Opinion nga Besnik Dizdari/ Prepotenca e VAR-it, por edhe ndonjë diçka tjetër…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2024 | 23:12

Opinion nga Besnik Dizdari/ Prepotenca e VAR-it, por edhe ndonjë diçka tjetër…

VARI! Ai që në Shqipëri po merret kaq shumë me të mirë, saqë të duket se po shkon drejt një prepotence. Kam përshtypje se kështu po ndodh vetëm ndër ne. Kur ndërkaq, në një pjesë jo të vogël të shtypit europian që merret ose jo me temat sportive, po diskutohet jo pak për vlerat dhe mos vlerat e tij. Kësisoji, ngaqë VAR-i po cënon shpesh ecurinë logjike të ritmikës së një ndeshjeje futbolli, edhe pse ai synon të ndikojë për mirë për të mos lejuar vendime të gabuara.

eldorjan hamiti var

Ndonëse nuk duhet të harrojmë se, në fund të fundit, ai që vendos është gjyqtari i fushës së blertë. Bie fjala, a vërtet ishte gol i rregullt ai i ndeshjes Dinamo-Vllaznia edhe pse nga gjyqtarët e fushës u anulua për pozicion jashtë loje? Mirëpo, ja që urdhëroi VAR-i, përveç të tjerave duke u flakur tej rolin e gjyqtarit anësor, i cili qysh kur ka lindur futbolli, sidomos për vendimet e “jashtë lojë”- s, ka qenë zot. Edhe pse, edhe ai mund të gabojë, natyrisht. Atëherë? Përgjigja është shumë e thjeshtë.

Rastet po na bindin se gjyqtarët e fushës së blertë, duhet ta konsiderojnë VAR-in thjesht si një lloj orientuesi, jo si një vendimtar prepotent i padiskutueshëm. Çka merret me mend se kjo mund të realizohet vetëm nëse gjyqtari i fushës, është i bindur që vendos ai. Pra, që edhe mbas sinjalizimit të VARit, ai nuk duhet të nënshtrohet “apriori”, kur dihet se i takon të shkojë e ta shohë vetë rastin në videon e nëntribunës. Ndërkohë që, nuk është e thënë që vijat “simbolike” të “vizatimit” televiziv mbi ekran që anuluan edhe golin në fjalë, të absolutizohen.

Aq më tepër kur u pa se këto vija në zgjatjen e tyre, as në barazpeshën e ndryshimit të mundshëm milimetrik, nuk ia arritën të të bindnin për vlefshmërinë e golit. Kam përshtypjen se gazeta e madhe italiane “Il Giornale” e ka thënë qartë, kur shkruante kohët e fundit: “… Një propagandë spektakolare… Mjafton një ndërprerje e papritur për të shkaktuar tension te gjysma e gjyqtarëve në mes të fushës dhe atyre të qendrës VAR: kjo është qesharakja e këtij futbolli të ri, i paaftë për të përballuar një situatë loje, duke e lënë diku tjetër përgjegjësinë për një gol apo për një 11- metërsh. Një komedi kjo e krijuar dhe interpretuar prej atyre që nuk e duan futbollin, por vetëm pushtetin e vet?”.

Tony Damascelli, autori i këtij editoriali të faqes së parë të “Il Giornale”-s”, të themeluar nga legjendari i gazetarisë Indro Montanelli – edhe pse kjo nuk është një gazetë sportive – nënkupton qartë përdorimin prepotent të VAR-it. Për çudi i është mbushur mendja shumë kujt se ky VAR-i është Zoti! Në një kohë që nuk është gjë tjetër përveçse mendimi, natyrisht jo pa rëndësi, thjesht i një gjyqtari që ndodhet në një studio televizive të stadiumit, prej ku e interpreton vendimin sipas vetësigurisë që ia dhuron ekrani i vogël moviolist. Asgjë tjetër.

E, kjo pra, e bën të detyrueshëm gjyqtarin e fushës – edhe pse tejet i varur te VAR-i edhe ai – i cili “i pa frikësuar” prej këtij moviolisti, të anulojë apo të rivendosë ai për rastin. Natyrisht duke vrapuar për të shkuar vetë ai te ekrani i vogël i moviolës.

Duke mos i dhënë kështu, një pushtet të pamerituar asaj “telefonate që zgjat ndeshjen”, siç përkufizon kolegu në editorialin në fjalë. E në Shqipëri po duket se nuk mjafton VAR-i i drejtpërdrejt gjatë ndeshjes në stadium, por në rubrikat u dashka edhe një VAR tjetër prej një moviolisti “redaksional”, i cili në të shumtën vetëm përsërit, teksa nuk guxon assesi t’i kundërvihet vendimit të VAR-it të ndeshjes së para disa orëve. Duket qartë se jemi nën urdhërat e tejskajshme të VAR-it.

2.

Ndërkohë, transmetimet televizive të Kampionatit janë bërë pronë e RTSH-së, “shtëpia” e hershme e Kampionatit, siç thotë një reklamë e këtij televizioni publik, disi euforike, që mesa duket mëton për të të gëzuar ty si telespektator, ngaqë po e transmetojmë “ne”. (Dhe me rëndësinë që ndeshjet “po transmetohen pa pagesë”, njoftim reklamues ky që ushton tash e parë si një lëmoshë shpëtimtare). Me një tejkalim artificial vërtetësie, ndërsa vendos të veçojë si të ishte tjetër gjë edhe transmetimi tjetër, ai që ka marrë dhenë: “Final four”-i i famshëm i vetëm 4 ndeshjeve.

Në një kohë që i gjithë ky “Final…” i rrufeshëm, nuk është gjë tjetër, veçse 4 ndeshje të titullit kampion, gjithashtu pjesë e kampionatit në vazhdim. Kjo reklamë don të na lumturojë duke na siguruar se përveç 36 ndeshjeve të 36 javëve të Kampionatit, do të kemi fatin e madh se do të na transmetohen edhe ato 4 ndeshje të titullit. Sikur këto ndeshje të mos ishin vazhdimësi e këtij Kampionati, por të një kampionati tjetër. E pafalshme që edhe një media televizive përparësore, fetishizon deri në këtë shkallë këtë “Final…” krejt të panevojshëm – vepër e FSHF-së kryefortë.

Nga ana tjetër, nuk besoj se e kam gabim, kur them që nëse televizioni publik RTSH ka marrë përsipër të transmetojë ndeshjet e Kampionatit Kombëtar të Futbollit – çka edhe për historinë e tij të madhe ai e meriton – do të duhej ta përuronte të gjithë këtë edhe duke përtërirë rubrikat e tij të pas ndeshjeve. Mbi të gjitha duke mos u shndërruar në imitues i emisioneve të të tjerëve të sunduar tejmase kryesisht prej komentatorëve jo gazetarë, por të atyre ish-futbollistë apo ish-trajnerë. Çka të duket se, si të thuash, edhe RTSH ka si qëllim të “teknicizojë” komentin e mbasndeshjeve apo ta “takticizojë” atë përmes “zbulimit”, bie fjala, të skemave taktike.

Ndërkohë që nuk ta thotë mendja se qoftë edhe një specialist sado i zoti të jetë, ia arrin që përmes shikimeve të pjesshme që të jep ekrani i vogël, të realizojë kaq thellë kuptimin e mirëfilltë taktik të ndeshjeve shqiptare – këto përveç të tjerave, historikisht zotëruese të brishta të taktikave. Ky “teknicizëm”, mendoj se ka cënuar pikërisht një traditë të vërtetë gazetarie të Radiotelevizionit Shqiptar. Traditën tashmë të zhdukur të editorialit a komentit përmbledhës të themeluar prej Anton Mazrrekut e vazhduar prej Ismet Bellovës.

Pse jo, disi social e shpirtëror futbollistik, që shpaloste me kompetencë e hijeshi gazetarie, traditat qytetare të futbollit kombëtar. Nuk po përfshij këtu komentet e autorit të këtushëm kur ai ishte anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH. Kohë parë nuk iu përgjigja ftesës së sinqertë të mikut tim hershëm të adoleshencës e rinisë, Leka Bungo – sot drejtues i Këshillit Kombëtar të RTSH. Mendova kështu edhe ngaqë gjenden ose duhet të gjenden edhe sot gazetarë të tjerë, të brezit të ri, për t’iu kthyer shkollës së çmueshme “mazrrekjane”, një traditë kjo që bartte përherë një jehonë të madhe publike. Besoj se këtë traditë e kemi për detyrë ta përtërijmë në të mirë të forcimit gjithnjë e më profesional të vetë gazetarisë kombëtare, në mënyrë që rubrikave televizive t’i japim tonet e pasura sa tradicionale, por po aq edhe moderne.

3.

Ndërkaq për të shkuar paksa te stili i këtyre punëve, që na kujton se menjëherë mbas ndeshjeve të sapotransmetuara, do të duhej të jepej përmbledhja kronikale e saj, e vetëm mandej të kalohej në komentin, qoftë edhe teknik. Kjo edhe për faktin se ka qindra e qindra shqiptarë, që për një arsye apo një tjetër, nuk i shohin ndeshjet drejtpërsëdrejti, por më tepër ndjekin përmbledhjen kronikale të tyre. Kësisoji, me sa duket, ka dalë pra, edhe një “problem” tjetër televiziv. Ka të bëjë me intervistat e mbasndeshjes të trajnerëve.

Janë të gjata si në një maratonë, madje të mbushura më tepër me gjykimin e analistit se sa me ato çka pritet të dalë nga pyetja që i bëhet trajnerit, i cili merret me mend se është ai protagonisti, pra jo ky që pyet. Dhe si pyet? Në të vërtetë ai vonon të pyesë, e shumica e tyre më shumë komentojnë se sa pyesin! Mandej, aty te e vona, e merr fjalën trajneri, të cilët për fat, kanë qëlluar jo pak, që të jenë edhe të huaj. E kësisoji, kanë në krah përkthyesin, i cili ndonjëherë madje, të duket sikur flet me vendi, duke mos iu drejtuar së pari publikut që e ndjek drejtpërdrejt përmes ekranit. E gjitha kjo zgjat tejet rubrikën, e bën madje prolikse deri në monotoni, pa mbërritur ritmikisht te thelbi i informacionit. A ka një zgjidhje tjetër? Sigurisht që ka. Përgjigjet e trajnerit të dilnin me titra të përkthyera drejtpërdrejt.

Por kjo kërkon një teknikë të sofistifikuar që Shqipëria me sa duket nuk e zotëron. Siç e bëjnë aq bukur bie fjala, televizionet publike të Gjermanisë në shumicën e emisioneve të tyre. Të Gjermanisë, e cila në rubrikat e saj për Bundesligën përbën një model botëror. Sidoqoftë, të mos kërkojmë shumë. Mendoj se kjo pengesë mund të kapërcehet mbase, duke zbatuar një rregull të vjetër të gazetarisë sportive: atë që gjendet në të gjithë shembujt e shteteve të tjerë, ku menjëherë mbas ndeshjes trajnerët dalin në një konferencë shtypi klasike në sallën e stadiumit e iu përgjigjen pyetjeve të ndryshme. Nuk ndodh kështu. Ruan fuqinë analisti “specialist” i studios, i cili jo rrallë, më shumë pëlqen të shpalosë “erudicionin” e tij se sa të informojë përmes mendimit të trajnerit për ndeshjen.

Kështu, “ai e braktis veten, duke synuar të mbivendosë komentin mbi vetë ngjarjen, duke spektakolarizuar komentin, një tregues i dëmshëm ky që zgjeron egon e komentuesit i cili pretendon të interpretojë gjithçka po ai”, siç kanë përcaktuar autorët e mirënjohur Massimo De Luca e Pino Frisoli. Duke u kthyer në shtëpinë tonë, atëherë le të shkojmë drejt e në pyetjet sa më lakonike.

Ashtu siç me buzagaz para pak, drejtuesja e emisionit këtë ua kërkoj analistëve në emision. Dhe mandej, kur trajneri iu përgjigjet pyetjeve dhe largohet atëherë analisti “specialist” le të rifillojë me komentin e tij. Natyrisht duke shpresuar që ai ta ketë paksa edhe dellin e gazetarit, i cili sa shumë që po mungon në të gjitha rubrikat tona televizive sportive…

* * *

Dhe po e përfundojmë me kaq. Sigurisht me përulësinë se nuk do të thotë që në të gjitha këto që u përpoqëm të prekim, kemi të drejtë të paqortueshme. Një herë tjetër ndoshta ia vlen të merremi me se si transmetohet, e se si ndodh që telekronisti nga stadiumi flet pa ndalë; se si po na mbysin fjalët e huaja deri aty saqë ndeshjes nuk i thuhet më ndeshje, por i thuhet “sfidë”; apo se si ndërtimi i fjalisë jorrallë ndodh të jetë si një invers i vetë morfologjisë së gjuhës shqipe.

E të tjera. Pa guxuar ndërkohë, që të merremi me rubrikat që në televizione të tjera, i kushtohen kampionateve të shteteve të huaja, ku nja tre a katër burra me në krye drejtuesin e emisionit, vetëm për një ndeshje të kampionatit të shtetit të huaj, pra jo të Shqipërisë, diskutojnë gati një orë! Mos jemi gabim? Ia vlen të bëhen sondazhe duke i pyetur teleshikuesit se çfarë mendimi kanë ata për këto rubrika a emisione. Po për fat, Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që nuk i njeh këto lloj sondazhesh, e me sa duket nuk do t’ia dijë se çfarë mendon teleshikuesi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"