PROBLEMATIKË E DITËS: Kalamendja pseudomoderne për “Final 4”
Nga BESNIK DIZDARI
“Kundër 4 fazave të mërzitshme”. (14 qershor 2023)
“Mos e denatyroni kampionatin e Shqipërisë”. (12 korrik dhe 21 korrik 2023)
“Partia më mirë sesa demokracia”. (22 korrik 2023)
“Kundër formulës së Shqipërisë dhe e vërteta e asaj të Belgjikës”. (23 gusht 2023)
“Ashtu siç e humbi Flamurtari më 1997-ën”. (21 gusht 2023)
“Padrejtësitë e mëdha të kampionateve të Shqipërisë”. (4 dhe 9 nëntor 2023)
“Kampionati pa spektatorë dhe fenomeni ‘Egnatia’”. (16 dhjetor 2023)
“Kampionati sensacional i Shqipërisë 2024”. (1 shkurt 2024)
“’Të parëndësishmet’ e rëndësishme dhe rreziku i ‘Kryeqytetomanisë’”. (11 shkurt 2024)
Këta janë titujt e disa shkrimeve që më janë botuar këtu nga “Panorama Sport”, ndonjëri edhe në “Panorama”. I janë kushtuar organizimit skematik dhe çorganizimit “të përsosur” të kampionatit të Shqipërisë 2023-2024. Këtu po i citoj edhe me kuptimin e fjalës “kalamendje” që nënkupton diçka midis hutimit e trullosjes.
Mandej po vazhdoj me përcaktimin anglo-amerikan “Final 4”, që nuk po pushon së dali, sidomos nga zëri i gazetarëve. Me gjasë për t’u treguar modernë për një organizim të kampionatit të Shqipërisë 2023-2024, që veç moderne ai nuk ka asgjë. Ka vetëm çoroditje, deformim të plotë të garës, pa shkuar te tradita e konsoliduar, për titullin kampion. Ka vetëm shuarje të arritjeve të një viti gare për skuadrat. Ka vetëm artificialitetin e plotë të garës. Ka vetëm njëanshmërinë kryeqytetase. Ka vetëm denatyrim të plotë të garës për titullin kampion. Ka vetëm shuarje të arritjeve të një viti kampionat për skuadrat. Madje, duke i thënë “ndal” deri dhe spektatorëve të skuadrave për të cilët kujtojnë se do të udhëtojnë me nxitim për të ardhur në Tiranë për këtë farë “Final 4”. Pse jo, për të parë ndoshta edhe se si e dorëzon titullin skuadra e tyre e cila e “ka fituar” një herë në bukur 36 javë kampionat. E plot e plot të tjera kësisoj, të cilat besoj do t’i përjetojmë deri aty sa s’ka ku shkon më!
I rikujtova titujt e këtyre shkrimeve të botuar në faqet e kësaj gazete, kundër këtij çorganizimi, për të ripërmendur se çka kemi trajtuar e analizuar. Por i kam vendosur këtu edhe me shpresën për të ndikuar tash në diçka tjetër…
E di, nuk i rregullojnë shkrimet këto punë, sado të vërtetë e të argumentuar të jenë. Kjo sidomos në Shqipëri ku ndikimi i tyre po bije përherë e më poshtë për të gjitha problematikat e jetës së shqiptarëve. I kujtoj këto shkrime edhe për hir të ndershmërisë së një lloj gazetarie kritike, që nuk pajtohet me të metat e mëdha të jetës së shoqërisë së një kombi. Çka gazetaria e ka ligj të saj.
E dimë tashmë të gjithë se kampionati do të organizohet ashtu siç është vendosur dhe e dimë se shkrimet tona shkuan dëm. Tash dimë vetëm një gjë: që katër skuadrat e para të 36 javëve, do të luftojnë për pseudotitullin kampion në fushën jo asnjanëse të stadiumit të Tiranës. Dhe them “pseudotitull”, sepse nuk mund të pranohet që me një ndeshje të vetme, t’ia humbasësh bie fjala, Egnatias së Rrogozhinës titullin, që ajo mund ta ketë fituar në javët maratonomake të një viti të tërë.
I vendosa këto të tituj të shkrimeve edhe për një lloj shprese të re, pra. Është ajo që më sipër e cilësova si “diçka tjetër”. Është shpresa se mos këto ditë, pa mbaruar ky kampionat, sunduesit e futbollit në Shqipëri do të paraqesin pa vonesë pra, rikthimin te formula klasike e zhvillimit të kampionatit për stinën e ardhshme 2024- 2025. Çka do të ishte edhe një “meaculpa” në kohën e duhur, përveç të tjerave, më qytetare se kurrënjiherë, duke flakur tej përcaktimin artificial, gjasme angloamerikan, “Final 4”.
Dhe interesant vërtet! Përse Gjermania nuk e zhvillon kështu “shqiptarçe” kampionatin e saj? Madje, përse as Anglia, as Italia, as Spanja, as Franca dhe as mbi 90 për qind e shteteve të Botës? Çka dreqin kemi që i ikim shumicës e shkojmë te pakica e pakicave? Don me shpikë Shqipëria e vogël? Me sa duket don ta bëjë ajo revolucionin botëror të futbollit, ndërsa ka një prej kampionateve kombëtare më të papeshë në botë!…
E di, askush nuk do të shkojë e t’iu kthehet shkrimeve tona. Por, ndoshta titujt e mësipërm mund të ndikojnë paksa që t’iu bëjnë që të nisni e të shëroheni sa më parë prej “kalamendjes” së “Final 4”. E të filloni dhe të reflektoni sado pak për të mos u pajtuar me cenimin e pamëshirshëm ndaj vlerave të vërteta të një kampionati kombëtar të futbollit të një shteti. Nuk besoj se mund të kalamendeni deri aty sa të besoni se stadiumi “Air Albania” do të thërrasë gjithë Shqipërinë për në “gjirin e vet” e të gaboni duke besuar se po mbarohen biletat një muaj para ndeshjeve. “Final 4” i Shqipërisë nuk është Kampionati Europian i “Gjermani 2024”.
Jam i bindur se nuk po guxoj fort kur shkruaj kështu. Shkruaj kështu sepse mahnitem se si ka mundësi që kultura e organizimeve të Kampionatit Kombëtar 95- vjeçar të Shqipërisë, mund të shndërrohet në “Kupë të Republikës”. Që dihet, ka për themel organizativ ndeshjet me eliminim me vetëm një apo dy takime, siç po ia rrëmben ky kampionat. Ndonëse Kupa ende ekziston, nuk e ka fshirë historia.
Megjithatë, siç thuhet në zhargonin e bisedave të kafeneve, “iku kjo punë”. Dhe 180 ndeshjet e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, për pak do t’i marrë lumi, do të fiken e vështirë t’i kujtojë më historia.
Dhe fundi që na thotë se është vërtet e çuditshme se si e pranuan këtë skemë presidentët e klubeve. Se sa për trajnerët, dihet, janë të nënshtruar ndaj tyre. Fort e çuditshme pra, se si ndodhi që heshtën, që nuk bëzanë. Me përjashtim të ndonjë gjysmë zëri apo një si pëshpëritjeje, natyrisht të pa asnjë ndikim.
Dhe ajo më e rëndësishmja: mirë që e pranuan pa bëza, por a thua e duan kështu edhe për sezonin 2024-2025? Më lind kjo pyetje pse e shoh që edhe për këtë, asnjëri prej tyre nuk bëzan.
Të nderuar presidentë të klubeve të futbollit të kampionatit të Shqipërisë, a vërtet jeni nënshtruar deri këtu? Dhe papritmas, mu kujtua kjo tjetra, Liga Kombëtare e Futbollit. Që dihet, është kjo që iu siguron pavarësinë tuaj në mbarështrimin e kampionatit të Shqipërisë. Nuk e keni! Me sa duket, nuk e doni. E kanë thuajse gjithë shtetet e botës.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"