Myslym Alla dhe shkrimet e paharrueshme të gazetarisë “së vjetër”
Nga BESNIK DIZDARI
Kështu më vjen të përcaktoj, madje me shpresë se kjo do të jetë një rubrikë e re e gazetës. Edhe për t’iu treguar gazetarëve të rinj sado pak nga kjo “shkollë”. Është fjala për një shkrim të vitit 1998, të trajnerit të madh dhe profesorit të shquar të edukimit fizik të Shqipërisë, të paharrueshmit Myslym Alla, kushtuar “nxënësit” të tij të jashtëzakonshëm, Skënder Halili (1940-1982).
Është vërtet interesante se si andej kah vitet ’90, Profesor Lymi, siç u thirr gjithë jetën, papritmas ngjiti shkallët e redaksisë së “Sportit Shqiptar” që drejtoja dhe nisi të sillte herë mbas here shkrime të tij për figura të futbollit shqiptar. Ishte një risi e këndshme.
Gjatë viteve të punës, natyrisht që nuk i kishte dalë koha për të shkruar. Ndërkohë që e dinte se asokohe nuk mund t’i tregonte gjërat krejt të vërteta e të sinqerta, siç ai i dëshironte. Myslym Alla është ndarë nga jeta në vitin 1999 në moshën 79-vjeçare. Për përkim tejet emocionues jemi në 25 vjetorin e lamtumirës së tij. E sigurisht pata shkruar për këtë lamtumirë fort prekëse. Shkrova duke kujtuar se këtë qytetar nobël e fisnik të Tiranës nuk do ta shihnim më as në mëngjes dhe as në muzg në ecjen e tij të qetë karakteristike anës trotuarit të shëtitores sot “Zog I”.
Një korife i futbollit të Sportklub Tiranës na kishte lënë. Një protagonist i madh i futbollit shqiptar, Myslym Alla, kishte ikur për të mbetur aty ku kishte qenë e pakta qysh prej 65 vjetëve: në panteonin e futbollit e të sportit shqiptar. Ky ishte njeriu i cili risolli në skenën e madhe atë që në 40 vjet u quajt “17 Nëntori” i Tiranës, po që në sfond njihej gjithmonë si Sportklub Tirana, pjesëtar i së cilës ai kishte qenë qysh më 1936, kur ishte vetëm 16-vjeç.
Pa menduar asokohe askush se mbasi ai do të bëhej kampioni më i ri në historinë e futbollit shqiptar, më pas do të shndërrohej në legjendën e një themeluesi. Ka qenë 5 prill 1936, teksa gjyqtari Alush Lleshanaku do të bënte me dorë nga qendra për golin e parë të ndeshjes së zhvilluar midis Dragojt të Pogradecit dhe SK Tiranës në javën e parë të Kampionatit të 6-të Kombëtar.
Dhe ka ndjekur me sy një adoleshent disi të gjatë, të hollë e me trup atleti, i cili me krye ulët është kthyer mbrapa kur mbi te janë zgjatur përqafimet përgëzuese të të gjithë “veteranëve”, shokëve të tij të skuadrës. Atë ditë Sportklubi ka fituar 5-0. E në vazhdimësi, Myslym Alla 16-vjeçar i ka luajtur të gjitha ndeshjet, madje ai ka mbetur në 11-sh edhe kur në pjesën e dytë të kampionatit ka ardhur Lushta i pambrritshëm. Në fund ka patur në aktiv edhe 6 gola të shënuar.
Ka luajtur fare pak më 1937, por medaljen e kampionit e ka fituar përsëri. Mandej, te e vona, më 1954, si trajner i ka dhënë Partizanit titullin e kampionit, kur dy vjet më parë, më 1952, si trajner i Kombëtares e kishte drejtuar Shqipërinë në dy fitoret e bujshme 2-1 e 3-2 me Çekosllovakinë. E, në këto dy ndeshje Myslym Alla ka qenë edhe trajner i Loro Boriçit!… Mandej historia përmbysëse e 17 Nëntorit. Myslym Alla është njeriu që uli nga froni Partizanin e Dinamon, të paprekshmit e mëdhenj, duke i sjellë futbollit shqiptar në mesin e viteve 60’ një stil të vërtetë modern që mbërrin deri te përkulja monumentale e një Ajaksi, çka është një vepër e madhe e tij, po dhe të tjera.
E pra, rrallë një figurë futbolli ka qenë kaq popullore e besnike e klubit të tij të cilit ia risolli historinë, lavdinë, gëzimin e madh të fitoreve të bujshme. Tash në pleqëri ai kishte marrë pendën e po i sillte brezit të ri yjet e futbollit të qytetit të tij të dashur Tiranë. Çka shfaqet vezullues edhe nën emrin e Skënder Halilit, të cilit i kushton këtë shkrim tejet origjinal që po ribotojmë. Them origjinal, sepse Mysllym Alla nuk ishte një plagjiator. Ai mbështetej te kultura e tij, kjo sa universitare po aq e përvojës jetësore e te kujtimet e fletoret e shënimeve të tij të çmueshme.
Ky ishte stili i një njeriu të kulturës më të lartë të një trajneri intelektual, siç ka qenë Myslym Alla. Na la këtë perlë tregimtare të gazetarisë historike, siç po guxoj ta quaj, kushtuar Skënder Halilit dhe fatit të tij sa të lavdishëm, po aq dhe të dhunshëm. Një shkrim ku ai thotë ato që nuk i dinim përsëmbari as ne, gazetarët. Dhe këtu është vlera e madhe origjinale e këtij shkrimi të paharrueshëm. Për fat, kam një kujtim të jashtëzakonshëm me Skënder Halilin.
Me mbështetjen e madhe të Myslym Allës, si kishte filluar si trajner fëmijësh, në një turne që po zhvillohej në fushën e Qytetit Studenti. Më pa dhe nxitoi të më afrohej për të më falënderuar, sepse në një shkrim për këtë turne, si gazetar i të përditshmes “Bashkimi”, ia kisha përmendur emrin. Kjo ishte hera e parë që mbas travajave të rënda të jetës, po i përmendej emri në shtyp, madje në një të përditshme fort të rëndësishme të atij regjimi që ia kishte rrënuar karrierën.
Mbeta i befasuar tejet dhe nuk mund ta harroj kurrë këtë mirënjohje të rrallë e shprehur me një kulturë qytetarie të pamatë prej tij. Nuk ekzagjeroj aspak kur them se përjetova falënderimin e një nobiliteti të rrallë të portretit fisnik të Skënder Halilit. Çka trajneri i tij Myslym Alla e tregon me aq vërtetësi në këtë shkrim të tij që, sidomos për kah besnikëria e së vërtetës, të duket se sfidon jo pak vetë gazetarinë tonë të sotme.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"