Bajrami ka qenë kyçi i rrezikshmërisë sonë në sulm, por tani…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2024 | 20:22

Bajrami ka qenë kyçi i rrezikshmërisë sonë në sulm, por tani…

Nga EDUARD ZALOSHNJA

Eduard-Zaloshnja

Qysh kur Nedim Bajrami debutoi me Kombëtaren shqiptare, kam mbajtur statistika të hollësishme për të gjitha minutat që ai ka luajtur me fanellën kuqezi. Sepse fantazist si ai rrallë i kanë ardhur Kombëtares tonë, i fundit në nivelin e tij mund të ketë qenë Ervin Skela.

Në totalin minutave që Bajrami ka luajtur me fanellën kuqezi, pothuajse 74% e aksioneve të rrezikshme tona, kanë patur atë si protagonist, ose me pasimin ndërtues të aksionit, ose me pasimin final para rrezikimit të portës kundërshtare, ose me finalizimin e rrezikshëm të aksionit. Jo më kot, klubi italian, Sasuolo, pagoi 6 milionë euro për transferimin e tij nga Empoli.

Dhe teksa Bajrami po shkëlqente te Kombëtarja jonë, po shkëlqente edhe te Sasuolo, ai ishte protagonist në pozicionin e tij të preferuar të fantazistit para zonës kundërshtare (pozicioni klasik i numrit 10). Por në fund të fazës së parë në Itali, ai pësoi një dëmtim.

bajrami

Dhe vendin e tij e zuri norvegjezi Thorstvedt. Qysh atëherë, minutat e Bajramit në fushë kanë qenë më të pakta. Edhe kur ka qenë në fushë, ka luajtur më shumë jashtë pozicionit tij të preferuar, ka luajtur si gjysmë-sulmues krahu. Dhe vijmë te ndeshja kundër Kilit.

Në atë ndeshje, Bajrami luajti në pozicionin klasik të numrit “10”, ku ishte i presupozuar që me fantazinë e tij natyrale, të shërbente si një çernierë lidhëse e mesfushës me sulmin. Por mungesa e minutave të lojës në atë pozicion për klubin e tij duket se ndikoi që të mos shihnim atë Bajram që kemi parë gjatë eliminatoreve të Europianit. Kurse në ndeshjen me Suedinë Bajrami luajti si gjysmë-sulmues krahu (siç ka luajtur për Sasuolon muajt e fundit).

Por me Suedinë nuk shkëlqeu, ndoshta edhe pse nuk ishte në pozicionin e tij ideal, por edhe pse mund të jetë jashtë forme.

Në muajt në vazhdim duhet parë se ku dhe si do të luajë Bajrami me Sasuolon. Në qoftë se ai e rikap formën që kishte para janarit, është padiskutim futbollisti ideal për sistemin 4-2-1-3 të Silvinjos (në pozicionin numër “10”). Përndryshe, duhet menduar për një sistem 4-4-2, me katër mesfushorë puro difensivë dhe me vetëm dy sulmues nuhatës të golit…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"