Flamurtari i Vlorës dhe Besa e Kavajës! Vërtet?…
Nga BESNIK DIZDARI
Padyshim që Kampionati Kombëtar i Futbollit i Re publikës së Shqipërisë lidhet me Kampionatin e Kategorisë së Dytë (se e Dytë është). Mbi të gjitha ngaqë përmes marrëdhënieve të tyre ngjiten e zbresin skuadrat. Këtë javë që shkoi Kampionati i Kategorisë së Dytë, të cilin në mënyrë absurde vazhdojnë ta quajnë pavërtetësisht të Parë, u ngjiten dy skuadra të shquara të Shqipërisë: Flamurtari i Vlorës dhe Besa e Kavajës.
Në mos gaboj kjo është hera e parë, më e pakta në dhjetëvjetëshin e fundit, që këto dy skuadra historike të qyteteve ndër më futbollistikë të Shqipërisë, ndodhen së bashku në krye të këtij kampionati. Dhe na del se qysh nga viti 2020 kur nisi jeta e Kategorisë e Dytë për Flamurtarin – për Besën ajo kishte nisur qysh më 2014, çka do të thotë se skuadra e Kavajës ka mbi 10 vjet në Kategorinë e Dytë (rrejshëm e parë) – këto skuadra pra, papritmas shfaqen në krye të këtij Kampionati. Është pikërisht ky fakt që më bëri të titulloj kësisoji: “Flamurtari i Vlorës dhe Besa e Kavajës! Vërtet?…”.
Kjo është një lloj pyetjeje retorike që si gazetar, vetvetiu të mundon. A vërtet do të vazhdojnë të jenë në krye dhe në sezonin e ardhshëm, mbas kaq vitesh, do të kemi midis nesh Flamurtarin e Vlorës dhe Besën e Kavajës, që sa shumë i kanë dhënë futbollit kombëtar? Këtë megjithatë, nuk e di e as nuk e parashikoj. Vetëm shpresoj, ndonëse afër, ngjitur me ta, është edhe një nga skuadrat më të reja që është ajo e Vorës, këtu pranë Tiranës. Ajo së cilës i kanë ndërtuar një stadium të vogël, por tejet piktoresk. Ndërkohë që në stadiumin e skuadrës së Kavajës kullosin delet e ajo prej kushedi sa kohësh nuk luan në qytetin e vet. Kur edhe gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore ajo rregullisht ka luajtur në fushën e saj të Kavajës. Këtu ka mbërritur indiferentizmi i “shoqërisë” futbollistike në Shqipëri, nëse vërtet e kemi sot një të tillë.
E pra, a do të mund të ngjiten në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë, Flamurtari i Vlorës dhe Besa e Kavajës? Ndonëse më parë se kaq, duhet që FSHF-ja të japë një përgjigje tjetër shumë të rëndësishme e problematike. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një mëdyshje që të nxit të kërkosh për të ditur se çka do të ndodhë nëse do të arrijë të ngjitet në Kampionatin Kombëtar skuadra tërheqëse e Vorës.
Kjo ngaqë po të ngjitet skuadra e Vorës, atëherë, nëse ndodh që Sportklub Tirana nuk bie nga kategoria, siç i ndodhi më 2017, me ardhjen e Vorës kjo do të thoshte se Kampionati i Shqipërisë do të ketë 4 skuadra nga i njëjti qytet, që në këtë rast është Tirana. Ndryshe kjo do të thoshte se 40 përqind të skuadrave të Kampionatit do të jenë nga një qytet i vetëm!
Nëse ndodh kjo, atëherë na duhet të pranojmë se Kampionati i Shqiptar do të duket gati si një kampionat lokal i kryeqytetit. E shikoni tash se sa dëm i është bërë Kampionatit të Shqipërisë, duke e lënë 11 vjet me vetëm 10 skuadra? Pa harruar se Kampionati nuk dhuroi asnjë tërheqje nga publiku dhe asnjë rritje të cilësisë së futbollit kombëtar në gjithë këtë dhjetëvjeçar. Janë plot 11 vjet që Kampionati Kombëtar i Shqipërisë zhvillohet me vetëm 10 skuadra.
Janë 11 vjet që për shkak të këtij numri të pakët të skuadrave, më e pakta 5 a 6 qytete tradicionalë kanë rënë lehtësisht në Kategorinë e Dytë. Dhe ruajna zot nëse ndokush mund të shkruajë se “kanë rënë në Kategorinë e Parë”, duke harruar se “Kategori e Parë” është quajtur përmbi 60 vjet Kampionati Kombëtar i Shqipërisë. Ai i vërteti.
Ia kanë vjedhur me dinakëri emërtimin, duke i shkaktuar një çrregullim të paparë edhe historisë së futbollit të Shqipërisë. Flamurtari ra nga kategoria edhe pse ishte midis 9 skuadrave më të mira të vendit. Dhe guxoj të them pa asnjë mëdyshje se arsyeja e parë e rënies së tij është organizimi i Kampionatit me vetëm 10 skuadra. Vetëm mandej vjen arsyeja e dytë që është puna jo e mirë në përforcimin cilësor të tij. E po kështu, jo larg, ranë nga kategoria SK Tirana, thjesht se zuri po vendin e 9-të. Ra edhe Vllaznia thjesht se zuri vendin e 9-të.
Ra edhe Dinamo gjithashtu thjesht ngaqë zuri vendin e 9-të. Pa harruar ndërkaq, se organizatorët pa pikë mëshire kërkojnë të zbresin në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është), jo 1 e 2, por e mundësisht 3 skuadra. Që do të thotë se duan të zbresin 20 e deri në 30 përqind të skuadrave që janë pjesë e kësaj 10-sheje të pafat. Edhe një të tretë pra, ajo që zë vendin e 8-të, kjo përmes një ndeshjeje të tmerrshme rënieje. Nuk ngjet në asnjë vend të Botës. Kujtoj përsëri edhe këtu logjikën kombëtare të drejtuesve të dikurshëm, që kur 17 Nëntori (sot SK Tirana) u rendit e 13-ta në Kampionatin e vitit 1974, nuk ra nga kategoria, por shkoj në ndeshjen shtesë me skuadrën e vendit të dytë të Kategorisë së Dytë, të cilën e mposhti.
Çka do të thotë se 17 Nëntori 1974 nuk ra thjesht ngaqë Kampionati kishte jo 10, por 14 skuadra dhe se rregulli nuk lejonte të binin 20 apo 30 përqind të skuadrave, siç ngjet sot. Nuk po zgjatem, sepse ky argument është konsumuar tejet. Dhe po vazhdoj disi më ndryshe, duke shpresuar se mund të vijnë Flamurtari i Vlorës dhe Besa e Kavajës. Po kush do të zbresë nga 10-shja e famshme e Federatës Shqiptare të Futbollit? Them “e Federatës”, se e saj është. Kjo skemë e 10-shes kësisoji, vështirë të jetë e popullit shqiptar mirëdashës i madh i futbollit. Ajo çka duhet ndjerë si alarm është se kush do të zbresë, pra. Në vendin e 9-të është Skënderbeu i qytetit të Korçës – 8 herë Kampion i Shqipërisë.
Mund të rrezikojë madje, edhe SK Tirana 28 herë Kampione e Shqipërisë, e cila sapo u ngjit në vendin e 7-të me vetëm 2 pikë larg vendit të 9-të që të flakë tej. Kjo do të thotë se vërtet mund të vijnë Flamurtari i Vlorës dhe Besa e Kavajës, por ja që përsëri mund të mos kemi sa e siç duhet në Kampionatin Kombëtar, skuadra të qyteteve më futbollistikë të Shqipërisë. Është pak të thuash se situata është e komplikuar. Në të vërtetë është alarmante. Dhe më vjen në ndihmë historia. Dihet, që historia, ajo e vërteta, jo ajo e rrenave, të ndihmon fort. Në Kampionatin e Shqipërisë të vitit 1955, kanë marrë pjesë 16 skuadra. Një pjesëmarrje që përmban rekordin e rekordeve.
Kryeqyteti Tiranë në këtë 16-she të Kampionatit kishte plot 6 skuadra: Partizani, Dinamo, Puna e Tiranës (SK Tirana e sotme), Luftëtari i Shkollës së Bashkuar “Enver Hoxha”, Kombinati i Tekstileve “Stalin” të Tiranës dhe Spartaku i Tiranës. Çka do të thotë se edhe në këtë rast 40 përqind e skuadrave i përkisnin një qyteti të vetëm, Tiranës. Po aq si sot nëse ngjitet Vora, e nuk zbret bie fjala SK Tirana. Kurrë më te kjo histori me “Enver” e “Stalin”!
Edhe ngaqë ngjitja e skuadrës së Vorës, ashtu si më 1955, mbas bukur 70 vjetëve, do ta çonte Kampionatin e vitit 2025- 2026 të Shekulli XXI po me 40 përqind pronë të kryeqytetit të Tiranës. Çka do të thoshte se më shumë se gjysma e Shqipërisë, madje e qyteteve tradicionale futbollistike, të mbeten jashtë Kampionatit Kombëtar. Shikoni se sa shumë që rrezikoni për ta tronditur deri aty sa s’ka ku shkon më Kampionatin e Shqipërisë. Kur dihet se pa Vlorë e Kavajë, pa Gjirokastër e Berat, pa Fier e Lushnje, Kampionati mpaket tejet, “humbet Nordin” e tij, siç dhe e ka humbur.
Vështroni Javën 13 të tij: Në ndeshjen Dinamo-Partizani ishin vetëm 530 spektatorë! Në atë SK Tirana–Bylis vetëm 25! (fusha e dënuar). Në atë Egnatia-Vllaznia vetëm 500! Në atë Teuta-Skënderbeu vetëm 300 spektatorë! Rroftë pikçuditësja! E shihni se ku keni mbërritur. Dhe përsëri heshtni. Duket se nuk iu bën aspak përshtypje!… E dimë, me të drejtë krenoheni vetëm me Kombëtaren, për rezultatet e larta të së cilës krenohet e gjithë Shqipëria.
Mirëpo, besoj se e dini që Kampionati Kombëtar i përjavshëm i çdo shteti qëndron mbi Kombëtaren. Ngaqë përjavshmëria e tij është një gëzim qytetar, spektakël a shfaqje sublime sportive thuajse e çdo jave të vitit. Ndërsa, ndër ne, për fat, Kampionati Kombëtar, siç e shihni edhe nga shifrat e mësipërme – e i tillë ai është çdo javë – duket si i braktisur nga shqiptarët. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në krejt historinë tonë. Po humbasim futbollin që njihet si “futbolli qytetar”, më saktë i qyteteve. Ka thënë Albert Camus: “Nuk ka një tjetër vend ku njeriu është më i lumtur se sa në një stadium futbolli”.
Kam kaq vite që kërkoj të di përse e kanë bërë Kampionatin me vetëm 10 skuadra. Nuk dua ta besoj variantin, që na thotë se duke qenë kaq pak skuadra, pra vetëm 10, kampionati mbikqyret më lehtë në zotërimin e problematikave të tij, madje edhe ato sociale të “kapriciove” të tij. Ndoshta ka arsye të tjera, që deri më sot nuk i janë thënë publikut…
Dhe “kapaku i florinit”: si heshtin shteti, qeveria, ministria, KOKSH, bashkitë, partitë? Se të gjithë këta, në një mënyrë ose në një tjetër, e kanë për detyrë të ndërhyjnë për të ndaluar kësi shkarjesh që po mbërrijnë deri në braktisjen prej shqiptarëve të Kampionatit të Shqipërisë së tyre.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"