Hysaj dhe Broja, një dukuri televizive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2024 | 18:11

Hysaj dhe Broja, një dukuri televizive

Nga BESNIK DIZDARI
Më ka befasuar televizioni “Klan” që transmeton “Euro 2024”, me dy prej emisioneve të tij për këtë eveniment të madh. Në dy netë ai kishte ftuar në “skenën” e tij dy lojtarë të Kombëtares: Elseid Hysajn dhe Armando Brojën. Nuk kishte gjë më me vlerë. Sepse na dha mundësinë që t’i njohim pak më afër dhe krejt më ndryshe këta dy yje të Kombëtares së Shqipërisë.

MixCollage-02-Jul-2024-06-09-PM-4367

Ata erdhën në dy mbrëmje të ndryshme. Për çudi më dukej sikur e kishin bërë me fjalë që të silleshin njësoj. Modestë, kryeulë pra, të qetë, seriozë, por edhe të qeshur me masë, sa herë që këtë e nxisnin ndërhyrjet e “anëtarëve” që po i quaj “juridikë”, të emisionit.

Dhe çudia tjetër: “analistët” e “talk show”-t në fjalë, mu dukën edhe ata të tjerë, të ndryshëm nga më parë. Kishin flakur tej, si të thuash, rëndesën e tyre, ndërhyrjet shpesh befasuese e pse jo edhe “të ashpra”, si dhe etjen për protagonizëm (për t’u dukur); “kompetencën” e skajshme, e sidomos cilësitë e një tifozërie studiosh. Ndryshe anësinë përmes paraqitjes së vetvetes si tifozë të një shteti tjetër – çka nuk e gjen askund, të paktën këtu përreth nesh. Për fat, kjo është një tifozëri shqiptare e llojit, e përbërë nga analistë të cilët çka nuk janë! Ndoshta janë edhe trajnerë a specialistë futbolli. Po për çudinë e madhe, pra unikale në Europë, janë edhe tifozë, ministra e deputetë, zyrtarë të kategorive të ndryshme e funksionarë të cilët veç me gazetarinë e futbollin nuk kanë të bëjnë asesi. Dhe nuk janë pak, por mesatarisht nja 6 a 8 në secilën e nja 5 a 6 studiove të veçanta televizive. E, duke mbetur këtu rreth nesh, pashë në televizionet publike të Beogradit, Zagrebit e Podgoricës, të cilët me një maturi e modesti të dukshme, nuk kishin më shumë se dy a tre të ftuar në studiot e tyre, kryesisht gazetarë.

Nuk e di se ke imitojmë ne. Madje nuk mund të them se imitojmë, bie fjala, as edhe Italinë, dihet, tejet ndikuese për Shqipërinë, e cila në RAI-n e saj, ndonëse ka edhe ajo nja 7 a 8 të ftuar, por të cilët, që të gjithë janë thjesht gazetarë, e mandej ndonjëri specialist i futbollit. Dhe asnjë ministër a deputet apo funksionarë institucionesh arsimore e shoqërore të Italisë. Kur mendon mandej se këta funksionarë shqiptarë asnjëherë nuk i shohim të shfaqen si “analistë” të problematikës së institucioneve që drejtojnë, atëherë prania e tyre si “komentatorë” të futbollit, natyrisht ua cenon tejet autoritetin.

Mirëpo, ja që për fat, krejt papritmas u shfaq ajo që po e quaj dukuria televizive “Hysaj-Broja”. Për një çast të dukej se këta dy djem të shquar të futbollit, do të rrinin disi të heshtur. Dhe në të vërtetë e kishin këtë cilësi. Po, ndërkaq, dukej se e kuptonin këtë ftesë edhe si një nderim për ta, e duke qëndruar gjithnjë në pritje të ndërhyrjeve të “analistëve”, ata e merrnin fjalën me një kompetencë e butësi shembullore. Asnjë kalim caku të etikës, asnjë vetëmburrje, asnjë insinuatë ndaj trajnerit apo shokëve. Asnjë “revoltë” pra, për se çka iu ngjau në këtë edicion të “Euro 2024”, çka po e prek pak më poshtë. Përkundrazi, qytetarë model të cilët duket qartë se prej sportit ata nuk kanë përvetësuar vetëkënaqësinë e protagonizmin, por thjesht kënaqësinë sportive të kolektivitetit që ky sport nobël të mëkon.

Ia vlen ta falënderosh televizionin në fjalë, që krejt papritmas na shfaqi në ekran jo Hysajn e Brojën e fushës së blertë, por Hysajn e Brojën si njerëz, si qytetarë, të cilët janë të vetëdijshëm për rolin që aftësitë e tyre të jashtëzakonshme, prindërit, familjet e tyre, vetë sporti i futbollit, ua ka mëkuar.

Ata janë yje të vërtetë. Mjafton të kujtojmë karrierën e tyre të pasur. Elseid Hysaj, i lindur si futbollist në tokën e pashtershme të futbollit të Shkodrës, si një lojtar 15-vjeçar i dalë nga rrugicat e qytetit, i inkuadruar me skuadrën “KF Shkodra” të trajnerit Taip Piraniqi – e kësisoj po më pëlqen të them se Piraniqi është zbuluesi i tij. E mandej Hysaj i Italisë së Empolit, Napolit dhe Lacios. Natyrisht edhe i Kombëtares së Shqipërisë.

E mbas tij ja te mbërrin Broja. Ai i cili nuk është prodhim i futbollit shqiptar, por i racës shqiptare, po aq sa dhe qytetar britanik. I lindur në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e së cilës është edhe toka e ndritshme e futbollit, qysh një fëmijë 9 vjeçar, ai lulëzon si pjesë e farishtes së Totenhamit, mandej i Çelsit, e me radhë i Southampton apo i Fulham. E natyrisht edhe i Kombëtares së Shqipërisë.

Këta dy djem janë kështu, pasuri e madhe edhe e futbollit të Republikës së Shqipërisë. Në studion e televizionit, ata u sollën si të ishin futbollistë të zakonshëm, ndonëse nuk janë kurrsesi të tillë. Është Hysaj i 86 ndeshjeve kombëtarase, si dhe i 2 golave, ndonëse është mbrojtës, çka siç e kam thënë, ma do mendja se do të mbërrijë te rekordi i Canës (93). Mbas tij Broja, 22-vjeçar, i cili qysh tash e ka vendosë rekordin e parë të tij: 23 ndeshje dhe 5 gola. Është i pari në historinë e Kombëtares (qysh nga Loro Boriçi), i cili ka kaq shumë ndeshje (23) në këtë moshë 22 vjeçare.

Dhe prapë shkoi te dukuria e tyre televizive që na e dhuroi “Klan TV”. Erdhën në studio mbasi ishin përshkuar në dy ngjarje krejt të padëshirueshme në finalet e këtij Europiani. Hysaj uli kryet e një gjuajtjeje, sipas mendimit të tij, duke menduar se kështu portieri do ta priste më me lehtësi. Natyrisht, ai nuk e njihte stilin e portierit të madh Paulin Ndoja, i cili shpesh, në një gjuajtjeje të tilla, iu thërriste mbrojtësve të tij: “ma lër mua”. Dhe priste i sigurt.

Mirëpo, ja që u pësua goli, duke bërë fajtor vetëm njërin: Hysajn. Ndërkohë që përkulja kësisoj u pa edhe te portierë të tjerë të ndeshjeve të këtij kampionati. Sepse dihet, është një veprim që bën pjesë në mënyrat e futbollit. “E mbytën” pa mëshirë “analistët”, duke e bërë fajtor të rangut të parë! Mandej ajo që njihet tashmë si çështja “Broja”, i cili luajti vetëm 77 minuta me Italinë, nuk luajti me Kroacinë dhe luajti vetëm 32 minuta me Spanjën e fuqishme, duke i rrezikuar kësaj, më e pakta dy episode të shkëlqyeshme për gol.

Për fat shkoj te ekrani i vogël dhe përjetoj qëndrimin e tyre prej kavalierësh të vërtetë të futbollit. Kësisoj, me siguri ua kanë lehtësuar pakënaqësitë, sidomos bashkëqytetarëve të tyre në Shkodrën po kavalereske, për shkak të qëndrimit të pakëndshëm ndaj tyre prej trajnerit apo trajnerëve të Kombëtares. Të cilët për çudi, deri në këtë çast nuk kanë treguar asnjë shkak përsëmbari. Dhe merre me mend: asnjë “analist” nuk guxoi ta pyeste drejtpërdrejt trajnerin Silvinjo: “Përse e hoqët nga 11- shi Hysajn dhe përse e aktivizuat aq pak Brojën?” Me sa duket, nuk donin të shqetësonin as drejtimin e federatës dhe as atë të trajnerit…

Edhe me Kombëtaren e FSHF-në, ashtu si dhe me krejt drejtimin qeveritar, në Shqipëri ka një lloj përkulje të gazetarisë, për të mos thënë, një lloj servilizmi. Hysaj dhe Broja, aspak nuk e mbrojtën veten në paraqitjen e tyre në TV. Ata janë dy xhentëlmenë të futbollit, përveç të tjerave. Kthenin kryet sa majtas e djathtas, me vështrimin e tyre modest, pohonin pa mohuar asgjë, pa mohuar asesi, as edhe këtë “nënvlerësim” të pashoq që iu bë.

Nuk besoj se gaboj kur them se na duhet të pranojmë se ne nuk kemi një gazetari hetuese apo investigative në sportet tona, nëse mund të përcaktonim kështu. Ne nuk arrijmë në mbrapaskenë, ne jemi vetëm në skenë dhe komentojmë pamëshirë që Hysaj uli kryet, e që Broja “ka një problem”.

Nuk kam dëshirë t’i hyj “talk show”-t gjigant të televizioneve shqiptare edhe për këtë “Euro 2024”. Janë nja 5 njëkohësisht, madje të gjithë me nga nja 7 a 8 vetë të ftuar në studio, gjysma e të cilëve nuk kanë aspak të bëjnë, as me sportin, as me futbollin, as me Kombëtaren, e aq më pak me gazetarinë. Ma do mendja se vijnë për protagonizëm, pra. Mbase vijnë për të treguar “se unë jam një personalitet i madh që di gjithçka”.

Kështu apo ndryshe, unë për vete, vetëm sa doja të shpreh kënaqësinë për dukurinë televizive “Hysaj-Broja”, që sa me mençuri e hijeshi na e dhuroi “Klan TV” përmes tyre.

E pra këto janë çështjet e problematikat tona. Ia vlen të merremi me to më shumë se me gjithçka tjetër. Shumë më tepër se sa me eliminimin e Italisë në këtë “Euro 2024”, që na paska mërzitë aq fort “analistët” shqiptarë të televizioneve. Në vend që t’i binin krejt shkurt e në mënyrë sa më të kursyer e lakonike. E kryesisht të merren me ata që dinë të fitojnë.

Ndërkohë, si pa dashur, shkova te një nga komentatorët më të mëdhenj të Italisë fqinje e të Europës, te legjendari Nando Martellini (1921-2004). Është fjala për eliminimin e Italisë nga Botërori i Suedisë 1958 pas humbjes 1-2 më 15 janar 1958 në Belfast me Irlandën e Veriut. Ka shkruar për këtë eliminim Martellini në “Radiocorriere – TV” në vitin 1974:

“… Humbëm keqësisht 2-1 dhe unë u detyrova të shqiptoj këtë mbyllje të një prej transmetimeve më të idhta të jetës sime: “Të dashur dëgjues italianë, për herë të parë në institucionin e Kupës “Rimet”, Italia mbetet në shtëpi. Nuk dua të shtoj diçka tjetër në këtë çast hidhërimi për sportin tonë. Natën e mirë!”.

Çka po më pëlqen ta jap edhe në italishten martelliniane, për t’i kujtuar paksa brezit tim – dëgjues i pandashëm i Martellini-t – në italishten e tij kumbuese edhe në një ngjarje kur kumbimi thërriste në pak fjalë për një humbje të rëndë futbolli:

“…Cari ascoltatori italiani, per la prima volta dall’istituzione della “Rimet”, l’Italia rimane a casa. Non vorrei aggiungere altro, in questo momento di amarezza per il nostro sport. Buona sera”.

Vetëm kaq. Ia vlen, mësojmë nga kjo lloj gazetarie e madhe, po italiane, se sa ta tjerrim aq gjatë, madje me orë, se përse u eliminua Italia nga “Euro 2024”. E të merremi me zhanrin e dukurisë televizive “Hysaj e Broja”, siç me kulturë u mor “Klan TV”. Sepse ajo është dukuri e jona.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"