediave.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"