Pikiata sportive, çudia me bastet dhe viti zgjedhor…
Ka hyrë 2025-ta! Vit me një ngarkesë të madhe specifike politike, por natyrisht edhe me një tjetër mungesë vëmendjeje të madhe për atë pak sport që prodhohet, përtej pjesës së futbollit, që edhe pse është një institucion me një stabilitet financiar më vete, sërish në momente të veçanta e ka të domosdoshme ndërhyrjen shtet, të paktën në aspektin legjislativ.
Po pse viti zgjedhor e harroi sportin? Arsye ka plot, sikundër edhe alibi për ta rrëzuar këtë argument gjenden plot, por disa fakte janë të pashmangshme: 1. Projekt-ligji për Sponsorizimin që ka mbetur në sirtarët e Ministrisë së Financave. 2. Bastet sportive të bllokuara totalisht, edhe pse ligji është miratuar! 3. Buxhetet e federatave sportive që mbetën në të njëjtën kuotë fikse si këto vite! Janë tri kolona bazike, përkundrazi tejet të domosdoshme, që shteti dhe Qeveria i kanë lënë tërësisht jashtë vëmendjes dhe prioriteteve. Natyrisht mund të ketë problematika dhe halle shumë më të mëdha në këtë vend, por në sport këto mbeten ende lëvizje të munguara! Ligji për Sponsorizimet dhe procesi që nuk ka nisur ende! Një ligj që kërkohet prej vitesh, kryesisht nga futbolli, për të normalizuar sistemin e brishtë dhe tërësisht në rrezik të financave të klubeve shqiptare. Një nismë që Rama ka premtuar në biseda konfidenciale ta zgjidhë, futbolli e ka asimiluar si një premtim dhe pret. Por, edhe 2024-ta iku pa lëvizjen më të vogël për një korridor më operativ financues për klubet dhe për një afrim më logjikë në terma marketues të biznesit afër futbollit. Shteti shqiptar, ose nuk do ta bëjë, ose baza burokrate poshtë, vetëm “vjell argumente fake” për ta frenuar si një proces tejet të nevojshëm për klubet. Në anën tjetër vetë pala e interesuar mbetet ende në atë pritjen e kortezisë për të bërë fakt atë që logjikisht është pranuar nga vetë Rama si një zgjidhje për pjesën financiare të klubeve dhe rritjes së tyre ekonomike. Apo, akoma më tej, shmangies së informalitetit, edhe në futboll. Ligji për Sponsorizimin mbetet ende një ëndërr e bukur për të gjithë presidentët e futbollit, por… dikush duhej t’ia risjellë në vëmendje Kryeministrit që procesi duhet të nisë. Në një mënyrë, apo tjetër, mbase nuk prodhon vota, por do të prodhojë besim dhe bindje.
BASTET SPORTIVE DHE BARCALETA E FONDEVE
Pse barcaleta? Sepse ka kaluar ligji, nuk dalin aktet nënligjore dhe më shumë vullnet ka për ta mbajtur këtë proces siç ka qenë, se sa ti hapë rrugë legalizimit praktik. Nën rreshta, por edhe jashtë tyre shikohet qartë që Komisionit Përkatës i Ngritur për t’i hapur rrugën procesit të dhënies së licencave i konvenon stanjacioni i butë i vazhdimit të mbretërimit të së zezës mbi ligjoren, si një mekanizëm që ka vite që funksionon marshalla dhe ku dikush apo çdokush nuk del pa gjë. Gjithmonë, derisa kryetar Gjergji të rigjejë kurajën “e humbur diku” për të zhbllokuar një proces që ai vetë po e mban “pending” për një mijë arsye. E për sa kohë bastet nuk futen në shtratin ligjor, edhe në këtë pikë sporti do të vazhdojë të jetë në kolonën zero të përfitimit nga këto fonde. E në ritmet aktuale dhe ato që më pas dikton ligji për procedurë, edhe 2025-ta rrezikon ndjeshëm të nisë akumulimin e fondeve në një shportë të madhe, ku dhe sporti do të ketë aksesin, nëpërmjet projekteve (ligji dikton këtë formulë) të thithë donacione paralele nga ky burim të ardhurash.
BUXHETET E FEDERATAVE NUK LËVIZIN AS… CENTIN!
Ka mbetur po aq sa para disa vitesh, 1.5 milionë euro për 26 federata sportive. Krejtësisht të pamjaftueshme për të prodhuar sport, apo ndonjë event ndërkombëtar. Aq sa, pa ardhur korriku një pjesë e mirë e federatave që prodhojnë sport ngrenë duart për mbarimin e fondeve. Dhe në këtë moment, muzika është krejtësisht e qartë: “Vrisni veten, kaq keni!” Në një situatë të tillë, ajo që për hir të së vërtetës ndërhyri me emergjencë për të bllokuar një sherrnajë ishte Bashkia e Tiranës, që shtoi financimin e saj në nivel lokal, por edhe individual. Në ministri as nuk e “qethën” fare për buxhetet sportive, qoftë edhe vetëm të bënin ngritjet më minimale respektive për federata të veçanta. Qoftë, edhe sa indeksimi i fundit i pensioneve. As këtë nuk e bënë…! Ata ndihen krenarë dhe do të vazhdojnë të ndihen të tillë, për fondet e dhëna për shpërblimet (që nuk kanë asnjë lidhje me buxhetin qendror të sporteve), për alokimet e fondeve për projekte të veçanta (që edhe këto nuk kanë lidhje me buxhetin qendror të sportit), por në trungun final e financiar të tyre, zëri sport mbetet po ai i disa viteve më parë. Ndoshta Endri (zv.ministri), ose nuk e lënë të ndërhyjë, ose ka kuptuar që deri në një cak mund të flasë, e jo më të insistojë. Por, fakt është që në kaq vite zv.ministrore të tij, buxheti ka qëndruar po aq! Ogerta duhet ta dijë… ose më saktë e di mirë! Mjaftojnë edhe këto tri kolona stanjacioni për të konstatuar harresën, neglizhencën, a indiferencën shtet, quajeni si të doni në raport me sportin. Natyrisht kjo në aspektin e drejtpërdrejtë të financimit të të bërit sport. Sepse investimet me PPP për stadiumet respektive janë në proces, vazhdimi i investimit për “Ekipet sportive” në shkolla vijon të jetë aktiv, por Ligji për Sponsorizimin, Bastet dhe Buxhetet janë triumvirati i plotë për një kurim shumë më adekuat mbi sportin, për sportin dhe jashtë tollovisë së rrugës! Ramës i këndojnë “një mijë kumuri” për momentin, por vetëm një vullnet i fortë politik i tij do t’ua hapte rrugën këtyre proceseve!
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"