Pse Duka s’ndërhyri për Cikalleshin dhe si u injorua ana morale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2024 | 21:42

Pse Duka s’ndërhyri për Cikalleshin dhe si u injorua ana morale

NGA ARSEN HOXHA

Në vlerësimin e disa prej lojtarëve të ekipit kombëtar, fisnikëria mungoi. Ana teknike u vendos mbi moralin dhe presidenti Armand Duka s’duhet ta kishte lejuar këtë. Vlerësimi që zoti Duka i bën punës së Sokol Cikalleshit duke thënë: “Ai ka kontribuar shumë për Kombëtaren dhe mund të ishte pjesë e Europianit”, tregon se në aspektin moral e drejta është në anën e sulmuesit, por është e pakuptimtë se çfarë e pengoi presidentin që këtë të drejtë ta çonte në vendin e duhur?!

1703755276_fshfsylvinhoarmandoduka

Drejtuesit e FSHF-së nuk duhet të ndërhyjnë në zgjedhjet e trajnerit për hartimin e listës së lojtarëve, sepse kjo është e drejtë e tij. Mirëpo, që zgjedhja të bëhet sa më e pranueshme, ana teknike duhet të jetë e ndërthurur gjithmonë me anën morale. Është detyrë e presidentit që të ruaj këto ekuilibra. Ai kurrë nuk duhet të lejojë që në vendimmarrjet e vartësve të tij, të cenohet ana morale e futbollistëve, arbitrave dhe gjithë kuadrit drejtues në klube dhe vetë FSHF-në.

Ana morale duhet të jetë mbi atë teknike. Ne rastin konkret, jo vetëm ndaj Cikalleshit është vepruar gabim, por edhe me Uzunin e Baren. Në një ndeshje vendimtare bëhet i pranueshëm prioriteti teknik. Ndeshjet në Gjermani nuk janë të tilla. Asnjë ndeshje për ne s’është jetike dhe e varur nga aktivizimi ose jo i një lojtari. Duka bëri një krahasim për Brojën dhe Cikalleshin, por ai është njohës shumë i mirë i nivelit të çdo lojtari të ekipit kombëtar. Ai e di shumë mirë se Broja është një lojtar i nivelit të lartë, por që për arsye shëndetësore dhe të tjera enigmatike, aktivizimi i tij në ekipin Kombëtar ka qenë i kufizuar.

Niveli aktual i Cikalleshit është nën atë të Brojës dhe çdo paralelizëm apo krahasim që bëhet është vetëm një tentativë e zotit Duka për të krijuar iluzione te sportdashësit që nuk kanë nivelin e duhur kulturor për të kuptuar thelbin e këtij krahasimi jo të goditur. Nëse pranojmë se niveli aktual i Cikalleshit afërsisht është i barabartë me lojtarët në fundlistën e Silvinjos, që praktikisht mendoj se nuk do t’u krijohet mundësia të aktivizohen në ato tri ndeshje, zoti Duka krahasimin e Cikalleshit nuk duhet ta bënte me Brojën, por me emrin e lojtarit që Silvinjo e ka të fundit në listën e tij.

Në këtë këndvështrim, përgjigja nga çdo sportdashës që mund të pyesësh do të ishte krejt ndryshe nga ajo e Dukës. Pa hezitim të gjithë do të thoshin se më mirë në këtë listë të ishin Cikalleshi, Uzuni dhe Bare, që kontribuuan shumë në suksesin e ekipit Kombëtar dhe që këtë vlerësim moral e meritojnë plotësisht, sesa vendosja në listë e tre lojtarëve të perspektives në përgjithësi, për të cilët historia hapet ditën që do të fillojnë përgatitjet për eliminatoret e Kupës së Botës.

Kur Duka thotë se në vlerësimin e Silvinjos është Broja më i mirë se Cikalleshi, atij nuk duhet t’i ngelet hatri nëse mjaft të tjerë mendojnë se mbi anën teknike, në ballë të punës se saj, FSHF-ja dhe veçanërisht një president tepër i fuqishëm si Duka, duhet të vërë anën morale mbi atë teknike. Ekipi kombëtar ka bërë përmirësime të mëdha, por jo të mjaftueshme. Dy ndeshjet e fundit eliminatore, veçanërisht ajo me Moldavinë, janë fakt i pamohueshëm për të bërë një vlerësim sa më të drejtë të nivelit dhe pretendimeve të ekipit tonë.

MUNGESË VLERËSIMI – Duke marrë shkas nga ky rast, mendoj se Komiteti i FSHF-së duhet të analizojë tepër seriozisht mënyrën e trajtimit moral të ish-futbollistëve, trajnerëve, arbitrave dhe të gjithë pjesëtarëve. Ditën që ata ndërpresin marrëdhëniet me klubet përkatëse apo FSHF-në, humbasin një të drejtë legjitime morale.

Ata zyrtarisht nuk mund të futen më nëpër stadiume pa qenë të pajisur me një biletë?! Është pikërisht ky shkaku, ku pjesa dërrmuese e ishfutbollistëve largohen përfundimisht nga stadiumet ku kaluan një jetë të tërë dhe nuk kthehen më. FSHF-ja, kategorinë e mësipërme duhet ta pajisi me një dokument të veçantë, ku ata të gëzojnë të drejtën të futen pa pagesë, jo vetëm në stadiumet e qyteteve të tyre, por edhe kudo në qytetet e tjera ku ata ndodhen.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"