Opinion nga Besnik Dizdari/ Dështim i madh i kampionatit të Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2024 | 23:10

Opinion nga Besnik Dizdari/ Dështim i madh i kampionatit të Shqipërisë

NGA BESNIK DIZDARI

Finalja-e-Superkupes-Partizani-Egnatia-9-scaled-1-2048x1152

E shihni që nuk po titullohet “Dështimi i madh i Vllaznisë, i SK Tiranës apo i Egnatias”. Se në të vërtetë ky dështim i madh, i tyre është. Por jo, jo! Është dështimi i madh i nivelit të ulët të kampionatit kombëtar të Shqipërisë. Pjesë e të cilit pra, janë edhe tri dështimet e freskëta të 3 prej 4 klubeve pjesëmarrëse të Shqipërisë në Kupat e Europës 2024-2025.

U eliminua kampionia Egnatia. U eliminua e treta e kampionatit, Vllaznia e Shkodrës, madje me rezultat të papamë katastrofik, 0-4 në fushën e vetë. U eliminua e famshmja jonë Tirana, e cila nuk ishte e zonja për 87 minuta të paktën të barazonte. U kualifikua vetëm nënkampioni Partizani. Dhe në mbrëmjen e së enjtes më shpërthyen kujtimet…

Kujtime që kishin të bënin deri me skuadra eprore të futbollit europian: Norkoping e Suedisë, Këln i Gjermanisë, Kilmarnok i Skocisë, Torino e Italisë, Standard i Belgjikës, Ajaks i Holandës, Atvidaberg i Suedisë. Dhe vetëm një tjetër, Spartak i Plovdivit, mbase nuk ishte e këtij rangu, ndonëse asokohe Bullgaria përjetonte një zhvillim të papamë të futbollit të saj. Dhe asnjë nga këto skuadra krejt të bujshme nuk mundën të fitonin në Tiranë. Kanë qenë këto ndeshje të shekullit të shkuar, të nja 60 a 50 vjet më parë:

Kupa e Kampioneve të Europës – 12 shtator 1962:

PARTIZANI-NORKOPING I SUEDISË 1-1

Kupa e Kampioneve të Europës – 11 shtator 1963:

PARTIZANI-SPARTAK PLOVDIV I BULLGARISË 1-0

Kupa e Kampioneve të Europës – 9 shtator 1964:

PARTIZANI-KËLN i GJERMANISË 0-0

Kupa e Kampioneve të Europës – 6 shtator 1964:

17 NENTORI-KILMARNOK I SKOCISË 0-0

Kupa e Kupave të Europës – 18 shtator 1968:

PARTIZANI-TORINO I ITALISË 1-0

Kupa e Kampioneve të Europës – 1 tetor 1969:

17 NËNTORI-STANDARD LIEGE I BELGJIKËS 1-1

Kupa e Kupave të Europës – 2 shtator 1970:

PARTIZANI-ATVIDABERG I SUEDISË 2-0

Kupa e Kampioneve të Europës – 16 shtator 1970:

17 NËNTORI-AJAKSI AMSTERDAMIT TË HOLANDËS 2-2

Për një çast, të enjten në mbrëmje i flaka tej dhe iu ktheva ndeshjeve eliminuese të Shqipërisë të këtij korriku 2024. Gati më vinte të buçisja me shprehjen: “Turp e faqja e zezë!”. A thua është e tepërt kjo? Ato ishin:

BORAC BANJA LUKA-EGNATIA 1-0 e 1-2 (1-4 me 11- m)!

VALUR REIKJAVIKVLLAZNIA 2-2 e 0-4!

TORPEDO KUTAISISK TIRANA 1-1 e 0-1!

Natyrisht të gjitha me pikë çuditëse. Dhe pyeta veten: Si ka mundësi që më 26 gusht 1962 në qytetin Norrköping (Norçeping) të Suedisë me ndeshjen IFK Norrköping – Partizani 2-0 për Kupën e Kampioneve të Europës kampionia e Shqipërisë ka rezistuar në atë ndeshje të 26 gushtit 1962 (dhe kjo është dita përuruese e futbollit shqiptar në arenën e klubeve të Europës) 0-0 deri në minurtën e 55? E mbas dy javëve në ndeshjen e kthimit në Tiranë, ajo arrin 1-1- shin e paharrueshëm, çka kishte befasuar Europën e futbollit e cila pyeste:

Si kishte qenë e mundur që Shqipëria të kishte vonuar kësisoj të merrte pjesë në garat e klubeve? Ndërsa sot brenda në Shkodër kemi 0-4 të Vllaznia-Valur e Islandës së akujve të polit që Shkodra “bujare” “ia shkriu” këto akuj deri në fund. Dhe prapë më shfaqet shekulli i shkuar, viti 1963, kur Partizani fiton 1-2 në Tiranë me kampionen e Bullgarisë, Spartak Plovdiv të Teodor Dievit të madh. Mirëpo, ja që qenka sukses i madh që të enjten e 18 korrikut 2024 Partizani fitoi 1-0 në Maltë me një skuadër krejt të panjohur së cilës nuk ka burrë nane t’ia shqiptojë emrin: Marsaslok, stadiumi i secilës ka një kapacitet prej vetëm 1000 vendesh!

Dhe Partizani ynë i sotëm, dikur i Norkeping, i Këln, i Atvidaberg e të tjerë, i cili ia arrin të fitojë në minutën e 93-të, me një gol kualifikues të cilin mbase VAR-i centimetrave mund edhe të mos e kishte pranuar. Mos qoftë një fitore e Pirros! Ndonëse në fund të fundit, kualifikim është. Kualifikimi i vetëm i katër skuadrave që Shqipëria ka në këtë edicion të Kupave të Europës 2024- 2025.

Prapë kujtimet mia: Pat mbërritur kampioni i parë e Bundesligës, 1 FC Köln i Gjermanisë, me në krye kapitenin e kombëtares, kampionin e Botës (1954), Schaffer dhe kampionin e ardhshëm të Botës, Overah. Dhe Partizani-1 FC Köln 0-0 para 25.000 shikuesve të shtangur në tribunat e gurta të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Ka qenë një 0-0 përtej historisë. Është absolutisht një nga ndeshjet më të mëdha të historisë së futbollit shqiptar.

Çudi e madhe apo jo? Mirëpo, ja që kësaj të enjten në mbrëmje ndodhi Vllaznia-Valur i Islandës 0-4! Vllaznia e Shkodrës, ajo e cila pat fituar 2-0 me Austria të Vjenës vetëm nja dy muaj pasi kombëtarja e Austrisë kishte qenë një ndër 8 më të mirat e Kampionatit Botëror 1978, teksa në Shkodër pat ardhur me nja 6 djem prej 11-shit të saj.

E ndërkaq, ja që të enjten një “e vogël” tjetër, Torpedo e Kutaisit (jo e madhja Torpedo e Moskës) fiton 1-0 në Elbasan me Sportklub Tiranën dhe e eliminon pa mëshirë. E, kjo Sportklub Tirana është 17 Nëntori i Tiranës të cilën më 6 shtator 1965, vetëm 1 gol e ndante nga Kilmarnock i Skocisë: 0-0 në Tiranë dhe 0-1 në Kilmarnock, gol i këtij të fundit vetëm në minutën 76. Është fjala për Kampionen e Skocisë së Britanisë së Madhe që ka shpikë futbollin dhe, jo për “të voglat” Valur e Islandës apo Torpedo e Kuitasit të Gjeorgjisë.

Dhe gjithnjë kujtesa. Ajo më çonte viti “fatal” 1968. Është 18 shtator 1968 me vendngjarje Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës. Kupa e Kupave të Europës. Partizani-Torino e Italisë 1-0! Torino e një vendi si Italia e cila vetëm 3 muaj më parë, saktësisht më 10 qershor 1968, pas dy finaleve dramatike 1-1 dhe 2-0 me Jugosllavinë e Dragan Xhaiçit, ishte shpallur Kampione e Europës.

Ndërsa të enjten e këtij korriku 2024, kemi Egnatian, të cilën e flak tej skuadra serbe e Bosnje Hercegovinës, Borac i Banja Lukës. Me 11- metërsha, dihet.

Gati të gjithë të shuar! Dhe është Borac, e cila nuk është as Sarajevo e as Zelezniçar i Sarajevës – kampione të Jugosllavisë të emrave të tillë të mëdhenj si Fazlagiç, Blazeviç, Musemiç, Katalinski, Hadziabdiç, Hadzibegiç e deri Safet Susiç.

Më 1969, 17 Nëntori i rikthehet Kupës së Kampioneve përballë kampiones së Belgjikës, me një skuadër mbretërore belge Standard i Liezhit me emrin kuptimplotë origjinal “Royal Standard Clubde Liege”, dhe 1-1 i Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa’ Mirëpo, këtë të enjte në mbrëmje kemi SK Tirana (17 Nëntori)-Kutaisi 0-1 brenda në tokën e shqiptare Në çast mu kujtua viti 1970. Partizani-Atvidaberg e Suedisë 2-0 dhe kualifikim.

Mandej ndeshja e madhe 2- 2 me Ajaks i Amsterdamit, legjendari i Kupës së Kampioneve. Ndërsa këtë të mërkurë të korrikut 2024, na mposht një Borac, një Marsaslok, një Kutais, një Valur. Për hir të së vërtetës janë ndër më të vegjlit e Europës.

Nuk mbaronin këtu kujtimet dhe mbeta deri vonë para arkivit tim europian: Vllaznia-Austria e Vjenës 2-0, Partizani-Sëlltik 1-0, Partizani-Malmoe 0-0, Partizani-Austria 1-0, Dinamo– KZ Jena 1-0, Dinamo-Aberdin 0-0, Dinamo-Sporting 0- 0, SK Tirana-Dinamo Bukuresht 1-0 e 2-1, Flamurtari– Barcelona 1-1 e 0-0, Flamurtari-Partizan Beograd 2-0, Flamurtari-Barcelona 1-0, Dinamo-Dinamo Bukuresht 1-0, Dinamo-Olimpik Marseille 0-0, Goteborg-Flamurtari 0-0 e 1-1, Partizani – Fejnord 0-0. Pra jo si sot, këtë të mërkurë e të enjte 2024, kur Shqipëria e 24-shes së Europës, me klubet rrëshqet gati në greminën e futbollit të Europës.

Mbase edhe ngaqë dihet, se kjo Shqipëri e “Gjermani 2024”, nuk i përket aspak kampionatit kombëtar të Shqipërisë. Madje ajo nuk ka patur kurrë dhe nuk ka punë kurrsesi as sot me te. Ajo i përket klubeve të shteteve të Europës, të cilët i kanë lindur e formuar këta lojtarë të racës shqiptare. Edhe një herë: futbolli i tokës së Republikës së Shqipërisë qenka ky, pra:

BORAC BANJA LUKA – EGNATIA 1-0 e 1-2 (1-4 me 11-m)!

VALUR REIKJAVIK – VLLAZNIA 2-2 e 0-4!

TORPEDO KUTAISI – SK TIRANA 1-1 e 0-1!

Këtu kemi mbërritur. E po të doni shkoni te pjesëmarrja e vitit të shkuar të klubeve shqiptare në Kupat e Europës. Pa ndalur te të gjitha 5 eliminimet, ajo ishte edhe e tillë:

PARTIZANI-BATA BORISOV 1-1 e 1-2

ASTANA KAZAKISTAN – PARTIZANI 1-0 e 1-1

LINFILD I.VERIUT– VLLAZNIA 3-1 e 0-1

Kaq më mjafton sepse në dy kualifikime të Partizanit kanë qenë të panjohurat Atletic Escaldese Andorras dhe Valmira e Letonisë. Nuk po dua t’iu rëndoj e të shkoj te një pjesëmarrje më poshtë, tek ajo e 6 eliminimeve të sezonit 2022-2023. Dhe vetëm 1 kualifikim i Laçit me Iskrën modeste të Danilovgradit të Mali të Zi. Në tërësi ky është dështimi i kampionatit kombëtar të Republikës së Shqipërisë, e cila sapo hodhi shortin për stinën 2024-2025.

Prapë me vetëm 10 skuadra! Prapë pa gjysmën e skuadrave të qyteteve tradicionale, ndër më produktivet e talenteve të futbollit shqiptar, Vlorë, Berat, Gjirokastër, Kavajë e tjerë! Po a vërtet do të guxoni që ta mbyllni si sezonin që shkoi me të famshmin “Final 4”? Është ai që pati vetëm deformim të garës. Vetëm shuarje të arritjeve të një viti të tanë gare për hir të finales së njëanshme të kryeqytetit Tiranë.

Çka përveç të tjerave rrëzoi pa mëshirë parashikimin dështak se numri i madh i spektatorëve do të sillte fitime “stratosferike” milionash. Dhe ndodhi që stadiumi qe përgjysmë i mbushur deri edhe në finalen e finaleve, atë PartizaniEgnatia. Kur për vendin e tretë stadiumi thuajse qe bosh.

Një dështim i pafjalë! Vërtet do të guxoni prapë kështu, sikur ta kishit pronë personale Kampionatin e Shqipërisë? E pra, të paktën për kortezi, a keni marrë mendim prej dikujt tjetër jashtë zyrave tuaja? A jeni konsultuar me skuadrat e qyteteve të Shqipërisë?

A përfillni ndopak opinionin publik? Se përsa i përket presidentëve të klubeve e dimë që i keni mbas vetes, përsa kohë ata heshtin në mënyrën më shembullore. Dhe prapë kujtesa, që më përsëritet mëshirë. Tash nëpërmjet emrave të atyre futbollistëve të paharrueshëm të cilët në vitet ’60 nuk lejuan asnjë prej klubeve më të mëdhenj të Europës të fitonin në Tiranë.

Ishin këta 51 djemtë pashlyeshëm të viteve ’60:

Foto ANDONI, Neptun BAJKO, Vladimir BALLUKU, Safet BERISHA, Niko BESPALLA, Sabah BIZI, Pavllo BUKOVIKU, Nuri BYLYKU, Luigj BYTYÇI, Bujar CANI, Iljaz ÇEÇO, Arben ÇELA, Torez ÇIRAKU, Fatbardh DELIALLISI, Perikli DHALES, Fatmir FRASHËRI, Mihal GJIKA, Spiro GJIKA, Tomor GJOKA, Shpëtim HABIBI, Skënder HALILI, Skënder HYKA, Bahri ISHKA, Agim JANKU, Mikel JANKU, Robert JASHARI, Gëzim KASMI, Josif KAZANXHI, Mihallaq KONOMI, Kolec KRAJA, Sulejman MALIQATI, Ali MEMA, Osman MEMA, Bashkim MUHEDINI, Miço NDINI, Panajot PANO, Miço PAPADHOPULLI, Refik RESMJA, Ramazan RRAGAMI, Suvarov SEFERI, Pëllumb SHAQIRI, Tomor SHEHU, Lin SHLLAKU, Gjergji SHULE, Gjergj THAKA, Teodor VASO, Niko XHAÇKA, Gani XHAFA, Andon ZAHO, Astrit ZIU, Medin ZHEGA.

Me trajnerë: Loro BORIÇI, Myslym ALLA, Refik RESMJA. Të gjithë ishin futbollistë që i kishte lindur, rritur e formuar jo Zvicra apo Italia, por Shqipëria, më saktë vetë kampionati kombëtar i Shqipërisë. Ishin protagonistë të futbollit shqiptar, në këtë rast të pjesëmarrjeve të para të pashlyeshme të klubeve shqiptare në Kupat e Europës.

Ata të cilët në gjithë dekadën e viteve ’60 nuk lejuan asnjë klub perëndimor të fitonte në Shqipëri. Në një shkrim të mëvonshëm ndoshta do të ndalem te 50 e mbi kampionatet kombëtare të shteteve të Europës 2023-2024 që kanë përfunduar para nja disa javëve.

Asnjë shtet nuk zhvilloi kampionatin si Shqipëria duke e dhënë titullin kampion përmes zhdukjes së pamëshirshme të mundit të madh të pikëve të një viti të tërë gare, e duke shpallur Kampionen me vetëm 3-4 ndeshje në një stadium të vetëm. Mos e harroni dështimin e madh të Kampionatit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë konfirmuar edhe nga paraqitja në Kupat e Europës 2024-2025.

* Riprodhimi këtij shkrimi dhe i çdo pjese të tij është i rezervuar

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"