OPINION NGA BESNIK DIZDARI: Problematika kritike! Skema dështake e kampionatit përsëritet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2025 | 21:14

OPINION NGA BESNIK DIZDARI: Problematika kritike! Skema dështake e kampionatit përsëritet

Nga BESNIK DIZDARI
Rifillon Kampionati. Natyrisht që ky Kampionat rifillon me jo pak dyshime. Mbi të gjitha me dyshimet që kanë të bëjnë me katërshen që po e quaj “finaliste për titullin e Kampionit të Shqipërisë”. Kësisoji, për ta shqipëruar përcaktimin e barbarizmit gjuhësor që e quan “Final 4”, ku shumëkujt po i duket me gjasë tejet moderne. Hutuese, do të thonim.

Besnik-Dizdari

Tjetër punë mandej, por padyshim më e rëndësishmja: niveli ende i ulët i këtij Kampionati. Dhe me dyshimin e madh që shfaqet për Sportklub Tiranën – më shumë herë kampionia e Shqipërisë (28 tituj) – që në këtë kampionat me vetëm 10 skuadra, rrezikon të bjerë

Por nuk po na pëlqen të merremi me parashikimin apo zbërthimin e këtyre pikëpyetjeve të mëdha. Jo! Vetëm se po dëshirojmë që në prag të këtij rifillimi, në këto pak radhë, të prekim përsëri qëndrimin ndaj një “problematike kritike” të drejtimit të futbollit.

Gjithçka mund të pranohet, megjithatë. Por që të pranohet se mbas dështimit të përdorimit të një skeme asisoj të gabuar (2023-2024) të përcaktimit të titullit kampion midis 4 skuadrave të para, duke ua zhdukur të gjitha pikët e 36 javëve, kjo është vërtet e çuditshme. Pra, se si kjo skemë dështake u vendos të përsëritet edhe për Kampionatin 2024-25.

Pyetjet këtu janë të pafund, por po ndalemi te vetëm njëra: Përse u përsërit kur ajo tradhtoi një skemë jo vetëm të traditës kampionale shqiptare, por edhe të vetë asaj botërore, teksa cenoi një vit të tanë të garës kombëtare të futbollit?

Nuk mendojmë se gabojmë kur themi se kjo u përsërit vetëm e vetëm për t’ua mbushë mendjen të gjithëve se kjo “skemë qe e pagabueshme dhe me që këtë e kemi në dorë ne, kështu do të vazhdojmë”.

Problematika kritike, pra! Dhe në këtë kah, kujtojmë se gjatë gjithë vitit kjo gazetë, përmes jo pak bashkëpunëtorëve të saj, e madje po aq edhe të futbollistëve të vjetër, e ka kritikuar tejet skemën në fjalë. Pa shkuar larg po përmendim dy të fundit, dy figura të shquara të futbollit kombëtar: Roland Luçi dhe Alfred Ferko. Madje i pari ka kritikuar më shumë se një herë. Ndërsa tash së fundi, Ferko e dha shqetësimin e tij në “Panorama Sport” me këto fjalë: “… Me këtë skemë nuk ka më një kampion të qartë. Në Superioren shqiptare nuk ka as kampion dimri dhe as kampion vere me “Final 4’ – in e famshëm. Më vjen çudi se është i vetmi vend në botë që nuk të lë të gëzohesh kur shpallesh kampion”.

Kritikat kanë qenë asisoj të vazhdueshme dhe të argumentuara. Për fat apo për çudi, ata që e kanë kritikuar më pak se askush, kanë qenë drejtuesit e klubeve apo të skuadrave. Madje shumica e këtyre nuk iu është dëgjuar as zëri i gojës. E pra, a thua nuk e kuptojnë artificialitetin dhe dëmin e madh të kësaj skeme? Vështirë të besohet kjo! Logjika të thotë se ata nuk bëzajnë ngaqë janë të nënshtruar ndaj FSHF-së. Duke harruar kështu, se po aq sa skuadrat që drejtojnë, po aq edhe kampionati është më shumë i tyre se sa i FSHF-së.

E gjitha kjo është mospërfillja ndaj problematikës kritike. Kur dihet se kjo problematikë është themeli i zhvillimit të një vendi, në të gjitha fushat e jetës, madje. E në këtë rast edhe i gazetarisë. Dihet ndërkaq, nëse gazetaria nuk mbështetet në këto themele, ndryshe ajo ka humbur misionin e saj etik. Më tej këtu e kemi fjalën për kuptimin themeltar të vetë kritikës, që përcaktohet si arsye që i nënshtrohet vetëm fakteve dhe teorive me synimin për të sunduar në mënyrë të pakompromis të vërtetën dhe të drejtën.

Nuk dua të shkoj te gazetaria e regjimit komunist, pjesë e së cilës kemi qenë edhe ne, gazetarët e vjetër. Por asokohe të gjitha gazetat kishin një rubrikë me këtë titull: “I përgjigjen kritikës”. Në këtë rubrikë botoheshin përgjigjet e të kritikuarve, qofshin këta në shkallë ministrore – qeveritare, qoftë të çdo rangu drejtues apo dhe individë përgjegjës për çka ishin kritikuar.

Nuk e them këtë për t’u mbështetur te ajo gazetari e një diktature. E them vetëm për të kujtuar se sot, përgjegjësia apo pranimi i kritikës së drejtë, për fat, gati nuk ekziston në Shqipëri. Dhe në rastin tonë është pra, e pafalshme që për një vit të tanë, edhe pse kritikohet pa ndalë ky organizim i papranueshëm i Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, askush prej organeve drejtuese, nuk jep një përgjigje të vetme, ndaj këtyre kritikave. Kjo tregon se edhe në futboll, por dhe në sportet në tanësi, ka hyrë drejtimi mospërfillës, injorues ndaj problematikës kritike. Është e pafalshme! Për mos të thënë mospërfillëse, madje, autokrate, që për fat të keq e shohim në të gjitha rangjet drejtuese të jetës së sotme shqiptare.

Nuk duam që këtu të përsërisim faktin e tmerrshëm të shumëzimit me zero të arritjeve të 36 javëve të kampionatit (rast i rrallë ai që Vllaznia me 9 pikë para Skënderbeut, pse humbi një ndeshje me të, zbriti në vendin e katërt). Për fat na duhet të falënderojmë Egnatian e Rrogozhinës, e cila edhe pse ia zhdukën 18 fitoret e 63 pikët e mara, ia arriti ta fitojë titullin e kampiones. Po të mos ndodhte kjo arritje fatmadhe, atëherë Kampionati 2023-2024 do të hynte në histori si një mashtrim i madh.

Dhe çfarë kemi? Kemi shuarjen e pikëve të një viti garë; cenimin po arrogant të asnjanësisë së fushës (ndeshjet e luajtura në “Tiranën e Partizanit”); apo atë tjetrën që nuk do ta marrim vesh kurrë, që është ndershmëria e ndeshjeve të katër finalisteve të siguruara para kohe, me “skuadrat në nevojë”. Dhe me dështimin e madh të publicitetit të bujshëm që këto ndeshje të katërshes, do të mbushnin stadiumin modern të Tiranës, stadium që thuajse mbeti bosh! (Do ta trajtojmë në një shkrim tjetër këtë dështim sezonal të tij).

Ecuria e këtij Kampionati për deri te finalja e katërshes, mendojmë se do t’i provojë, ashtu si vitin e kaluar, të gjitha këto të meta. Ky nuk është një mendim subjektiv. Është një mendim që qëndron i fortë si titulli i këtij shkrimi: “Problematika kritike”!

Çfarë duhet bërë? Si të thuash, me dorë në zemër, të anulohet skema e katërshes e këtij Kampionati. Kjo sepse të vazhdosh të qëndrosh në gabim atëherë e ke thelluar gabimin. Ndërsa kur e pranon gabimin dhe e ndreq atë, ke shpalosur veç ndershmëri.

Dhe po e mbyllim duke përsëritur edhe këtu sentencën e famshme latine: “Errare humanum est, perseverare diabolicum” – “Me gabue është njerëzore, me këmbëngul në gabim, është djallëzore”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"