“OH, SHQIPËRI!”
Nga BESNIK DIZDARI
Dihet, çdo gazetar ka dobësi për shkrime të caktuara që mbajnë firmën e tij. Mirëpo, ja që ndodh që një gazetar të ketë dobësi, sidomos kur është drejtues i gazetës, thjesht për faqosjen e faqes së parë. Si në rastin e kësaj faqeje të parë që po shoqëron këtë shkrim. Them se nuk ka shkrim që mund t’ia kalojë kësaj faqeje të parë, të cilën e kam “kompozuar” për numrin 3525 të gazetës “Sporti Shqiptar” që drejtoja.
Mban datën 14 tetor 1997. Ky numër i asaj gazete vjen mbas ndeshjes Gjermania-Shqipëria 4-3 e 11 tetorit 1997 në Hanover të Gjermanisë, që i përkiste eliminatoreve të Kampionatit Botëror 1998. Është një humbje, por që, për ecurinë e saj dramatike të pashembullt, është më shumë se fitore, kur mendon se përballë kujt po luante Shqipëria “e vogël” e asokohe: që ishte Gjermania – Numri 1 i botës. Është një 4-3 përtej çdo buje. Faqja e parë, tejet elegante, shpreh gjithë përmbajtjen e asaj drame vetëm përmes një titulli dhe shtatë emrave të golashënuesve.
Ajo ka qenë Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Astrit Hafizi me këtë formacion: F.Strakosha, Tole (Gallo 85’), Shulku, Xhumba, R.Vata, Fakaj, Haxhi, Bushi (Prenga 90’), B.Kola, Halili, Tare.
Të gjithë ishin futbollistë të cilët i kishte lindur e formuar toka shqiptare e futbollit, por falë lirisë që erdhi, kishin marrë rrugët e Europës. Nga kampionati i Shqipërisë ishin vetëm Tole, Shulku e Prenga. Të tjerët, jashtë kufijve, nja 4 madje, Strakosha, Xhumba, Haxhi e B.Kola vinin prej Kampionatit të Greqisë.
Përse e vendos sot këtu këtë faqe të parë të “Sportit Shqiptar” 1997?
E vendos për të treguar se Kombëtarja e Shqipërisë, e lindur më 1936, por e ndeshjeve zyrtare më 1946 me titullin e Kampiones së Ballkanit, ka interpretuar ngjarje të bujshme edhe para kësaj Kombëtareje të sotme “ndërkombëtare”. Ia pat rrëmbyer titullin e Ballkanit pikërisht Jugosllavisë, e cila më fort se kaq ishte një lloj Kombëtareje e Kroacisë. Kështu ngaqë plot 8 prej tyre ishin kroatë, shumica e të cilëve të famshëm në Europë: Monsider, Brozoviç, Horvat, Cajkovski, Matosiç, Rupnik, Bobek, Lojah.
Po e sjell këtu atë faqe të parë të “Sportit Shqiptar” në kontekstin e këtij shkrimi, për të kujtuar se futbolli është sporti i të papriturave e kthesave dramatike të papërshkrueshme e shpesh dhe të pashpjegueshme. Si dhe këto të dy ndeshjeve të fundit të Shqipërisë për “Euro 2024”.
Ndërkaq, me mendjen time them se si ka mundësi që ata djem të krijonin atë ndeshje të mrekullueshme “gjermane” përballë emrave të tillë botërorë si Kahn, Kohler, Mëler, Bobiç, Bierhof apo Hasler. Kujtoj fytyrën e tronditur të trajnerit Berti Vogts pas golit të barazimit të Rudi Vatës në minutën e 88-të. Dhe kishte shënuar një mbrojtës, apo jo! Një gol i pafat megjithatë, sepse në të 92-ën i papërmbajtshmi Bierhof firmos 4-3 e famshëm që çuditi Europën.
E pra?
A vërtet ka diçka për t’u çuditë me humbjen e Shqipërisë 1-2 nga Italia, apo edhe me përmbysjen tejet befasuese prej Kroacisë – nënkampione e botës e vitit 2018? A vërtet duhet të çuditemi kaq shumë që stoiku i Kombëtares, Hysaj, uli kokën për t’ia lehtësuar portierit Strakosha pritjen, paçka se ai jo për fajin e tij, nuk e arriti? Mirëpo, sulm pa mëshirë, teksa ai, Hysaj pra (86 ndeshje), duket se po shkon drejt thyerjes së rekordit kombëtares të Lorik Canës (93 ndeshje).
Vetëm kaq mund të them: që këto dy ndeshje fort të mira të kësaj Kombëtareje shqiptare datuar 2024, të çojnë te përcaktimi i natyrshëm i sportit të futbollit që na thotë: “Në futboll, ‘anormalet’ janë pjesë e humbjeve më normale”. Natyrisht, duke i futur “anormalet” në thonjëza.
E, “anormale” është edhe “vetmadhështia” që i sundon një kategori shqiptarësh sa herë Kombëtarja ndodhet përpara ndeshjeve të rangut të lartë ndërkombëtar si edhe në këto të “Euro 2024”. Një “vetmadhështi”, çka edhe kësaj here mori përmasa qysh prej FSHF-së e deri te deputetë, ministra a kryeministra, të cilët duan të na mbushin mendjen se fitoret në futboll rrisin nivelin e jetesës së shqiptarëve. Por “mjerë ai popull që ka nevojë për fitoret në futboll”, siç thotë një sentencë e njohur. Dhe: “Siç transit gloria mundi”, siç thotë sentenca e famshme latine. Ç’ka figurativisht nënkupton: “Kështu kalon lavdia e botës”.
Si puna e faqes sime të parë të “Sportit Shqiptar” të para 27 vjetëve. E kështu do të kalojë edhe “lavdia” e këtyre dy ndeshjeve të fundit të Kombëtares. Që për të qenë me mend në krye, nuk ka pse t’i quajmë “lavdi”, megjithatë. Mjafton t’i quajmë nivel i lartë i futbollit, bukuri, dramë fort joshëse, kthesa, emocione të forta dhe vetëm kaq. Çka më duhet të nënkuptoj edhe rekordin e sekondës 22 të Bajramit apo dy golat brenda 300 sekondave të Italisë. Apo topin që ia fali Bajramit mbrojtësi i Italisë, Dimarko. Si dhe golin tronditës aq fort të çmueshëm të Laçit, që të dukej se më shumë u bë me flokët e tij se sa me kokë. Pa harruar dy golat e shpejtë të Kroacisë, njëri autogol klasik i Gjasulës, i cili mbërrin te goli plot forcë i tij i minutës së 95- të, që i dha barazimin e çmueshëm Shqipërisë.
Dhe të gjitha këto po deshe quaji “anormalet” e normales së futbollit. Ç’kanë të vërtetë janë mëse normale pra, nëse t’i don ta kuptosh futbollin. E aq më tepër nëse ti arrin të bindesh për aftësitë e mëdha që kanë këta kombëtaras europianë të Shqipërisë.
Tash, duke dalë jashtë fushës së blertë, edhe nëse kanë qenë 50.000 shqiptarë nga 62.000 që përmbante stadiumi, edhe në këtë fakt “anormal”, prapë gjithçka është normale, përderisa në Gjermani jetojnë mijëra e mijëra shqiptarë, e plot të tjerë në shtetet përreth, të cilët mbërrijnë aty aq lehtësisht.
Dhe ja ku mbërrijmë te “normalja e normaleve”. Është historia që na thotë se në tre edicionet e fundit Shqipëria arrin dy herë të shkojë në finalet e Kampionatit të Europës.
Madje edhe “anormalja” e pranisë së plot 5 lojtarëve të Shqipërisë në Kampionatin e Italisë, vjen e bëhet normale kur kujton se komercializimi i pamëshirshëm, përbën sa “anormalen” po aq dhe normalen e ecurisë strategjike të futbollit të sotëm. Dhe po e lëmë për herën tjetër për të treguar se kush i ka lindur dhe kush i ka formuar këta lojtarë kaq të mirë të Shqipërisë 2024…
“Oh, Shqipëri!”
Ja pra që edhe ky titull kushtuar 4-3 të vitit 1997, ndonëse gati-gati po më duket “anormal”, teksa kujtoj se i përket 27 vjetëve më parë, kur ne aq fort dëshironim kthesën e Kombëtares, edhe ai vjen e më duket mëse normal.
Morali i këtushëm i fabulës ta do mendja se është ky:
Shqipëria ka zhvilluar dy ndeshje të rangut të vërtetë europian, të një futbolli modern, madje deri spektakolar, duke qenë protagoniste e zhvillimeve dramatike të tyre. Dhe thuajse ka qenë e barabartë me dy Kombëtare ndër më të mirat e Botës e Europës, Itali e Kroaci. Po mandej? Taktika? Teknika? Ndërrimet? Gabimet? Trajneri? Portieri? Broja? Hysaj? Gjasula? Bajrami? Laçi? Këtë nuk e di fort mirë. Ajo që di është se të gjitha këto më bëjnë të përsëris pasthirrmën time titulluese të vitit 1997: “Oh, Shqipëri!”
* Ribotimi i shkrimit është i rezervuar;
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"