“Objektivi jonë është ngjitja në Superiore”, trajneri Bubeqi: Në çdo ndeshje do të luajmë për pikët maksimale
Trajneri i Kastriotit, Dorjan Bubeqi, u shfaq i lumtur, për triumfin 2-1 që skuadra e tij arriti në Fushë-Krujë ndaj Lushnjës. Në analizën e bërë pas ndeshjes, tekniku kavajas, ndër të tjera deklaroi:
“Të rëndësishme në futboll janë pikët. Ato të mbajnë në garë. Kryesore është dëshira dhe shpirti i garës që ekipi tregoi. Kemi mundësi të reagojmë në çdo ndeshje.
Komplimentet i meriton ekipi, ata bëjnë aktrimin në fushë. Ne japim direktivat. Në çdo ndeshje do të rrezikoj për të fituar. Kjo gjë më ndodhi negative në Pogradec, e doja atë fitoren. Sot duke bërë zëvendësimet e duhura, duke i bllokuar Lushnjës pikat e forta në mesfushë, ia arritëm. Pjesa e parë ishte për t’u harruar. Ndikoi trysnia e pikëve. Dolëm jashtë logjikës së lojës tonë, filluam të luanim me topa të gjatë, që ne nuk e kemi aplikuar.
Zëvendësimet e kryera në pjesën e dytë, sollën atë që prisnim, fitoren. Ne kemi si objektiv ngjitjen. Por i kam thënë klubit, që na ka dënuar fillimi i stërvitjes vonë. Avash avash do të arrijmë objektivin që të jemi pretendetë kryesor për ngjitjen në Superiore.
Kam më shumë alternativa në sulm se në mbrojtje. Do të luftojmë më shumë për të fituar, sesa të mbrohemi që në minutat e para. Kapllanin e fus pa problem në formacion. Kemi Berishën që hyri në pjesën e dytë. Kemi një lojtar me ngjyrë. Alternativat e fazës sulmuese janë të mëdha. Në çdo ndeshje do të shkojmë për pikët maksimale, pavarësisht se kundër cilit ekip do të luajmë”, u shpreh Bubeqi për emisionin “Super Gol” në RTSH.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"