Bastet e bllokuara, nga Rama apo Komisioni?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2025 | 11:27

Bastet e bllokuara, nga Rama apo Komisioni?

Nga GERT ÇARÇANI
Që prej tetorit të 2018-tës kur prezantoi likuidimin e aktivitetit fizik të basteve asokohe në territorin shqiptar, për ta bërë më pas fakt në 1 janar 2019, vullneti kryeministror është rikthyer para dy vitesh, duke rihapur procesin e legalizimit “online” të basteve. Pra, atë që është në funksion të plotë tashmë në të gjithë territorin si aktivitet ilegal, e që Komisioni Ad-Hoc Nderministerial ka muaj që e mban të bllokuar, duke u fshehur ndoshta, edhe pas… Edi Ramës.

2532

Ose të paktën kështu lë të nënkuptojë nga mosveprimet e deritanishme. Nga bastet sportive, prej të cilave sporti pritet të marrë e të përfitojë një korridor të konsiderueshëm financimi (por mbi bazë projektesh, jo me shumë konkrete siç dikton edhe ligji i ndryshuar) që nga marsi i vitit të kaluar kur kaloi në Parlament, më pas në Botimin në QPZ, e deri më tani nuk ka asnjë lëvizje që të rinisë procesin për të marrë vendimin e parë për licencën e parë zyrtare e më tej, për të gjithë aplikantët e tjerë. Por, për të ardhur deri këtu, duhet hapja e procesit që Kryetari i Komisionit, z.Gjergji Taho, nuk ka vendosur ende ta hedhë si hap ligjor, dhe ta bëjë fakt. Duke qenë koshient absolut në anën tjetër që aktiviteti vazhdon të jetë prezent në çdo cep të territorit shqiptar. Ky komision është ngarkuar me Urdhër-Ministri pikërisht për procesin e licencave për bastet sportive dhe lojërat e fatit (Kazinotë), teksa në mbi 20 mbledhje të deritanishme që ka kryer, ato kanë qenë, thjesht dhe vetëm formale. Anëtarët shohin njeri-tjetrin në sy, shohin njeri-tjetrin çfarë kanë veshur e si kanë qenë dhe në fund nuk dalin në asnjë vendimmarrje. Përtej faktit që prej marsit të kaluar kur është miratuar ligji “Për disa ndryshime në Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Kazinotë” nuk kanë dalë ende aktet nënligjore, sërish Komisioni Përkatës nuk e prek procedurën për ndarjen e licencave për bastet “online”.

Për momentin, hapja e procesit për dhënien e licencave për bastet në rang kombëtar është stopuar. Këtë proces nuk e pengojnë kurrsesi aktet nënligjore, pasi Komisioni është prej muajsh i ngritur. Por, pse Kryetari dhe vetë Komisioni Ndër-Ministerial i ngritur enkas për këtë punë heziton të hapë procesin legal “online”? Edhe këtu shtrohen disa deduksione që hanë diskutim: 1. Së pari: Kompanitë me dëshirë aplikuese, ose të interesuarit për Licencë nuk kanë ende gati dosjen e plotë siç dikton Ligji për të konkurruar për marrjen e një License Online të Basteve. 2. Së dyti: Guximi i iniciativës ligjore nga Komisioni për të zbatuar atë që është miratuar në Parlament me justifikimin që “nuk do ende ai lart” (për Kryeministrin). 3. Së treti: Vullneti në heshtje i jo pak operatorëve aktualë që ky proces të rrijë kështu për sa më shumë kohë.

E ku natyrisht arsyet dihen apo vetëkuptohen. 4. Së katërti: Mbase vetë Komisionit (jo të gjithëve) i Konvenon apo edhe i “shijon” një situatë e tillë “stand-by” për të mbajtur pezull një proces dhe për të dhënë ende Licensën e Parë. 5. Apo së pesti, edhe një sinjal konfidencial që e lidh këtë proces drejtpërsëdrejti me zgjedhjet e 11 majit, si një çelës real bllokues për impaktin social, paçka se “userat” po pëlcasin njësoj sa edhe retorikat politike. Janë këto disa anekse që lidhen direkt me procesin që ka një interes të gjithanshëm, por që ka mbetur në “pit-stop” prej muajsh. Vetëm gjatë vitit 2023 ka patur një “turn-over” prej 1.7 miliardë eurosh qarkullim të parave të basteve në të gjithë Shqipërinë, e ku nga detyrimet tatimore që do të vileshin nga shteti, shuma do të kalonte për sportin, inovacionin dhe kulturën. Operatorët që duan të aplikojnë nën zë thonë se i kanë gati letrat (nënkupto dosjen aplikuese), teksa në anën tjetër Procesin e thirrjes së Aplikuesve për marrje Licence duhet ta hapë pikërisht Komisioni në Fjalë, me propozim të Kryetarit të tij. Sipas Ligjit në fjalë që zyrtarisht ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit të kaluar, të dhjetë kompanitë e licencuara (pra priten të jepen deri në 10 licenca, e ku nuk dhënë ende e para) brenda datës 15 të çdo muaj duhet të derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm 15 % të ardhurave bruto nga loja, kurse lojtarët do të tatohen mbi bazë të të ardhurave që sigurojnë, pra me fasha nga 13 deri në 23 %.

Të ardhurat e përfituara nga zbatimi i këtij ligji do të shërbejnë për krijimin e Fondit të Posaçëm për mbështetjen e projekteve në fushën e sportit, kulturës dhe teknologjisë së inovacionit. Por, procesi ka ngecur te Komisioni, i cili, ose është në fazën e Komoditetit për ta mbajtur të tillë situatën, me ligj të miratuar, por me proces të bllokuar. Por, një tjetër argument tepër bazik është edhe që operatorët që shfaqin interes për licencë nuk kanë letrat ende në rregull, për shumë arsye (përfshirë edhe mosnjohjen deri në detaj të plotësimit të dosjes Aplikuese) për ta dorëzuar në AMLF (Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave te Fatit). Por, për të vërtetuar këtë duhet vendimi i parë i Komisionit: Hapja e procesit dhe shpallja e kohës për sjelljen e dosjeve aplikantëve për licencë. Ndërkaq, alibia mbi vullnetin e Kryeministrit (që nuk do t’i hapi ai burri!) ha diskutim shumë të madh e ndoshta bie fare për t’i lënë shtrat sa më komod veprimi, situatës aktuale. Më shumë se kujtdo kryeministrit dhe Qeverisë së tij i konvenon një shtrat legalizues i aktivitetit të lojërave të fatit, se sa disa rezultate rutinë pa peshë të operacioneve policore, që dalin kur duan dhe ku duan për të “sulmuar” të zezën.

Në të njëjtën kohë, edhe vetë operatorët duan një orë e më parë të marrin licencën e të bien rehat në raport me ligjin dhe legalen, në raport me shtetin dhe fiskalen. Por, për të ardhur deri këtu, çelësi ka mbetur te Komisioni Ndërministerial për dhënien e Licencave që nuk ka hapur akoma këtë proces pa dhënë asnjë arsye. Është e tepërt të mendosh e të shkruash që Komisioni legal kërkon të mos hapë legalen, por ky është fakt dhe fakti është kokëfortë, ndërsa opinioni shpesh prodhohet mbi të, derisa të vërtetohet e kundërta…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"