Shqipëria bindi vetëm 45 minuta, ja rreziku kundër Italisë (E PLOTË)
Nga NEPTUN BAJKO
Ishte një miqësore me vlera kjo kundër Azerbajxhanit. Ajo që më bëri përshtypje të veçantë ishte mënyra e lojës së ekipit, pavarësisht kundërshtarit që kishim përballë, pasi pashë një kujdes të jashtëzakonshëm nga lojtarët për të zbatuar detyrat e dhëna nga Silvinjo.
Një nga këto detyra, siç u kuptua nga mënyra e vendosjes, ishte që ekipi me të humbur topin, i gjithi të rreshtohej në gjysmëfushën e vetë, për të bërë aspektin mbrojtës në bllok. Kjo ishte një detyrë me përcaktim dhe lojtarët u munduan të pasqyronin në fushë përballë Azerbajxhanit të gjitha udhëzimet. Ishte një ndeshje që pati dy pamje për mënyrën se si u zhvillua. Në pjesën e parë aspekt pozitiv ishte freskia fizike e disa lojtarëve. Ajo që më ra në sy ishte lëvizshmëria, si me top dhe pa top e Mitajt, rendimenti i jashtëzakonshëm i Ramadanit, si dhe gjendja shumë e mirë psikofizike e Bajramit, i cili u dha një impuls më shumë veprimeve tona në sulm.
Sigurisht që kjo ndeshje konfirmoi edhe një herë gjendjen shumë të mirë të Gjimshitit. Në të njëjtën kohë, padyshim që ne presim një rritje të lëvizshmërisë dhe forcës atletike të Asanit, Brojës dhe Asllanit, për të qenë në nivelin e formës së tyre më të mirë në ndeshjen me Italinë. Siç kuptuam edhe nga mënyra e lojës, vendosja e skuadrës dhe detyrat e përcaktuara, lojtarët luanin në fushë, por mendjen e kishin te ndeshja me Italinë. Kjo ndikoi disi, edhe pse kishim mundësi t’i reduktonin në maksimum mbajtjet e tepruara të topit. Anë pozitive tjetër në këtë ndeshje ishte sigurisht rezultati, sepse dy fitore radhazi me tre gola, pavarësisht nivelit të kundërshtarëve, në aspektin moral dhe psikologjik bëjnë mirë.
PROBLEMET NË PJESËN E DYTË
Pjesa e dytë pasqyroi gabime të shumta në aspektin mbrojtës. Një lojë deri diku e çorganizuar, me lojtarët që s’kishin një mendim të qartë se si mund të dilnin në veprimet sulmuese. Shpesh herë bënin vetëm veprime individuale, me mbajtje topi jashtë mase dhe driblime të kota pa ndonjë qëllim të caktuar. Tërheqja e skuadrës në mbrojtje gjatë kësaj pjese, mund të ishte edhe një orientim i trajnerit në kushte loje si përgatitje për strategjinë anti-Itali.
Mirëpo, nëse vihemi në këto kushte mbrojtje me Italinë, unë mendoj se është shumë e rrezikshme. Me atë që pashë unë, detyrat e trajnerit ishin që të luhej në bllok në aspektin mbrojtës, por kjo nuk mund të bëhet vetëm brenda zonës së 16 metrave. Nëse ti i lejon italianët të të vijnë në 16 apo 20 metra me topin, atëherë çfarë kuptimi ka. Ti mund të luash në mbrojtje dhe t’i kesh kuptuar detyrat që të ka dhëna trajneri, por nëse mungon presingu ndaj topit dhe kundërshtarit, atëherë ajo mbrojtje nuk plotëson qëllimet që ka caktuar Silvinjo.
FORMACIONI, 95% SI ME AZERËT
Mendoj se në masën 95 %, ky që luajti me Azerbajxhanin do të jetë edhe formacioni i Shqipërisë në ndeshjen kundër Italisë. Pra, si i pjesës së parë. Ndryshimet mund të jenë të arsyeshme dhe ndoshta do të kemi ndonjë rokadë Ismajli-Ajeti. Ismajli ka qenë lojtar bazë në mbrojtje dhe ka formuar dyshen me Gjimshitin në qendër. Një dilemë e trajnerit mund të jetë për të përforcuar repartin e mesfushës me ndonjë lojtar tjetër, duke lënë përpara vetëm Brojën dhe Asanin. Mirëpo, në të njëjtën kohë, mund të theksoj se Seferi është një lojtar që plotëson detyrat mbrojtëse më mirë nga çdo tjetër në rolin e tij. Mendoj se këto dilema do të jenë deri në momentet e fundit për Silvinjon.
ITALIA DHE ÇFARË MË TREMB
Luajmë me Italinë dhe ajo që ndryshon është frika dhe stepja që mund të kemi kundër një ekipi të tillë, sigurisht në pikëpamjen psikologjike. Lojtarët mund të kenë momente disekuilibri dhe jo të qeta gjatë lojës, që mund të shfrytëzohen shumë mirë nga italianët. Fati i kësaj ndeshjeje zgjidhet nga karakteri, shpirti luftarak dhe dhënia gjithçka në fushë për 90 minuta. Ndikon ana psikologjike te lojtarët përballë kampionëve të Europës, sepse ata në çdo moment mund të na dënojnë. Unë u druhem shumë pozicioneve standarde, qoftë kornet apo goditjet e dënimit afër zonës.
Trajneri e di shumë mirë këtë dhe ka punuar për këtë aspekt. Mënyra e lojës tonë s’ka për të ndryshuar, por detyrat individuale dhe kolektive në këtë ndeshje duhen të jenë të pacaktuara shumë mirë. Është shumë e rëndësishme kur duhet bërë presingu ndaj topit dhe lojtarit kundërshtar apo kujdesi ndaj elementëve të rrezikshëm të Italisë.
Për ta bërë këtë duhet të kesh lojtarë të aftë dhe unë këtu druhem pak. Është një ndeshje që i ka të tria rezultatet dhe sado emër i madh mund të jetë Italia, edhe ata gabojnë. Nuk diskutohet që presioni është më i madh te ata dhe nëse bëjmë një krahasim banal që e pranon futbolli, është si ne me Lihtenshtejnin, që duke qenë superiorë, u futëm me atë mentalitet në fushë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"