Përse Vllaznia ka 23 vjet që nuk është kampione e Shqipërisë?
NGA BESNIK DIZDARI
Duket një pyetje e vështirë, aq më tepër se kemi të bëjmë me skuadrën e qytetit të Shqipërisë, me emrin Shkodër, e cila i ka themeluar futbollin Atdheut. Përveçse 10 herë kampione e me plot trofe të tjerë. Pa harruar plejada te pafund të lojtarëve që ka rritur e formuar, jo vetëm për veten, por për të gjitha rangjet e ekipeve kombëtare të Shqipërisë. Pyetja që mëshirohet te titulli i këtij shkrimi, duket sikur ka punë vetëm me Vllazninë. Nuk është kështu. Ka punë me të gjitha vendnumërotë e panumërta të Kampionatit të Shqipërisë të të gjithë këtyre viteve të fundit. Ky këtu nuk është një shkrim analitik. Është një shkrim vetëm sa për të dhënë njërën prej përgjigjeve të shumta të kësaj pyetjeje.
Vllaznia ka 23 vjet, qysh nga viti 2001, që nuk e fiton më titullin aq të lakmuar të kampionit të Shqipërisë. Ka humbur besimin në vetvete. Humbje besimi kjo që vjen prej ndryshimit më të papranueshëm të strategjisë së saj që na thotë se Vllaznia e Shkodrës nuk beson më në talentet e saj të futbollit. Nuk beson më në traditën e fidanishtes së saj të pashtershme të lindjes e formimit të lojtarëve të saj qytetas, të cilët në dekada i kanë dhënë jetë jo vetëm Vllaznisë, por edhe Partizanit e Dinamos, titujt e shumtë të të cilëve i përkasin edhe kushedi sa e sa talenteve të saj.
Kështu pra, Vllaznia ka më shumë se dy dekada që nuk mbështetet përsëmbari te talentet e saj. Ajo i ka flakur deri aty, saqë drejtuesit e saj në gjithë këto vite mesa duket, nuk besojnë më se Shkodra e tyre mund të nxjerrë si përherë talentet e saj të mëdhenj.
Vetëm në këtë kampionat nga 30 lojtarët e aktivizuar, në mos gabofsha, 12 janë të huaj, pra që nuk i ka lindur e formuar Vllaznia. Për ju mund të duket normale, ndërsa për mua anormale. Është mbi 30 përqind. Dhe shumica nuk janë lojtarë rezervë. E kjo është edhe kuptimplote. Dhe më e rëndësishmja: janë të gjithë lojtarë krejt mesatarë. Krahasojini këta “të huaj” po të doni me kampionë të vitit 2001, të tillë si Martini, Beqiri, Lici, Osja, Belisha, pa shkuar te të tjerë.
Tash pyetja tjetër: a me të vërtetë Shkodra nuk lind më talente? E pra, kush e beson këtë, nuk ka kuptuar asgjë as nga historia, as nga traditat, as nga zhvillimet e futbollit shkodran.
Janë të sugjestionuar deri në absurd, prej mendimit se edhe futbolli i Shkodrës, por edhe ai i Shqipërisë, sot duhet që kryesisht të mbështeten te blerja e lojtarëve të huaj. Bukur! Mirëpo, të çfarë niveli janë që me kaq pasion po i blen ata? Vllaznia dhe të gjithë klubet shqiptare nuk blejnë yje, qoftë edhe të fundit të karrierës së tyre.
Blejnë lojtarë të huaj të nivelit mesatar, pra; duke mos hedhur asesi vështrimin te talentet vendas. Madje deri aty saqë në gazetarinë tonë sundon vetëm një fjalë: merkato! Që në shqip i thonë “treg”. Si të ishin skuadrat shqiptare Real e Bajern, Inter e Juventus, Mançester, Barcelonë a Paris SG, që nuk ngihen kurrë me miliona!
Nuk besoj, edhe sot mbas kaq dekadash, që pat gabuar Partia kur i detyroi skuadrat që secila të përfshinte në formacion një lojtar 18- vjeçar. Në të vërtetë nuk ishte Partia që u kujtua, por për këtë risi atë e bindën specialistët e aftë të futbollit Përse Vllaznia ka 23 vjet që nuk është kampione e Shqipërisë? që Shqipëria nuk i kishte të paktë.
Dhe Vllaznia e sotme e cila nuk guxon. Nuk guxon që, bie fjala, të vendosë, më saktë të guxojë, që vetëm 5 a 10 përqind të jenë lojtarë të huaj në përbërjen e saj. Këta patjetër të një niveli të lartë. Madje kështu do të ishte mirë të vepronin edhe klubet e tjerë. Mbi të gjithë FSHF-ja, ajo e cila pranon në Kampionatin tonë – se i yni është, jo i saj – të lejohen të marrin pjesë skuadra të cilat nuk kanë asnjë lojtar të qytetit të tyre, e aq më pak lejon skuadra të cilat nuk kanë as stadiume, e madje të cilat as nuk jetojnë në qytetin e tyre!
Nuk i flak tej këto absurditete me gjithë kritikat tona të pambarimta. Nuk e bën sepse prej vitesh i mungon dëshira për ta shndërruar Kampionatin e Shqipërisë si dikur, me 14, e pse jo, edhe me 16 skuadra, me vetëm dy faza shkuarje e ardhje. (Zot na ruaj nga “play – off” e “play-out”- i shpesh dhe qesharake!). Për të përfshirë detyrimisht qytetet kryesorë të Shqipërisë, që prej vitesh i ka jashtë Kampionatit. Por tash 10 vjet vetëm 10 skuadra! Vetëm 10! Tri prej të cilave, pra 30 përqind, janë të një qyteti të vetëm: Tiranë! Nuk e gjen këtë gjeopolitikë të njëanshme e dëmtuese të futbollit, në asnjë shtet në Europë.
Po a vërtet për këtë kampionat kombëtar pa Vlorë, pa Kavajë, pa Gjirokastër, pa Berat, pa Fier e pa Lushnje, fajin e ka vetëm FSHF-ja? E pra, jo! Bashkë me të fajin e ka edhe qeveria, edhe shteti, që me gjasë, për të shitë mend se i kam dhënë liri të plotë Federatës edhe aty nuk duhet, pra edhe në mosvlerësimin e vlerave sociale e qytetare të futbollit kombëtar, nuk bëzajnë. Ose bëzajnë sa për të shkuar në Gjermani për te Kombëtarja. Në të vërtetë tejet e bukur kjo Kombëtare, por me gati 90 përqind të lojtarëve jo të tokës së Republikës së Shqipërisë. Ose bëzajnë për të hyrë deri në garderobën e Vllaznisë për të rrëmbyer fanellën e Balajt, me gjasë për të treguar se e dua fort skuadrën shkodrane. Kjo skenë “ishte tersi i humbjes së titullit nga Vllaznia”, siç shkruan disa shkodranë. Nuk ia vlen të merremi me “terse”, megjithatë. Shkaku është diku tjetër. Është te flakja tej mosbesuese ndaj blerimit të farishtes që përherë lind e formon talente të futbollit edhe në Shkodër.
Sigurisht ka edhe plot shkaqe e arsye të tjera, që i kemi trajtuar 100 herë dhe që po i lëmë për t’i përsëritur një herë tjetër.
E tash kalojmë te historia. Plot 20 vjet më parë, më 2004-ën, me rastin e fitimit të titullit kampion, asokohe të 21-të të Sportklub Tiranës, themelova atë që e quajta “Panteoni” i ekipit kampion. Ishte një përmbledhje historike e të gjithë lojtarëve kampionë. Të rreshtuar me mbiemrat e tyre, duke i vënë sipas alfabetit dhe me vitin e fitimit të titullit të fituar prej secilit. Kam 23 vjet që nuk munda që ta formoja “Panteonin e Vllaznisë”. E megjithëse mosfituese, më në fund vendosa ta formoj sivjet. Ishte një punë shumë e mundimshme, e le të shpresoj se nuk më ka shpëtuar ndonjë kampion i saj. Në një farë mënyre po më vinte pak keq se duke e botuar nuk jam më unë pronari i saj, por të gjithë të tjerët. Ashtu si dhe për skuadrat e tjera kampione, nuk pendohem. Ia dhuroj në radhë të parë jo kopjuesve, por drejtpërdrejt vetë kampionëve të Vllaznisë, dashamirëve besnikë të saj, qytetit e historisë së futbollit nobël të Shkodrës. Shpresoj te kjo vëmendje e tyre për vlerat e këtij arkivi fort të çmueshëm e unikal (të vetëm). Besoj që do ta “studiojnë, nënvizojnë, diskutojnë, duke zbuluar edhe ndonjë mangësi, doemos. E duke mësuar sidomos brezi i ri. Ndërsa futbollistët kampionë e familjarët e tyre do t’iu kthehen kujtimeve të paharrueshme. Për të cilët mjafton vetëm emri i një kampioni për t’iu kthyer një historie për fat, e kyçur dhe e paprekur qysh para 23 vjetëve, në vitin 2001.
Tek e keni këtu edhe “Panteonin e Vllaznisë”, edhe pse ai ngjall nostalgji:
“PANTEONI I VLLAZNISË”
Kampionët e 10 titujve 1940, 1945, 1946, 1972, 1974, 1978, 1983, 1992, 1998, 2001
A
Abdija Sh. 1945; Ademi M. 1946; Alibali 1945, 1946; Arra 1978; Axhani 1974, 1978.
B
Barbullushi Z. 1945, 1946; Basha Ç; Basha L. 1974, 1978; Basha S. 1974; Basha Z. 1972, 1974; Belisha 2001; Beqiri 2001; Berisha Z. 1940; Bilali 1992; Bisha 1992; Bizi B. 1992, 1998; Bizi S. 1972, 1974, 1978; Boriçi L. 1940, 1945; Borshi 1978, 1983; Boshnjaku 1978, 1983; Briza 1983; Bushati 1983, 1992; Bylykbashi 2001.
C
Camaj 2001; Cungu 1998.
Ç
Çanga R. 1972; Çanga S. 1974, 1978, 1983; Çelepia 1992; Çoba R. 1946.
D
Dani A. 1992; Dani S. 1972; Dedja H. 1983, 1992; Dedja M.1972, 1974; Dervishi 1998; Dibra I. 1998; Dibra M. 1945, 1946; Djokovic 2001; Doçi 2001; Duraj 1972, 1974, 1978; Duro 2001.
F
Fakja B. 1945, 1946; Fakja F. 1983; Filipi 1992; Fishta 1992.
G
Golemi 1983; Grima 1998; Gruda A. 1992; Gruda B. 1992; Gruda S. 1978, 1983; Gruda Sh. 1998; Gurori 1978.
GJ
Gjeloshi P. 1945, 1946; Gjinali S. 1940; Gjuzi 1992.
H
Hafizi A. 1978, 1983; Hafizi E. 1978; Hakaj 1974; Halepiani 1945, 1946; Halili 1992; Hoxha B. 1992, 1998; Hoxha I. 1972, 1974; Hoxha L. 1940.
J
Jahja 1998, 2001; Jera 1983; Jovani 1978; Jubani F. 1940; Juka 1945.
K
Kaçi 2001; Kavaja 1945; Keçi 1992; Koçobashi 1972, 1974; Kotrri 2001; Koxhja M. 1940, 1945, 1946; Kraja 1998; Krstajic 2001; Krroqi 1940; Kushe 1983.
L
Laçej H. 1940; Laçja 1992; Lekaj 1972, 1974; Lici 1998, 2001; Lika 1992; Luçi 1983, Lugji 1974.
M
Mani 1974; Marash 2001; Martini E. 1992, 2001; Martini P. 1998; Meta 1974; Mirashi 1946; Muçiçi 1998; Mustafa 1998, 2001.
N
Nako 1992; Ndoja Ç. 1972, 1974; Ndoja G. 2001; Ndoja P. 1972; Nehani 1945; Neziri 2001; Noga A.1992, 1998.
O
Osja 1998, 2001; Osmani B. 1940, 1945, 1946; Osmani K. 1998, 2001; Osmani O. 2001.
P
Paçrami F. 1978, 1983; Pali 1983; Pali Nd. 1940; Pashaj 1992; Plori 2001; Patushi 2001; Plumbini 1972; Premçi 1992, 1998; Puka 1974.
Q
Qeraj 1972.
R
Radonjiç 2001; Rakiqi 1972; Rexhepi 1946; Rusi R. 1940.
RR
Rragami F. 1978, 1983; Rragami R. 1972, 1974.
S
Sinani 1998, 2001; Smajli 1945, 1946; Sukaj 1974, 1978, 1983.
SH
Shaba 1983; Shaqiri 1946; Shkjezi 1940; Shllaku Nd. 1940; Shllaku Gj. 1998; Shllaku S. 1992; Shpuza 1992.
T
Taga 1940; Tahiri 1945, 1946; Teli 2001.
Y
Ymeri 1992; 1998.
V
Vasija 1940, 1945, 1946; Vaso M. 1972, 1978; Volumi 1998; Vukatana 1978, 1983.
XH
Xhahysa 1998; Xhara F. 1940.
Z
Zmijani L. 1998, 2001. Zmijani H. 1983.
ZH Zhega 1972, 1974, 1978.
TRAJNERËT: Ibrahim DIZDARI 1945, 1946; Xhevdet Shaqiri 1972, 1974, 1978; Ramazan RRAGAMI 1983; Astrit HAFIZI 1992, Hysen DEDJA 1998; Dervish HAXHIOSMANOVIÇ 2001.
* Ribotimi është i rezervuar.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"