Asambleistë të KOKSH-it ku jeni?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2023 | 19:13

Asambleistë të KOKSH-it ku jeni?!

Nga ARTAN SHYTI

OKSH-i bleu e shpërndau vjet miliona dollarë materiale sportive për basketbollin dhe volejbollin e fëmijëve të shkollave. Lajmet thonë që po bën të njëjtën gjë edhe sivjet. Përtej aludimeve, akuzave të hapura për shpenzimin e këtyre parave publike, të cilat nuk janë objekt i këtij artikulli, por mirë është që të hetohen e vërtetohen, ajo që të bën më shumë përshtypje është një fakt tjetër shumë shqetësues. KOKSH-i është një organizatë sportive kolegjiale.

Artan-Shyti

Ai drejtohet nga organi i tij më i lartë, që është Asambleja e Përgjithshme, e cila përbëhet nga përfaqësues të të gjitha federatave olimpike dhe jo olimpike në Shqipëri. Vendimi Qeverisë Nr 870, i datës 30.12.2021, që i akordon KOKSH-it këto para, herën e parë thotë, tekstualisht, në pikën 3: .

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), brenda muajit janar 2022, të paraqesë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit projektin e detajuar dhe të miratuar nga Asambleja e KOKSHit, duke identifikuar të gjitha aktivitetet/produktet e projektit, kohëzgjatjen e zbatimit të projektit, federatat dhe organizmat e tjerë përfitues nga projekti.

Projekti duhet të jetë i kostuar me të gjithë produktet/zërat analitikë të shpenzimeve, në përputhje me klasifikimin ekonomik buxhetor të tyre. Pra Asambleja e Përgjithshme duhet të ketë miratuar në janar 2022 ato që kërkon vendimi i qeverisë.

E njëjta gjë duhej bërë nga Asambleja e Përgjithshme e KOKSH-it edhe në janar 2023 për paratë e këtij viti. Pyetja është: Si ka mundësi që këta përfaqësues të të gjithë federatave janë dakord që një buxhet që është sa 5-fishi i të gjitha parave publike që ata marrin nga shteti për gjithë federatat që drejtojnë, të shkojë, me miratimin e tyre, vetëm për dy sporte?!

Si ka mundësi që gjithë federatat të votojnë harxhimin e këtyre miliona dollarëve vetëm për dy sporte dhe të mos kërkojnë që të përfitojnë edhe fëmijët e federatave të tjera, që këta përfaqësues drejtojnë?!

Nëse përfaqësuesit e gjithë sporteve në Shqipëri kanë miratuar që milionat e dollarëve të shkojnë vetëm për fëmijët e dy sporteve, jashtë dhe në shkelje të misionit të KOKSH-it, atëherë ata nuk meritojnë të jenë përfaqësues të sporteve të tjera, si të zgjedhur për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e këtyre sporteve ne Asamblenë e KOKSH-it. Nëse nuk i kanë pyetur fare si anëtarë vendimmarrës të Asamblesë së KOKSH-it, sepse nuk janë mbledhur në janar 2022 dhe janar 2023 për të miratuar harxhimin e këtyre parave, atëherë ky është një skandal edhe më i madh. Në të dy rastet, ata qofshin që e durojnë një turp të tillë!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"