Opinion nga Neptun Bajko/ Goli hoqi një rëndesë, ja nga çfarë duhet të ruhemi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2024 | 20:22

Opinion nga Neptun Bajko/ Goli hoqi një rëndesë, ja nga çfarë duhet të ruhemi (E PLOTË)

Ishte një fitore shumë e rëndësishme në dy aspekte kjo kundër Gjeorgjisë. Së pari u fitua në fushë kundërshtare dhe së dyti erdhi pas një loje shumë të dobët të shoqëruar me humbje kundër Çekisë.MixCollage-15-Oct-2024-08-18-AM-7840Padiskutim që pritej një reagim nga ana e skuadrës, por gjithmonë në kuadrin e një kujdesi të madh në aspektin mbrojtës, duke luajtur me mendimin që të kapej kundërshtari në kundërsulmin tonë. Në pjesën e parë më duhet të them që Kombëtarja nuk luajti mirë dhe në shumicën e kohës të gjithë lojtarët ktheheshin në gjysmëfushën tonë, por përsëri me gabimin e vendosjes në 20-25 metra para portës. Një cilësi tjetër ishte që edhe pse në këto situata, pati durim dhe qartësi të qëndrueshmërisë në aspektin mbrojtës, duke ruajtur në të njëjtën kohë edhe një qetësi për të mos bërë gabime. Pavarësisht nga rendimenti i ekipit, lojës dhe veprimeve në aspektin e ritmit dhe dukurisë në pjesën e parë, një faktor i rëndësishëm ishte që nuk pësuam gol.

Ndërsa pjesa e dytë ishte më pozitive dhe kjo u lehtësua së tepërmi nga shënimi i golit. Megjithatë, vlerë kishte që mbrojtja u tregua shumë e kujdesshme. Strakosha, Ajeti dhe Ismajli jetonin përherë me lojën. Të tre ishin një siguri që na çoi në këtë fitore të rëndësishme, të ndihmuar sigurisht nga Balliu dhe Mitaj. Mendoj se kryesore ishte mbulimi i hapësirave dhe moslejimi i lojës vertikale, që uli në maksimum rrezikshmërinë e gjeorgjianëve, duke i bërë të pavlerë edhe veprimet individuale të lojtarëve të tyre.

SHPIRTI QË FITON PËRHERË

Kombëtarja pasqyroi karakter dhe mbi të gjitha në këtë ndeshje në Gjeorgji, unë vlerësoj atë që shpirti fiton përherë. E vlerësoj këtë cilësi, sepse qëndron mbi aspektin teknik dhe taktik. Ekipi ynë ka nevojë ta rrisi një vlerë kaq të rëndësishme, në një lojë si futbolli i sotshëm modern.

Gjithmonë e quaj jo të dobishme, që superioriteti numerik i një reparti, në kurriz të reparteve të tjera, nuk është garanci. Kjo u pa në ndeshjen me Çekinë dhe gjithashtu në pjesën e parë me Gjeorgjinë. Pra, edhe në pjesën e parë të ndeshjes së djeshme u luajt pothuajse 25 metra para portës tonë. Një mbrojtje e tillë nuk të lejon të dalësh me veprime të shpejta në sulm ose në kundërsulm.

NDRYSHIMET DHE MBROJTJA

Balliu në vend të Hysajt, Ajeti në vend të Kumbullës dhe Tuci në vend të Dakut. Silvinjo kishte bërë tri lëvizje, që ishin të kuptueshme nga të gjithë pas asaj që ndodhi me Çekinë. Problemi është që trajneri duhet t’i paraprijë këtyre situatave dhe jo të presë gabimet e lojtarëve. Megjithatë, për mua është shumë shpejt të jap një vlerësim të saktë për rokadën Tuci-Daku. Sigurisht që Tuci luajti mirë, ndërsa u përpoq të zbatonte detyrat mbrojtëse që i kishte vendosur trajneri. Duhet të kuptojmë që lojtarë si Tuci, Manaj dhe Daku, mbeten të vetmuar në veprimet sulmuese me lojën që bëjmë ne si ekip. Në këto kushte, mbrojtja kundërshtare e ka shumë të lehtë të bëj mbulimin e një qendërsulmuesi të tillë, duke ia ulur rrezikshmërinë.

Tuci pati vetëm një rast, që e shfrytëzoi mirë hapësirën, por pastaj rendimenti i tij ishte më tepër në aspektin mbrojtës, se sa në veprimet sulmuese. Sa i përket ndryshimeve të tjera në formacion, mendoj se Balliu dhe Ajeti i dhanë motivim skuadrës në fazën mbrojtëse. Ajeti pasqyroi siguri me vendosje shumë të mirë në zonë, duke shfrytëzuar mjaft mirë edhe lojën e ajrit, bashkë me Ismajlin.

Nuk bënë gabime dhe kjo ishte një plus i madh. Edhe ndërhyrjet në momentet e rrezikshme i kishin shumë të pastra dhe të motivuara sportivisht. Loja e tyre ka rënë në sytë e të gjithëve dhe nuk ka diskutim që duhen thënë fjalët më të mira dhe vlerësimi më i lartë. Balliu pati momente të një gjallërie dhe nuk bëri gabime. U mundua të aplikonte lojën e tij sulmuese në krah, por ishte shumë e vështirë. Gjithsesi, në aspektin mbrojtës u tregua i kujdesshëm dhe me rendiment, së bashku me Mitajn. E gjithë mbrojtja bëri mirë në tërësi, por me Strakoshën, Ajetin dhe Ismajlin në veçanti, ishte një treshe që i dha besim dhe siguri skuadrës.

PIKËPYETJET E TRAJNERIT

Më duhet të përsëris që pjesa e parë ishte vazhdim i ndeshjes me Çekinë, por patëm fat që nuk pësuam në dy-tre rastet e krijuara nga Gjeorgjia. Do të ishte fatale nëse do të pësonim në pjesën e parë. Ekipi ka potencial, ka vlera dhe këto u panë kur ne shënuam golin me Asllanin.

Kjo tregon që lojtarët dhe skuadra u çliruan nga një rëndesë e madhe që kishin në kurriz. Një çlirim i tillë rriti besimin dhe lojtarët luajtën me shpirt dhe zemër. Ata luajtën thjesht, duke mbajtur topin kur duhej mbajtur dhe e larguar kur duhej bërë diçka e tillë. Nga pikëpamja morale dhe psikologjike, ekipi ka nevojë të rritet bashkë me trajnerin dhe stafin e tij.

NDESHJET E NËNTORIT

Në nëntor kemi dy ndeshje shumë të rrezikshme për të shkuar te fitorja. E them këtë, sepse nga një anë do të tentohet patjetër fitorja, gjë që nuk është e sigurtë në asnjë ndeshje, ndërsa në anën tjetër, qoftë Çekia dhe qoftë Ukraina, do të vinë akoma më të mobilizuara në Tiranë. Pra, janë dy ndeshje që shpresoj të drejtohen nga trajneri dhe stafi, jo nga publiku.

Shpesh herë në takimet e luajtura në stadiumin “Air Albania”, skuadra shtyhet më tepër nga çfarë ka mundësi dhe këtë e bën prej entuziazmit të publikut. Kësaj gjeje duhet t’i rruhemi, sepse u pa edhe me Gjeorgjinë në ndeshjen e djeshme, ku lojtarët kundërshtarë dolën nga koncepti i tyre i lojës dhe vepruan siç donte stadiumi. Kjo mund të na ndodhi edhe neve, por mendoj se në nivele të tilla, këto gjëra janë të papranueshme

* Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë, pa lejen e kompanisë, do të ndiqet në rrugë ligjore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"