Në pjesën e parë nuk ekzistonim, kemi mentalitet humbës! (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2024 | 21:33

Në pjesën e parë nuk ekzistonim, kemi mentalitet humbës! (E PLOTË)

NGA NEPTUN BAJKO 

Kush lufton sot në futboll edhe mund të humbasë ndeshjen, por ai që nuk lufton, është i humbur që në nisje të saj! Kjo thënie është tipike për atë që na ndodhi mbrëmë kundër Ukrainës, pasi ishte një ndeshje që Shqipëria e humbi që në start.

vv

Kjo tregon mentalitetin e ekipit tonë dhe sidomos të trajnerit, i cili është i pushtuar nga frika e humbjes. Në analizën që bëra pas barazimit me Çekinë, jo më kot theksova se kundër Ukrainës do ta kemi më të vështirë.

Kam thënë se përballë do të kishim një skuadër teknikisht të mirë dhe me individë të spikatur, që bëjnë një lojë krejt ndryshe nga Çekia. Ukraina është një ekip që ndryshon ritmin e lojës me anë të qarkullimit të topit dhe daljes së befasishme në manovrën sulmuese me 7-8 lojtarë. Prandaj e parashikova si një ndeshje më të vështirë se ndaj çekëve dhe ashtu ndodhi.

DY “FYTYRAT” E KOMBËTARES

Ishte një takim që u nda në dy pjesë sa i përket asaj që bëri Shqipëria në fushë. Në pjesën e parë, me formacionin që kishim, ne luajtëm keq, duke qenë shumë të paqartë. Nuk ekzistonte organizimi nga mesfushorët.

Nga ana tjetër, bashkëveprimi mbrojtje, mesfushë dhe një sulmues e gjysmë që kishim, bashkë me Muçin, nuk ishin të aftë të shkonin drejt portës për ta goditur Ukrainën. Kjo ishte një pengesë e madhe, ndërsa në pjesën e dytë ndodhi një ndryshim, që ishte i njëjtë si me çekët. Pra, ekipi ndryshoi në përbërje dhe në cilësitë e lojtarëve që u aktivizuan.

Gjithashtu ndryshoi nga individualiteti e tyre teknik, që i dhanë skuadrës gjallëri, duke e detyruar Ukrainën të luante me kujdes në mbrojtje. Pra, me lojtarë si Uzuni, Muçi, Hoxha dhe Bajrami, që janë me aftësi të mira teknike, u bë ndryshimi i ndeshjes.

I dhanë befasi dhe krijimtari veprimeve të skuadrës. Fakti që ekipi ndryshoi në pjesën e dytë erdhi si pasojë e këtyre lojtarëve. Ndeshja u humb në pjesën e parë dhe u vërtetua plotësisht ajo që thashë në fillim, që kush nuk lufton është i humbur që në nisje. Analizat do t’i bëj sigurisht trajneri dhe do të dali në përfundime, por konkluzioni më i hidhur është se ne mbetëm të fundit në grup.

FORMACIONI DHE NGARKESA

U aktivizua për herë të parë Muçi titullar, por në këtë situatë, ajo që mund të them për trajnerin është se së pari ka të bëjë shumë ana psikologjike ose më saktë vetëbesimi që trajneri te ekipi, por edhe si se si i përgjigjet grupi Silvinjos. Duke u nisur nga kjo, ne kemi thënë që skuadra pjesët e para i ka luajtur gjithnjë me frikën e humbjes.

Pra, kjo nënkupton që më tepër ekipi përqendrohet te detyrat mbrojtëse, në mënyrë që të mos gabojë, se sa të mendojë si të shkojë në sulm drejt portës kundërshtare. Në këtë aspekt, unë mendoj se lojtarët janë të ngarkuar psikologjikisht, pavarësisht se nuk e shfaqin në prononcimet që japin pas ndeshjeve.

Ata janë në dilemën që të tregojnë aftësitë e tyre apo të zbatojnë thjesht detyrën që u jep trajneri, që në shumicën e rasteve janë në aspektin mbrojtës. Vërtet nuk duhet pësuar, por ja që të vjen një ndeshje e tillë si kundër Ukrainës, që ose të çon në fillim ose në fund. Mentaliteti i humbjes mbizotëron në ekip nga fillimi deri në fund.

NUK EKZISTONIM, VETËM BALLIU…

Në pjesën e parë nuk ekzistonim, pasi nuk kishim organizim në mesfushë dhe sulm. Asllani nuk dihej se çfarë luante në këtë pjesë të parë, duke u kthyer shumë mbrapa. Edhe Laçi po ashtu, ndërsa Ramadani u interesua që të mos dilte nga pesëshja e mbrojtjes. I vetmi që jepte shkëndija për një tjetër mënyrë loje ishte Balliu, i cili u bë mbështetës i të gjitha veprimeve në krahun e djathtë. Pati edhe disa veprime pozitive të Muçit, por që ishin thjesht individuale dhe nga aftësitë e tij, ndërsa tjetër gjë nuk u pa në skuadër.

Lojtarë kanë vetëm një dëshirë: të luajnë. Mjafton të jenë gati në momentin kur u jepet shansi. Në këtë aspekt, emra si Uzuni, Muçi dhe Hoxha i dhanë një përgjigje shumë të qartë Silvinjos. Kjo u pa edhe në këtë takim, se çfarë zbukurimi i dhanë ata me mënyrën e lojës. Tre-katër lojtarë ndryshuan komplet ndeshjen në pjesën e dytë. Mënyra se si e nisëm me Ukrainën, ka të bëj në radhë të parë me konceptin. Nëse nisesh nga një koncept që ekipi do të luajë dhe do të zbatojë ato detyra që ndihmojnë veprimet sulmuese, duke shfaqur aftësitë e plota teknike, taktike dhe fizike.

Pra, që e ndihmojnë ekipin të godasi portën, këto janë kritere që çdo trajner duhet t’i di dhe aplikojë. Kjo aplikohet me cilësitë e lojtarëve, nuk diskutohet. U pa qartë që Hoxha ndryshoi komplet lojën, pasi hyri në dyluftime, dribloi, kapi fundoren dhe u bën një lojtar që fuste panik për Ukrainën. Edhe Uzuni me lëvizjet që bëri me top dhe pa top, krijonte hapësira me mënyrën e lojës vertikale.

E ARDHMJA DHE MOTIVACIONI I RI

Unë mendoj se kjo Kombëtare ka kualitetet, ka lojtarë me të dhëna të mira, që luajnë në klube të njohura në Europë. Janë 25-26 futbollistë të denjë dhe rikthimi i Gjimshitit, Brojës e Kumbullës, do t’i japi fizionomi tjetër ekipit. Por, gjithmonë ne duhet të jemi të thjeshtë, ta shikojmë futbollin ashtu siç është. Pra, jo me fjalë dhe entuziazëm të tepërt. Edhe zhgënjimi ndodh, por lojtarët e vlerësojnë edhe Kombëtaren, edhe veten e tyre nëpër ekipe.

Kur vijnë këtu, japin më të mirën, por kjo më e mira duhet gërshetuar drejt. Duhet krijuar një ambient i ngrohtë, një motivacion i ri. Është e vështirë të rigjesh tani motivacionet. Ajo që ka më tepër rëndësi dhe unë e përsëris herë pas here, është në mentalitetin e futbollit tonë të mëparshëm që trashëgohet çuditërisht edhe tani. Pra, frika e humbjes. Gjithmonë ekipi futet me këtë frymë në fushë. Pjesët e para këtë edicion kanë qenë të gjitha të dobëta.

Duhet punuar në këtë aspekt me ekipin psikologjikisht në mënyrë individuale dhe kolektive. Është e vështirë të heqësh këtë nëse nuk kultivohen gjëra në pikëpamjen e bisedave, formimit dhe edukimit të lojtarëve, edhe pse ata janë profesionistë. Ka pasur vlera futbolli jonë dhe i ka shfaqur në çdo aspekt. Ne nuk shohim tashmë një karakteristikë të veçantë të futbollit të Kombëtares tonë, që të jetë tipike shqiptare.

Dy-tre gjëra duhet të pasurohen. Vërtet luajmë në aspektin mbrojtës, në gjysmëfushën tonë, por ama veprimet në kundërsulm, në shpejtësi dhe goditjet në portë, duhet të jenë arma plus, sidomos për ekipin tonë. Tifozët tanë e duan ekipin Kombëtar dhe e mbështesin në çdo moment, edhe kur kalon moment krize. Kjo lidhje duhet pasuruar dhe çuar më tej.

* Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"