E vërteta e “rrëmbimit” të Skënder Halilit dhe Panajot Panos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2024 | 23:28

E vërteta e “rrëmbimit” të Skënder Halilit dhe Panajot Panos

Me folë drejt, nuk ma kishte marrë mendja se ribotimi i shkrimit të rrallë të trajnerit të madh, të paharrueshmit Myslym Alla për Skënder Halilin, do të bënte një përshtypje të veçantë. Ngaqë lexohet jo fort, aq sa të marramendun quhen ata autorë të cilët kujtojnë se me shkrimet e tyre mahnitin Shqipërinë. Ka ra tejet kjo pritshmëri…

aaaa

Ndërkaq, në këtë rast, disi papritmas, më kanë telefonuar e takuar madje, dashamirës të futbollit, më saktë dashamirës të historisë së futbollit tonë. Madje, për fat, edhe të moshave të një brezi disi të ri, brez i cili as nuk i ka parë në fushën e blertë dhe as që ia ka arritur të vlerësojë mjeshtërinë e dyshes Halili-Pano.

Sigurisht shumica e këtyre lexuesve miq janë të një moshe të mesme apo të madhe, tek të cilët nostalgjia për futbollin e dyshes Halili-Pano, nuk rresht. Sidoqoftë, për hir të së vërtetës këta lexues nuk ishin shumë, por mua më mjaftuan që unë t’i rikthehesha kësaj historie.

Si në përgjigje të pyetjeve e mendimeve të tyre, të shfaqura shpesh si në një habitje, pse jo, edhe me mëdyshje për të mësuar sado pak se si bëhej asokohe nën Regjim kalimi i lojtarëve nga një skuadër në tjetrën. Çka në këtë rast na çon te një histori thuajse “antike”, pra sot të zhdukur, absolutisht e papraktikueshme si asokohe. Ky interes më shtyu që të rishkruaja këto radhë, me synim për një njohje më tepër, sidomos për amatorët e sotëm të rinj të futbollit.

E natyrisht edhe për një kujtesë më tepër ndaj respektit për këta futbollistë të mëdhenj, “rrëmbimi” i të cilëve ndali edhe për pak vjet shpërthimin e historisë së madhe të 17 Nëdtorit të viteve ’60. Mbërrijmë kështu te rrëmbimi i Skënder Halilit e Panajot Panos të 17 Nëndorit të Tiranës (sot SK Tirana) prej Dinamos e Partizanit, çka për kapërcyellin 1959-1960 përbën një nga ngjarjet më të rralla të futbollit shqiptar.

Kujtojmë ndërkaq, se çka kishte ndodhur në Kampionatin Kombëtar të vitit 1959. Ishte shpallur Kampion i Shqipërisë, Partizani, por papritmas nënkampion ishte shpallur 17 Nëndori në 11-shin e të cilit spikatnin sidomos dy emra: qendërmbrojtësi Skënder Merja (Halili) dhe qendërsulmuesi Panajot Pano – të dy 19- vjeçarë! 17 Nëndori, – siç i shkruhej emri asokohe, pra me “d”, jo me “t”-në e tosknishtes – nënkampione e Shqipërisë kishte qenë për herë të fundit bukur 15 vjet më parë, në vitin 1945, në duelin e famshëm me Vllazninë e Muhamet Dibrës e të Loro Boriçit.

Ndërkaq, në këtë vit 1959, Dinamo ishte renditur e treta me vetëm 14 pikë, plot 9 pikë larg Partizanit kampion, dhe 5 pikë larg nënkampiones së re 17 Nëndori.

Papritmas Dinamo dukej disi e shkatërruar. 6 dhjetori 1959, Java 14, e fundit, e Kampionatit të vitit 1959, është dita kur për herë të fundit Skënder Halili dhe Panajot Pano do të luanin së bashku një ndeshje nën fanellën e skuadrës së tyre 17 Nëndori, që i kishte zbuluar, formuar dhe rritur. Ishte ndeshja e paharrueshme 17 Nëndori-Besa 4-2.

Ishte një 17 Nëndor i kësaj 11-sheje: Metani, Frashëri, S.Halili, Baçi, Balla, Bylyku, Rada, Çaushi, P.Pano, E.Shehu, Bytyçi. Trajner: Myslim Alla Tre muaj më vonë, në javën e parë të Kampionatit të ri, atij 1960, do të kemi dhe premierat e dy yjeve tiranas nën fanellat e reja: 13 mars 1960 Dinamo-Tomori 2-1 dhe Skënder Halili nën fanellën dinamase dhe 17 mars 1960, 17 Nëndori-Partizani 1-2 dhe Panajot Pano nën fanellën partizanase.

E, ndërsa ndeshja e parë kalon në qetësi, e dyta thuajse shndërrohet në një ndeshjeje revolte. Luhet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” dhe tribunat e tij janë thuajse të egërsuara, teksa Pano, si të ishte një fajtor, do të luante kundër skuadrës së tij, të deri para vetëm 3 muajve. Duhet të hysh në atë kohë, për të kuptuar ato ndjenja. Për shtypin shqiptar ndeshja nuk ka kronikë të përshkruar. Ka vetëm një shkrim, të pamëshirshëm politik me titullin: “Sjellje që s’kanë asgjë të përbashkët me qëndrimin socialist në shoqëri”.

Në qendër është ndeshja 17 Nëndori– Partizani e premierës partizanase të Panos, ku shkrimi në fjalë është i papërmbajtshëm, sidomos kundër Fatmir Frashërit dhe Bedri Stërmasit të 17 Nëndorit. Në të vërtetë kjo ndeshje ishte një lloj mospranimi për rrëmbimet që sapo kishin ndodhur. Mirëpo, assesi Partia nuk mund të duronte që dy klubet e themeluar prej saj, të varfëroheshin asisoji. Dhe mënyra dihej: cenimi i skuadrave të tjera.

Merreni me mend: mbrenda një viti 1959- 1960, skuadrës së Tiranës i rrëmbehen plot 5 lojtarë: Panajot Pano, Skënder Halili, Aurrel Verria, Luigj Bytyçi dhe Eqrem Caslli! Dhe është vërtetë një meritë e jashtëzakonshme që megjithë këtë rrëmbim të rinjsh të talentuar, në Kampionatin e vitit 1960, 17 Nëndori zë vendin e tretë! Cila skuadër mund të rezistonte asisoji, mbasi i ke rrëmbyer pesë yje të saj të 11-shit të parë?…

Dy prej tyre ishin të një shkëlqimi të rrallë: Skënder Halili dhe Panajot Pano. Asokohe u tha se në kulisat e zyrave të Ministrisë së Mbrojtjes po zhvillohej një garë e pamëshirshme, tejet e ndezur, se dhe kujt do t’i takonin këta talente.

Gjeneralë (e aty këtu kujtojnë se këta e kanë bërë sportin shqiptar, teksa i ngrenë në qiell) – ushtarakë të rangjeve më të larta, komandantë e komisarë, kryehetuesa e shefa të Sigurimit, e me sa dukej edhe ministra e nënministra, tifozë të papërmbajtshëm, ish-partizanë, tash me gjoksin plot dekorata, nga ata të cilët mbushnin tribunën qendrore të dy stadiumeve të kryeqytetit, nuk po përmbaheshin.

Publiku i Tiranës ndjehej edhe ai plot gjallëri nga ana e tij. Më në fund, në atë pragvit 1960, me të drejtë tifozët e klubit të vjetër, mbas mbi 20 vitesh, po bindeshin se me lojtarët që kishin, në mënyrë të veçantë me Skënder Halilin dhe Panajot Panon, skuadra e tyre nobël do të mund të rikthehej tek lavdia e harruar e titujve të viteve ’30 të Mbretërisë.

Dhe thuajse ndiheshin kampionë të sigurtë. Madje u fol, se edhe pse ata mund të shkonin ushtarë, kësaj radhe Regjimi nuk do ta prishte 17 Nëndorin, klubin e vjetër e më popullor të kryeqytetit, po dhe të Shqipërisë.

Por të gjitha këto hamendje do të shuheshin në pak ditë të nëntor-dhjetorit 1959, muaj kur në gjithë Shqipërinë bëhej mobilizimi i ushtarëve… Ishte kështu fundi i vitit 1959 dhe atje lart, në zyrat e dy ministrive që qëndronin hijerëndë përballë njëra-tjetrës vetëm në tridhjetë metra largësi, të dukej se dritat mbaheshin ndezur deri vonë edhe për bisedat e nxehta të rrëmbimit të futbollistëve Pano dhe Halili! Dihej, Dinamo e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk kishte forcën e Partizanit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Rregulli i pashkruar, sidomos në këto vite, sikur “urdhëronte” që Dinamo të rrëmbente vetëm ata futbollistë – ushtarë, të cilët i linte skuadra e mirëfilltë ushtarake, që ishte Partizani. Ndonëse kësaj radhe dilema ishte çuditërisht tejet emotive. Në thelb, për shumë arsye, nuk duhej të ndodhte që dy yjet e rinj të mëdhenj të futbollit shqiptar t’i rrëmbente të dy Partizani, i cili ndërkaq, po rrëmbente edhe djem të tjerë nga klubet e tjerë.

Nuk ishte më viti 1946 dhe Ministria e Punëve të Brendshme brenda një dhjetëvjeçari kishte treguar se ishte e zonja të bënte edhe ajo një skuadër si Partizani, madje edhe më të fortë. Kështu mbi Shqipërinë sportive kishte rënë nata ministrore e pamëshirshme dhe arrogante. Mesa dukej, tash kishte vetëm një duel: Halili-Pano, për t’i ndarë një herë e mirë prej 17 Nëndorit të Tiranës dhe për t’i kthyer në kundërshtarë “të rreptë”, duke i veshur kuq e blu apo blu e kuq me dy klubet asokohe politike të Shqipërisë. Kështu u bë: Skënder Halili tashmë do të ishte një dinamas. Panajot Pano tashmë do të ishte një partizanas!…

Duke mbërritur te tregimi i historisë të Kampionatit 1960, ai na thotë se gara për titullin e Kampionit, në të shumtën do të ishte një duel Halili-Pano, një duel që përfundoi me fitoren e të parit, i cili luajti rol prej protagonisti të madh për ta rikthyer Dinamon te titulli mbas një mungese tre vjeçare. Duke e gjykuar sot mbas mbi plot 65 vjetëve, them me bindje të plotë se rrëmbimi i Halilit dhe Panos prej Partizan-Dinamos, nuk mund të konsiderohet si një episod i zakonshëm, pa ndikim.

Ai pati një ndikim të pamatë, të jashtëzakonshëm, jo thjesht sepse pengoi fuqizimin dhe rilindjen e skuadrës së Tiranës, çka do t’i ndërronte rrjedhën Kampionatit, e pse jo, edhe vetë ecurisë dhe zhvillimit të natyrshëm të deri asokohe të futbollit, e madje të vetë sportit të Shqipërisë.

Por sepse ky rrëmbim tregoi se edhe për shumë kohë politika sportive e Shqipërisë nuk do të lëvizte prej konservatorizmit partiak, prej forcës së pafre të një pushteti unik, të paprekshëm, edhe në fushën e sporteve. Nga ana historike, ky rrëmbim i la ndërkaq, gjërat ashtu siç ishin: shpëtoi nga zbehja Partizan-Dinamon, shpalli Kampione të Shqipërisë klubin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e mandej në vazhdën e rrëmbimeve të tjera, do të fuqizonte tejet Partizanin.

Po mbi gjithçka, do të rëndonte edhe më tej politikën e arbitraritetit në sportin komunist shqiptar. Por për të qenë objektiv, këtu ka dhe një përfitim meritor: këta dy klube forcuan tejet mjeshtërinë e këtyre dy yjeve më të ndritshmit e futbollit shqiptar falë kushteve të shkëlqyeshme ata që kishin. Dhe ky qe përfitimi i madh që na dhuroi Partizan-Dinamo: përsosja më tej e mjeshtërisë dhe forcës së dyshes Halili-Pano, ndonëse shumë shpejt, me burgosjen e pamëshirshme të Halilit të pafajshëm, do ta prishte përfundimisht praninë e tyre të përbashkët edhe në Kombëtaren e Shqipërisë. Kjo qe fatkeqësia.

E megjithatë, hap mba hapi, për çudi ky rrëmbim sensacional, nuk do të mund të ndalte deri në skaj të paarsyes një rrugë, një ecuri, një ndryshim që dashtë e pa dashtë, futbolli shqiptar, ndonëse me plot mundime, deri diku do të arrinte.

Do të duheshin edhe nja 4-5 vjet që lëvizja futbollistike shqiptare falë talenteve të pashtershëm, që për çudi ky vend i vogël blatonte me në krye 17 Nëndorin e Tiranës, të trondiste vetë historinë, madje të ndërronte drejtimin e ecurisë së vetë historisë, e për rrjedhojë edhe të vetë gjeopolitikës së futbollit e të vetë sportit shqiptar… Siç e shihni qenkemi në “jubileun” e këtij rrëmbimi. Është jubileu i një 65-vjetori më të rrallë sa s’ka ku shkon. Është jubileu i një rrëmbimi fubollistik krejt origjinal. Kjo është historia.

* Ribotimi është i rezervuar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"