Ndeshja më e dobët e Shqipërisë, një organizim i çorganizuar (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2024 | 13:01

Ndeshja më e dobët e Shqipërisë, një organizim i çorganizuar (E PLOTË)

Kam synuar gjithmonë në analizën e një ndeshjeje të ekipit Kombëtar, të vlerësoj anët pozitive, sado që të jenë ato dhe si pasqyrohen në fushën e lojësMixCollage-12-Oct-2024-08-29-AM-806Të them të drejtën, në pjesën e parë kam parë një skuadër të çorganizuar në të gjitha aspektet. Jo vetëm si ekip, por edhe invidualisht, mendoj se me Çekinë nuk pasqyruam asgjë. Ajo që ishte më e spikatura, kishte të bënte me faktin se skuadra vuante në të gjitha drejtimet, qoftë në organizim, qoftë në lojë, por edhe në rreshtimin në kompleksitet. Për fat të keq, nuk dalloheshin as repartet dhe as individët. Pra, u pa një ekip që rreshtohej në mbrojtje në mënyrë jo efikase. Ishte një skuadër, që edhe pse kishte superioritet numerik në aspektin e mbrojtjes nga ekipi ynë, mund të nënvizoj se asnjëherë nuk kam parë që mbrojtja dhe mesfusha, së bashku me dy sulmuesit, të grumbulloheshin në një hapësirë 20 metra para portës. Po ta shikoje me kujdes, ishte një organizim i çorganizuar.

Kishte vendosje gabim të mbrojtësve, pasi nuk dallohej ku ishte mbulimi në zonë dhe markimi një për një. Asnjëri nga mbrojtësit nuk njihte kundërshtarin e tij, i cili lëvizte në gjithë gjerësinë e fushës. Pra, në këtë aspekt, mendoj se kjo është loja më e dobët që ka zhvilluar ekipi kombëtar, sa i përket pjesës së parë në takimin me Çekinë. Kjo vërejtje ose më saktë kritikë, bëhet më e plotë kur trajneri dhe lojtarët pretendonin para ndeshjes se e njihnin shumë mirë kundërshtarin dhe që nuk do t’u pëlqente as barazimi. Shkonin për të fituar në Çeki, por fusha e lojës dhe veprimet e çekëve, na treguan se ne nuk i njihnim mirë ata. Prandaj nuk kishim si t’i kundërviheshim, pasi kundërshtari na çoroditi. Mungoi krejtësisht kundërvënia jonë. Më bëri çudi teksa po ndiqja ndeshjen në TV dhe komentatori thoshte se na duhet edhe pak fat. Këtë e përsëriste herë pas here. Dihet që fati luan një rol të rëndësishëm në çdo aspekt të jetës, aq më shumë në futboll. Mirëpo, dihet gjithashtu, se fati ndihmon më të mirin.

PASIVITETI I TRAJNERIT Mendoj se duhet të jemi më modestë para ndeshjeve. Unë e kuptoj që besimi duhet të jetë gjithmonë përcaktues në rendimentin e një ekipi dhe në drejtimin e një trajneri. Mirëpo, kjo nuk duhet të ushqehet që të marri formën thjesht të një propagande. Çdo ndeshje, çdo situatë, duhet të jetë për trajnerin, stafin dhe lojtarët, një burim mësimi dhe përvoje, ku përfshihen të gjitha: ankthi, stresi, gëzimet, dëshpërimet, fitoret dhe mossukseset. Në këtë aspekt, edhe trajneri Silvinjo, që u mundua të rigjallëronte ekipin, nuk duhet ta shikojë në mënyrë pasive rrjedhën e lojës. Trajneri nuk mund të presë derisa të vijë gabimi, por ta parashikojë dhe të marrë masa. Pra, të marrë masa pa marrë atë goditje që nuk mund të riparohet. Edhe stafi, edhe ekipi, duhet të jenë me këmbë në tokë dhe mendje të ftohtë kur bëjnë këto parashikime.

DAKU NUK E BËN DOT CIKALLESHIN Unë nuk mund të futem në detaje të hollësishme, që pse luan ky lojtar apo ai tjetri, por mund të nxjerrim konkluzione mbi bazën e vendimeve që merr trajneri. Për shembull, Daku nuk e bën dot kurrë punën që bënte Cikalleshi në mënyrën se si luante kjo Kombëtare deri vitin e kaluar. Në këtë ndeshje me Çekinë, nuk munguan vetëm dy-tre lojtarë, por në pjesën e parë nuk funksionuam në asnjë lloj aspekti. Vërtet ekipi mund të luajë në mbrojtje, por nuk e kam parë ndonjëherë që të bashkohen të dyja repartet, mbrojtje dhe sulmues, plus Asani dhe Daku. Këta të dy vinin për të bërë aspektin mbrojtës, por aty krijohej një mosmarrëveshje e organizuar. Asnjë nuk e dinte se çfarë do bënte dhe kjo është një gjë që më bëri shumë përshtypje. Ndonjëherë trajneri ka besim të tepruar te disa lojtarë. OK, mungonin Manaj, Broja, Gjimshti etj, por çfarë bëri me Çekinë reparti i mesfushës?!. Nëse i merr lojtarët një e nga një, nuk bënë asgjë. Nuk lanë asnjë gjurmë, duke filluar nga Asllani, Ramadani, Laçi apo Bajrami. Në 90 minuta lojë, përjashto një pasim të Laçit për Asllanin, asgjë nuk pashë. Pastaj nëse flasim për mbrojtjen, Mitaj ishte i humbur totalisht, Kumbulla i çorientuar dhe nuk u pa fare. Nuk e di çfarë roli bënte?! Ismajli, edhe pse lojtari më në formë, nuk u pa fare. Pastaj, Hysaj i lënë në vendin e vetë si babaxhan, nuk kemi çfarë të themi! Të mungojë një mënyrë loje kaq komplekse, nuk ka se si të bësh performancë të mirë. Sigurisht që skuadra edhe humbet, por diçka pozitive mbetet. Mirëpo, pas kësaj ndeshjeje nuk kemi çfarë themi, pasi kishte shumë probleme.

NDRYSHIMET ME GJEORGJINË Në këtë situatë, duke e parë edhe nga pikëpamja psikologjike, një trajner duhet t’i ruhet frikës së humbjes. Kjo është thjesht morale dhe psikologjike në përgatitjen e ekipit. Silvinjo duhet ta shikojë me vëmendje takimin me çekët, pasi ekipi ka pasqyruar shumë gabime, që nuk lejohen në kompeticione të tilla. Trajneri mund të ndryshoj diçka edhe në formacion, për ta freskuar ekipin dhe për t’i dhënë gjallëri lojës. Për shembull mendoj se duhet të bëjë dy ndërrime. Hoxha të futet në fillim dhe jo më 20 minuta, që nuk ka se çfarë të bëjë në situata të atilla si me Çekinë. Nga ana tjetër, Daku të mos lejohet të tërhiqet në zonën tonë, me përjashtim të goditjeve nga këndi. Në asnjë mënyrë, sepse gjithë ekipi kundërshtar të vjen dhe të mban aty.

* Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë, pa lejen e kompanisë, do të ndiqet në rrugë ligjore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"