Organizim perfekt/ 32 milionë euro në valle dhe 160 shtete, Superkupa tejkalon pritshmëritë! Arabia pret “ajkën” e Italisë
Inter dhe Atalanta, dy skuadrat më në formë të Seria A, që këtë sezon duket se do të luftojnë për titullin kampion, sonte duke nisur nga ora 20:00 do të përballen për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, që zhvillohet në Riyadh të Arabisë Saudite.
Ky është viti i dytë që Superkupa e Italisë zhvillohet me sistemin e dy gjysmëfinaleve dhe një finaleje, ndërsa gjithashtu për herë të dytë mbahet në Arabinë Saudite.
Turneu i Superkupës do të ketë standardet e prodhimit televiziv të ndeshjeve të mëdha të Serisë A dhe do të ndiqet në mbi 160 shtete. Me “EA Sports” si sponsor kryesor, grafika televizive do të jetë ajo e videolojës popullore të futbollit.
SKUALIFIKIMET – Lojtarët që janë përjashtuar me karton të kuq ose kanë plotësuar numrin e të verdhëve në turin e fundit të kampi onatit nuk do të vuajnë pezullimin në Superkupë, por në kampionat kur ai sapo të rinisë për ekipet përkatëse. Kjo ka qenë një zgjedhje e Federatës Italianë dhe Ligës së Serisë A për të eksportuar “versionin” më të mirë të topkëmbës italiane. Në dy gjysmëfinalet, nëse një lojtar në rrezik skualifkimit për në Serinë A merr një karton të verdhë, ai do të luajë përsëri në finalen eventuale dhe do të humbasë ndeshjen e ardhshme të kampionatit.
E vetmja mënyrë për të qenë spektator në finalen e 6 janarit është kartoni i kuq në gjysmëfinale. Ndeshjet do të luhen me një top special të punuar nga kompania e njohur “Puma”. Interi dhe Juventusi do të luajnë si ekipe pritëse ndeshjet e tyre pasi janë kampione në fuqi të Serisë A dhe Kupës së Italisë, pra secili nga këto klube do të përdorë atë që zyrtarisht njihet si fanella e parë.
YJET DHE EVENTE- Delegacioni i Ligës së Serisë A është nisur drejt Riadit të shtunën që lamë pas. Ai përbëhet nga rreth 60 persona dhe ka pasur edhe trofeun me vete, në një bagazh të punuar nga një markë italiane e modës së lartë. Shtatë ditë me evente janë tashmë të planifikuara dhe është e garantuar prania e legjendave dhe ambasadorëve të futbollit italian si Kanavaro, Ferrara, Pirlo, Toni, Del Piero, Vieri, Zambrota, Kapello dhe Di Biaxho.
PREMIOT DHE ARBITRAT – Në çdo ndeshje të turneut të Superkupës nëse rezultati do të jetë në barazim në fund të 90 minutave të rregullta nuk do të ketë dy kohët tradicionale shtesë. Për pasojë fituesit do të vendoset menjëherë me goditjet nga pika e bardhë. Duke qenë se të shtunën, dje dhe sot ka ndeshje të planifikuara për një tur të Serisë A, tri gjashtëshe arbitrash janë zgjedhur për të gjykuar ndeshjet e Superkupës.
Ato do të nisen “të ndara” drejt Riadit. Sa për premiot, ato kapin vlerën e 4 milionë eurove për secilën pjesëmarrëse. Më pas 8 milionë shkojnë për fituesin, 5 milionë për finalistin tjetër dhe nga 1,6 milionë për gjysmëfinalistët e mundura.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"