Kohë për reflektime në volejboll, nga numri i të huajve te Kombëtaret

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2024 | 16:59

Kohë për reflektime në volejboll, nga numri i të huajve te Kombëtaret

Është mbyllur sezoni sport iv në volejbollin e të rriturve në Shqipëri dhe tashmë është koha për disa reflektime dhe analiza për atë çka ndodhi dhe për atë çfarë pritet të ndodhë. Ka qenë një sezon në përgjithësi pozitiv, me një luftë sportive deri diku të pranueshme, me një spektator që me gjithë përpjekjet e organizatorëve mezi po afrohet në sallat sportive, ku përjashtim bën vetëm Korça. Janë shpallur fituesit e të gjitha garave, të cilët i kanë merituar plotësisht trofetë e fituar.

801d1a4f-deb2-453e-a9cb-d87165fd4b97

 

E veçanta e këtij sezoni ishte se patëm një bum importesh me lojtarë të huaj në Superligën e volejbollit shqiptar, ku respektivisht te femrat u aktivizuan: Skënderbeu 6 lojtare me pasaporte të huaj, Tirana 5 lojtare, Partizani 3 lojtare, Vllaznia 3 lojtare dhe Pogradeci 3 lojtare, me një total prej 20 lojtaresh të huaja. Te meshkujt: Partizani 6 lojtarë, Tirana 4 lojtarë, Erzeni 3 lojtarë, Vllaznia 1 lojtar, Studenti 4 lojtarë, Skënderbeu 1 lojtar, Teuta 1 lojtar, për një total prej 20 lojtarësh të huaj. Pra, gjithsej u aktivizuan përgjatë këtij sezoni 40 lojtarë të huaj, në kampionatet e femrave të përqendruara në 5 skuadra nga 8 gjithsej dhe te meshkujt të përqendruar në 7 skuadra nga 8 ekipet e kampionatit.

b43a8b27-932c-41c5-aa19-3dbcdd458fab

Pra, në një total prej 16 ekipesh meshkujsh dhe femrash bashkë me nga 14 lojtarë që duhet të paraqitet çdo skuadër në maksimumin e saj zyrtarisht për një ndeshje (theksojmë këtu faktin se ka patur ekipe që janë paraqitur për ndeshje edhe me 8, 9 apo 10 lojtarë) 40 prej tyre ishin lojtarë të huaj. Do ishte shume interesante të dinim edhe një statistikë të cilën mund të na e ofrojë Federata Shqiptare e Volejbollit, se sa për qind ka qenë aktivizimi i këtyre lojtarëve dhe sa pikë kanë shënuar për të arritur në një konkluzion final për rolin e tyre në këto kampionate. Por gjithashtu, edhe për të ditur se cili ka qenë roli dhe sa të domosdoshëm kanë rezultuar edhe lojtarët Shqiptarë të aktivizuar gjatë këtij edicioni.

Të gjithë këtë përmbledhje shifrash, të cilat nuk të lejojnë të gabosh, po e sjell në vëmendje të opinionit publik, por në veçanti të atyre që drejtojnë këtë organizim për të kuptuar nëse ky import lojtarësh të huaj i ka bërë mirë apo keq volejbollit kombëtar…

Prej mëse dy vitesh tashmë, FSHV-ja ka bërë një projekt në bashkëpunim me Federatën Italiane të Volejbollit, ku shumë prej trajnerëve tanë, relativisht të rinj në moshë, po shkojnë vazhdimisht pranë ekipeve kombëtare italiane sa herë që ato kanë grumbullime, për të përfituar eksperiencë në një nga shtetet më të përparuara në trajningun e lojës së volejbollit, siç është vendi fqinj. I gjithë opinioni i volejbollit shqiptar e ka mirëpritur këtë projekt dhe unë personalisht e kam quajtur si punën më të mirë që ka mundur të bëjë FSHV-ja gjatë këtyre viteve në drejtim të kualifikimit të stafeve teknike të volejbollit shqiptar.

Por mendoj se tashmë i ka ardhur koha që edhe vetë FSHV-ja të hedhë sytë nga mënyra e organizimit të ekipeve kombëtare italiane dhe për të ilustruar këtë marr shkas nga grumbullimi i fundit i ekipeve kombëtare të femrave dhe meshkujve të Italisë. Italia ka kthyer në drejtim të ekipit kombëtar të femrave, megjithëse në një moshë relativisht të thyer 73 vjeç, një emër shumë të njohur te volejbollit italian dhe atij botëror siç është Julio Velasco, i cili ka marrë për ndihmës të tij 3 emra shumë të njohur, kampionë të mëdhenj si lojtarë dhe si trajnerë, trajnerë aktualë klubesh të volejbollit italian siç janë Massimo Barbolini, Lorenzo Bernardi dhe Juan Manuel Cichello. Ka grumbulluar për procesin stërvitor 30 volejbolliste me një ndarje ku 4 janë pasuese, 4 janë libero dhe pjesa tjetër janë shutere. Po kështu edhe te meshkujt, Ferdinando De Giorgi, 63-vjeçar, si trajner i parë ka grumbulluar edhe ai rreth vetes një staf me shumë trajnerë më të rinj në moshë, ku edhe në këtë kombëtare janë hapur dyert dhe janë thirrur për tu stërvitur 30 lojtarë italianë.

Për të qenë më të qartë për ata që lexojnë, ekipi kombëtar i volejbollit të femrave të Shqipërisë ka rreth 7-8 vite që nuk ka bërë asnjë pjesëmarrje në kompeticionet ndërkombëtare. Dikur u tha që kishim edhe në drejtim të ekipit kombëtar një trajner italian, të cilin askush nuk e pa dhe askush s’mori vesh se çfarë bëri me këtë skuadër?! Po kështu edhe ekipi kombëtar i meshkujve grumbullimin e fundit e ka patur qe nga gushti i vitit 2022.

Mendoj që ka ardhur koha që në frymën e një bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirjeje të madhe, të rikonceptohet ekipi kombëtar i volejbollit të femrave dhe pse jo edhe ai i meshkujve me të njëjtën frymë. Nëse do të humbim akoma kohë do të bëhet edhe më e vështirë seleksionimi dhe gjetja e elementeve kualitativë të volejbollit vendës, duke marrë në konsideratë edhe shifrat e importit të lojtarëve të huaj, për të cilët kam përshtypjen se klubet tona, të shtyrë drejt kampionatizmit, do të vazhdojnë të harxhojnë kohë, para dhe vëmendje, duke lenë mënjanë dhe pothuajse pa vëmendje vajzat dhe djemtë shqiptarë.

Unë s’jam nga ata që mendoj se nuk duhet të ketë lojtarë të huaj në kampionatet tona, por kjo s’do të thotë qe në të mos kemi ekipe kombëtare. Nëse do të ketë një diskutim për kufizimin e lojtarëve të huaj në kampionatet tona me qëllimin e krijimit të hapësirave më të mëdha të lojtarëve vendës, atëherë në këtë këndvështrim duhet të jenë jo më shumë sesa 2 lojtarë të huaj të aktivizuar gjatë një ndeshje volejbolli për Superligë.

Natyrisht që për të zhvilluar një projekt të qëndrueshëm duhen edhe para dhe FSHV-ja është një federatë me shumë pak fonde në dispozicion, por sikur vetëm taksat që ka mbledhur këtë vit për 40 lojtarët e huaj të përdoreshin për një grumbullim 5-6 ditor të ekipeve kombëtare për të rritur e të rritura, mendoj se do të ishte të paktën një rikthim moral në dobi të volejbollit vendas.

Në opinionin tim volejbolli shqiptar ka ende shumë trajnerë të mirë, me një eksperiencë të madhe, si brenda dhe jashtë vendit, prej të cilëve mund të përfitohet shumë, sepse njohin, prekin dhe stërvitin çdo ditë volejbollistët shqiptarë. Duke u bashkëngjitur këtyre eksperiencave edhe brezin e ri të trajnerëve, të cilët po kualifikohen, mendoj që duhet bërë një tentativë për të krijuar një staf gjithëpërfshirës. Një staf që fillimisht të merret me verifikimin e gjendjes së lojtarëve që aktivizohen në kampionatin shqiptar, duke iu bashkuar edhe vajzat e djemtë qe aktivizohen jashtë vendit, të cilët në disa raste luajnë në nivele shumë të larta nëpër botë. Pra, të ndërtohet një strategji afatmesme dhe afatgjatë për rikthimin e ekipeve kombëtare të volejbollit në arenën ndërkombëtare.

*Dr, specialist volejbolli, ish trajner i ekipit kombëtar

ARTAN POGONI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"