“Warum weinen Sie?”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2024 | 23:15

“Warum weinen Sie?”

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Është historik një editorial i Anton Mazrekut, i 60 viteve më parë në “Sporti Shqiptar”, më 3 tetor 1936. Mazreku është i pari dhe i vetmi gazetar shqiptar si i dërguar special në një Olimpiadë. Dhe nuk dua ta komentoj mendimin e lartë të Mazrekut. Dua të citoj vetëm këto radhë:

“…Kur flamujt e të pesë kontinenteve tundeshin në erë të gëzuar e faqebardhë afër njëri-tjetrit, atmosfera e evenimentit të pashoq m’i lagu mollëzat e faqeve me dy pika lot. Dy pika e jo më tepër, po të mjaftueshme për t’ia tërhequr vërejtjen e një biondeje të ndodhur rastësisht pranë meje. Gjermania, e tëra bionde: bionde në leshra, bionde në sytë, bionde në veshje, bionde dhe në zë po të duash, nuk ndenji dot pa më pyetur: ‘Warum weinen Sie?’ (‘Pse qani?’). Nuk mori përgjigjen e vërtetë. Po e merr sot: ‘Nuk jemi duke u përgatitur si duhet në fushën sportive’.

Anton Mazreku e ka titulluar editorialin e tij “Mësimi i valëvitjes së flamurit tonë në Olimpiadën e Berlinit”. E pas 60 viteve unë s’kam të drejtë të kërkoj analogjinë. Është tejet larg. Aq më tepër që tash flamuri ynë valëvitet në Olimpiadë. Në ceremoninë e mbylljes që zhvillohet pasnesër në Atlanta, drejtuesit e delegacionit tonë kanë vendosur që atë ta mbajë sportisti shqiptar që arriti rezultatin më të mirë, peshëngritësi Ilir Suli, i cili u rendit i 14-ti me rekord kombëtar.

Shtetet e tjerë, natyrisht jo të gjithë, do t’ua blatojnë flamurin e tyre kombëtar kampionëve e nënkampionëve olimpikë të sapo shpallur… E Shqipëria sportistit që zuri vendin e 14-të?! E pra, a ka një histori të mirëfilltë olimpike Shqipëria? Këtij etydi i kam dhënë titullin “Shqiptarët dhe Shqipëria në Olimpiada?”.

Duket si kakofoni. Po në të vërtetë janë dy gjëra të ndryshme. Se shqiptarët tashmë janë në Olimpiadë, Shqipëria ende jo! Sepse shqiptarët kanë fituar në olimpiadat, ndërsa Shqipëria ende jo! Madje qysh në historinë e lashtë… Në të 287 olimpiadat e lashtësisë gjen edhe kampionë olimpikë prej shqiptarëve të atëhershëm. Në Olimpiadën e 66-të, në vitin 516 para erës së re, qytetari Kleosten nga Epidamni ka fituar të artën në garën me kuadriga (karrocë me 4 kuaj).

Ai është kampion edhe në pesëgarësh së bashku me Milonin e Krotonës, Timasitheon e Delfit e Tskyrosin e Himarës. Në Olimpiadën e 70-të, në vitin 500 para erës së re, Meneptolemi i Apolonisë është kampion historik në garat e fëmijëve. Ndërsa në Olimpiadën e 77- të të vitit 472, Aigiasi i Epidamnit është kampion olimpik në garën e vrapimit me armatim.

Është spektakolare fitorja e titullit olimpik në Olimpiadën e 109-të në vitin 344 nga i Iliri Arybasi, sepse arrihet në një garë që të bën nder të madh sportiv: pesëgarëshin. Mbi 200 vjet më vonë, më 123 para erës së sonë, në Olimpiadën e 161-të një tjetër Ilir, Antipatri i bën historisë sonë një nder edhe më të madh kur fiton në vrapim.

Të gjithë këtë histori e gjen të detajuar te libri “Lojërat Olimpike në Greqinë e Lashtë” – “The Olimpic games in ancient Greece” 1982, të cilin kam patur fatin të më dhuronte sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Greqisë. Është një kryevepër! Në të është agjenda e gjithë kampionëve olimpikë të lashtësisë. Dhe aty kam gjetur edhe shqiptarët e vjetër, dukuri historike që provon një traditë, një kulturë, një vokacion…

Kësisoj, shqiptarët janë në Olimpiadë. Me sa duket nesër a pasnesër do të kemi rastin të shohim në televizion një finale shqiptare të markës gjermane. Luan Krasniqi, një shqiptar “puro sangue” i Kosovës, nënkampion i Botës, kërkon medaljen e artë në botë, nën flamurin e Gjermanisë. Ky është informacioni më i fundit për praninë e shqiptarëve në lartësinë e Olimpiadës. Dhe tjetër histori është prania e Shqipërisë në Olimpiadë.

Deri më sot asnjëherë Shqipëria nuk është ngjitur në një podium olimpik. Edhe rasti sensacional i Ymer Pampurit të madh është vetëm rekord olimpik, jo titull apo medalje olimpike. Dhe për fat, kësaj radhe më 1996, pjesëmarrja ishte thuajse e dobët. Madje edhe prej asaj që quhet Mirela Manjani, një talent i madh i atletikës shqiptare. Na mbetet kësisoj të merremi me historinë shqiptare në Olimpiadë dhe jo me historinë e Shqipërisë në Olimpiadë.

Më 1960 shqiptari Fahredin Jusufi, një nga futbollistët më të mëdhenj të Europës, është kampion olimpik në Romë me Jugosllavinë. (Sqarim i mëvonshëm: nuk është shqiptar, por nga Dragashi i Zubrin Potokut të Kosovës). Më 1980 Shaban Sejdiu fiton bronzin në 74 kg të mundjes së lirë. Mandej, kur vjen viti olimpik 1984, shqiptarët rrëmbejnë 3 medalje.

Shaban Tërshana është kampioni i parë olimpik i kombësisë shqiptare në stilin e 52kg të mundjes së lirë. Shaban Sejdiu, shqiptari tjetër, në 74kg përsërit bronzin e 80-tës. Me të është dhe çasti historik i Azis Salihut në boks (+91 kg) ku ai është medalist i bronztë.

Katër vjet më vonë, më 1988 në Seul, Shaban Tërstena, kampioni olimpik i Los Anxhelosit, fiton argjendin po në 52kg! Të gjithë këta shqiptarë autentikë garojnë nën flamurin e Jugosllavisë për arsyet historike që dihen. Ata kudo pohojnë shqiptarësinë e tyre, madje me krenari të hapët e tejet burrërore. Pas 4 vjetëve historia shqiptare e Olimpiadës çel një kapitull tjetër.

Në majë të Olimpit ngjitet një shqiptar, kësaj radhe i përgatitur e formuar si peshëngritës i nivelit europian bash në Shqipëri: Pirro Dhima i Greqisë në peshën 83 kg. Dhe papritmas Olimpiada e Atlantës ka një shpërthim të plotë shqiptar nën ngjyrat e flamurit të Greqisë: Pirro Dhima, përsëri kampion olimpik, Luan Shabani dhe Lorenc Goga nënkampionë olimpikë: ari e argjendi i zbuluar në “minierën shqiptare” ndrit flamurin e Greqisë…

Nesër, ose pasnesër, do të ndjekim me emocion shqiptarin Luan Krasniqi të Gjermanisë. Nuk ia vlen megjithatë të diskutosh gjatë më për këto. Ata që e kanë ndjekur me vëmendje Olimpiadën u njohën edhe me fakte të shumtë nga vendet e tjera, të sportistëve që kanë ndërruar nënshtetësinë dhe tashmë garojnë për një komb e shtet tjetër. Madje kur fitojnë medaljen e artë e mbështjellin gjithë trupin e tyre me flamurin e ri kombëtar, të cilit i falen përulësisht!

Paradoksi i kohëve moderne? Ndoshta… Pas gjithë kësaj historie të pabesueshme, del qartë që ka një histori shqiptare në olimpiada, por mungon ajo tjetra, historia e Shqipërisë në Olimpiadat! Ky është realiteti! Atëherë, si i bëhet që historia shqiptare olimpike të shndërrohet në histori olimpike e Shqipërisë? Mënyra më e shpejtë do të ishte që Pirro Dhima, Luan Shabani, Lorenc Goga, e të tjerë të ktheheshin në Shqipëri, ne t’iu krijonim kushtet që kërkojnë dhe në Olimpiadat e ardhshme ata të përfaqësonin Shqipërinë. Dhe jo vetëm ata, por edhe Luan Krasniqi e të tjerë shqiptarë të jashtë kufijve shtetërorë. Mos është pak si utopike?

Ka dhe një mënyrë tjetër: që tash e mbrapa të punojmë së mbari që edhe Shqipëria të ketë kampionin e saj olimpik, apo të paktën olimpistë të denjë pretendentë. Dihet sepse nuk është vetëm Shqipëria që nuk ka të tillë, janë më shumë se gjysma e shteteve anëtare të CIO. Po a mund të themi se ishim përgatitur mirë për Olimpiadën? Nuk di nëse është e vërtetë, por diku mësova se Mirela Manjani nuk ka trajner në qëndrimin e saj në SHBA gjatë gjithë kësaj kohe. A thua?

E ky do të ishte fakti i fakteve, madje historik, që parashtron gjithë domethënien e pjesëmarrjes së Shqipërisë. Vitin që vjen janë Lojërat e Mesdheut, këtu afër në Bari të Italisë. Një rast i mrekullueshëm për të patur një synim, një perspektivë për ta bërë të pranishme me dinjitet Shqipërinë edhe në Olimpiadat. Për Lojërat e Barit ende nuk është biseduar te ne. Jemi vonë. Duhet mbledhur e diskutuar me urgjencë. Kush do ta bëjë këtë?

Të gjithë ne së bashku. Dhe kurrë disa individë a tipa të cilët lirinë e fushën e madhe të veprimit që ua krijoi hapësira demokratike, e përdorin vetëm për përfitime personale. Olimpistët e mëdhenj projektohen në laboratorin e shkencës sportive shumë kohë përpara, madje vite përpara. Pirro Dhima e Luan Shabani në të vërtetë janë projektuar qysh 10 vite më parë në palestrat e Tiranës e të Elbasanit. Dhe bënë për Greqinë historinë e madhe shqiptare në Olimpiada…

Është bash kjo histori që të bën optimist për të pretenduar edhe atë tjetrën, historinë e Shqipërisë në Olimpiada, natyrisht për të shkuar përtej valëvitjes së një flamuri, siç ëndërronte Anton Mazreku 60 vite më parë, kur biondina gjermane e pyeti: “Warum weinen Sie? Pse qani?”. Shqiptarët tashmë janë edhe ata në Olimpin e Olimpiadës. Por, ne duam të shohim atje vetë Shqipërinë. Ndoshta nuk do të mbetet ëndërr…

SHËNIM I AUTORIT: Ky shkrim është botuar 28 vite më parë, 2 gusht 1996, në gazetën “Sporti Shqiptar”, në ditët e Olimpiadës “ATLANTA 1996”. Për fat të keq, siç kuptohet në okielon që autori i ka vënë ribotimit të këtij shkrimi, ndonëse kanë kaluar 28 vite, ky shkrim mbetet gjithnjë aktual. Ai dëshiron që në këto ditë të Olimpiadës “Paris 2024”, pra pas 28 viteve, ky shkrim të bjerë poshtë. Çka mund ta realizojë vetëm fitimi i medaljes së parë olimpike të Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"